Prej 4 ditësh Erion Veliaj i shmanget skandalit të përfshirjes së bashkëshortes së tij në skemën e Dzanashvillit për pastrimin e parave.

Nuk jep asnjë shpjegim, me shpresën se kjo histori tronditëse e lidhjes me një prej emrave më të njohur të trafikut në rajon, do të harrohet.

Por faktet janë kokëforta, nuk mund të mbulohen.

Ja ku është prokura. ( bashkëngjitur në email )

Dzanashvilli, ka zgjedhur të ketë Ajola Xoxen, bashkëshorten e Veliajt si përfaqësuese të tij me të drejta të plota në Shqipëri.

Dhe Ajola Xoxe ka zgjedhur të jetë përfaqësuesja e tij në Shqipëri.

Pse nuk bën transparencë kandidati që flet lart e poshtë për rregull e ligje.

Sa para mori bashkëshortja e tij nga kjo kontratë?

A ka raportuar ajo në momentin kur u bënë transaksionet e dyshimta financiare, për çka ka nisur edhe hetimi për pastrim parash?

Ligji nr 9917, i vitit 2008, e detyron Ajola Xoxen të raportojë në momentet kur bëhet një transaksion i dyshimtë, sidomos në vlerat prej miliona eurosh.

Neni 3 thotë se subjektet e këtij ligji janë, avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, ekspertët kontabël, etj. Zonja Veliaj është pikërisht përfaqësuese ligjore e z. Dzanashvilli. Ligji e detyronte atë të raportonte transaksionin e dyshimtë.

Neni 4 i këtij ligji, thotë se subjektet, pra pikërisht avokatët e përfaqësuesit ligjorë, duhet të marrin masat për transaksione të dyshimta, apo për transferta që e kalojnë shumën 1 milionë lekë të vjetra.

Zonja Veliaj, ende nuk flet nëse ka denoncuar ajo tek drejtoria pastrimit të parave, të dhënat e transaksionit që lidh Dzanashvillin me Mark Frrokun, ku 30% e aksioneve të kompanisë shiten 300 mijë euro, ndërsa 15% e aksioneve të së njëjtës kompani brenda pak muajsh, shiten me 1.8 milionë euro?

Transparenca në këtë rast është detyrim ligjor, nuk është një zgjedhje fakultative sipas dëshirës.

Por transparenca është ajo qe i mungon kandidatit rilindas për bashkinë e Tiranës dhe të afërmve te tij, që çuditërisht gjenden gjithmonë në qendër të skandaleve me shuma të tilla parash.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 8 Qershor 2015