Partia Demokratike dënon me forcë aktin kriminal të përfaqësuesve të qeverisë në KZAZ-në numër 1 në Malësi të Madhe, ku deputeti Sterkaj dhe banda e tij kanë ushtruar dhunë dhe presion ndaj numëruesve e vëzhguesve, dhe ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike, në përpjekje për të ndikuar rezultatin atje.

Kulmi ka arritur mbrëmë vonë kur deputeti Sterkaj ka nxjerrë armën dhe siç e akuzojnë kandidati i Partisë Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike atje, ka goditur me qytën e saj, pikërisht kreun e degës Pjerin Spathari, i ndihmuar nga banditët e tij.

Një akt e një ngjarje e rëndë që ka minuar zgjedhjet në këtë zonë, nisur nga fakti se banda e qeverisë dhe e deputetit Sterkaj gëzon imunitet dhe bën ç’të dojë, me bekimin e Policisë.

Në fakt, më e rënda është se vetë policia, në vend se të ndalojë shkaktarët e kësaj dhune, është rreshtuar në anën e banditëve e personave që shkelin ligjin.

Prokuroria duhet urgjentisht në nisë hetimet e të vëjë para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeve.

Ne e kemi dokumentuar ngjarjen dhe do ta paraqesim para vëzhguesve ndërkombëtarë.

Partia Demokratike do të ruajë çdo votë të qytetarëve, ne jemi të vendosur për këtë, ashtu siç paralajmërojmë këdo që tenton të prekë vullnetin e qytetarëve, që do të përgjigjet para ligjit deri në fund.


Deklaratë për shtyp e kryetarit të Grupit Parlamentar, Edi Paloka, 24 Qershor 2015