Të dashur miq,

Bashkëqytetarë të Tiranës!

Jam këtu sot, për të shprehur falenderimet e mia të përzemërta për qytetarët e Tiranës, pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë.

Në këto dy muaj, kam pasur qindra takime me banorë të Tiranës dhe bashkëbisedimi me ju të dashur bashkqytetarë do të mbetet një prej përvojave të mia më të çmuara.

Unë zgjodha kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo cep të Tiranës, në çdo rrugë e lagje, në çdo fshat dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë.

Dua të falenderoj Partinë Demokratike, anëtarët e simpatizantët tanë, të rinjtë e të rejat që shkuan derë më derë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, që kanë punuar pa u lodhur dhe që shumë prej tyre janë ende duke qendruar pranë votës, për të garantuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Ata kanë në dorë një tjetër moment të rëndësishëm, që janë votat për Këshillin Bashkiak.

Falenderoj nga zemra ekipin tim të fushatës, që punoi me shumë përkushtim.

Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare rezulton Erion Veliaj të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do ti mbajë premtimet e nuk do ti zhgënjejë qytetarët e Tiranës.

I premtoj qytetarëve të Tiranës se angazhimi im për të marrë përgjegjësi në interes të tyre do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast.


Deklaratë për shtyp e kandidatit të PD për Bashkinë Tiranë, Halim Kosova, 23 Qershor 2015