Kandidati për bashkinë e Kavajës Engjëll Cara u prezantua në takimin e organizuar nga partia në koalicion Balli Kombëtar Demokrat.

Në këtë prezantim ishte i pranishëm edhe kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, z. Artur Roshi.

Kandidati Cara tha se Partia Balli Kombëtar Demokrat ka qenë një aleat dhe një mbështetës besnik ndër vite i Partisë Demokratike. Ndër të tjera, ai do të deklaronte se Bashkia e nesërme do të jetë gjithëpërfshirëse, duke përjashtuar vetëm të ashtquajturit “Rilindas” që kanë rekorde kriminale.

“Doja të flisja për partinë tuaj, e cila ndër vite ka qenë mbështetëse kryesore e Partisë Demokratike, mbështetëse në të gjitha betejat politike të Partisë Demokratike, ndaj në respektin tuaj, unë sot jam i bindur që ne do të jemi për Bashkinë e Kavajës dhe për ballistët e djathtë dhe për republikanët dhe për demokratët dhe për socialistët, për të gjithë popullin e Kavajës, por vetëm jo, për “Rilindasit” që kanë rekorde, për “Rilindasit” që na kanë detyruar të jemi në këtë situatë që jemi sot”, tha Cara.

Në fjalën e tij z. Roshi tha se do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike z. Engjëll Cara, duke shprehur bindjen për një fitore të padiskutueshme më 21 qershor.

” Unë kam bindjen, se ne do të festojmë sëbashku 22 qershorin, duke votuar z. Engjëll Cara, i cili është një njeri me vlera, është totalisht programor, është totalisht konkret për atë që thotë dhe për këtë duhet të jeni krenar ju si kavajas. Balli Kombëtar Demokrat ka një bashkëpunim të shkëlqyer, në një nivel të paparë deri më sot me Partinë Demokratike”, tha z. Roshi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 3 Qershor 2015