Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie në Kavajë Engjëll Cara, zhvilloi takim me gratë dhe vajzat sipërmarrëse.

Në këtë takim Cara u dha një vend të veçantë në platformën e tij. Ai theksoi rolin e rëndësishëm që gruaja ka në zhvillimin e vendit. Ndaj gruaja do të zë një pjesë të rëndësishme në administratën e nesërme. Pika e parë e projektit të z. Cara është barazia gjinore.

“Nuk mund të ketë zhvillim shoqëria, pa patur bekimin dhe mirëkuptimin e nënave dhe të grave, të cilat nga mëngjesi deri në darkë kujdesin e kanë për ne dhe unë betohem që në Bashkinë e Kavajës do të bëj në mënyrë taksative Administratën me 50% gra dhe vajza”.

Gjithashtu, z. Cara deklaroi që do të nxisë gratë sipërmarrëse, të hapin një biznes dhe ta zhvillojnë atë me ndihmën e Bashkisë. Vënd të veçantë në projektin e z. Cara zë edhe ndihma sociale për kryefamiljaret femra.

” Do të bëjmë paketa sponsorizuese, ndihmuese, për të gjitha ato gra që do të nisin një biznes të ri, Bashkia e Kavajës merr përsipër t’i paguajë siguracionin në vitin e parë të zhvillimit të biznesit të saj. Do të bëjmë të mundur që nënat dhe vajzat e Kavajës të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë, kryesisht, ato nëna që janë kryefamiljare, do të kenë mbështetje sociale dhe fëmijët e tyre do të ndihmohen me bursa për arsimimin në shkollat e larta, pa patur kritere të tjera”, tha Cara.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Qershor 2015