Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar takimet elektorale në Krujë. Zoti Basha e ka konsideruar pritjen e jashtëzakonshme që i rezervuan banorët e bashkisë së Krujës si shprehje të qartë të vullnetit të qytetarëve për të ndalur të keqen që ka mbërthyer vendin dhe për t’i hapur rrugën ofertës së Partisë Demokratike për punë dhe dinjitet.

“I gjithë ky bashkim vëllezër e motra është shprehje, i gjithë ky entuziazëm, i gjithë ky besim dhe bindje në fitore është shprehje e vendosmërisë, e vendosmërisë së krutanëve, për të hequr një orë e më parë lakun nga fyti, lakun e pashpirtësisë, të arrogancës dhe të papërgjegjshmërisë të dyshes Rama-Meta dhe lakejve të saj.

E shikoni sot anembanë Shqipërisë, e shikojnë dhe janë ata që po bëjnë llogaritë sepse i kishin bërë pa popullin, i kishin bërë pa Krujën. Shikojeni Krujën, dëgjojeni popullin!

Dy vjet me radhë e vunë lakun në fytin e qytetarëve të pamundur. Dy vjet me radhë goditën me kërbaçin e pashpirtësisë, shkelën premtimet e tyre para qytetarëve, rritën taksat, rritën çmimin e energjisë, rritën çmimin e karburanteve dhe menduan se do t’ja hedhin me propagandë, me gënjeshtra, me estrada, me kërcënime, me sondazhe, me shantazhe, me banditë.

Harruan se në demokraci vjen ora e llogarisë, se mund të kapësh institucionet, mund të blesh gjyqtarët, mund të trembësh zyrtarët, por popullin nuk e blen dot kurrë, popullin nuk e tremb dot kurrë”- theksoi zoti Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha  deklaroi se asgjë dhe askush nuk mund të vendos fatin e kësaj beteje përveç qytetarëve me 21 qershor ata nuk mund të blejnë varfërinë që vetë e shkaktuan,  nuk mund të blejnë dinjitetin që iu nëpërkëmbën shqiptarëve. Me votë do të vendosin të ardhmen e tyre dhe askush nuk mund të dale mbi votën e qytetarëve.

“Fati i kësaj beteje nuk do të vendoset kurrë as nga kërcënimet e Edi Ramës, as nga paratë e pista të Ilir Metës, as nga zuzarët e krimit. Fati i kësaj beteje është në duart tuaja, ju do të vendosni.

E vendos shpirti i lirë i krutanëve që s’ka pasur huliganë t’a nënshtrojë në shekuj, e vendos kurajo civile e rinisë krutane, e rinisë të pamposhtur. E vendos klithma e thekshme e varfërisë që kanë mbjell kudo, që nuk kërkon as nuk pranon lëmoshë por kërkon zgjidhje, kërkon punë, kërkon dinjitet, kërkon përkushtim si ai që sjell Hamdi Pasha dhe Partia Demokratike.

Kush janë këta që bredhin nëpër Shqipëri duke kërcënuar shqiptarët pasi e dinë se asnjë premtim i tyre nuk pi ujë? Janë këta të cilëve sot Eurostat-i, agjencia zyrtare e Bashkimit Europian, ju tha atë që ju kemi thënë ditë për ditë, ju e ndjeni ditë për ditë, javë për javë, e në veçanti muaj për muaj kur vijnë faturat e energjisë, se energjia elektrike në Shqipëri është dyfish më e shtrenjtë se në Kosovë, se në Maqedoni, se në Mal të Zi, se në Serbi, se në Islandë. Energjia, më e shtrenjta në Ballkan, nafta më e shtrenjta në Europë, më e shtrenjta në Ballkan. Taksat  të rritura  50 përqind.  Po ku janë lekët tona që i marrin si haraç me kërbaç? Ku janë paratë tuaja? A e lanë borxhin? Jo! Borxhi është shtuar me 700 milionë dollarë që kur erdhi dyshja Rama-Meta.

A hapën kantiere pune? Zero, mbyllën ato që gjetën e çfarë ka mbetur ecën me ritmin e breshkës. A sollën punësim me lekët e taksave tuaja? Aspak, kanë shpunësuar dhjetëra-mijëra shqiptarë, të rinjë e të reja, kryefamiljarë e kryefamiljare. Ku janë lekët tona? Ku janë lekët tuaja? I kanë bërë vila me pishina, i kanë bërë kështjella dhe hotele, i kanë vjedhur kjo bandë e babëzitur. Ndaj i trembet llogaridhënies me ju”- theksoi kryetari i Partisë Demokratike.

Zoti Basha ka garantuar qytetarët se do të jetë në krah të tyre derisa të mundësohet zbatimi i ofertës së shpëtimit për qytetarët, uljen e taksave, uljen e çmimeve, nxitjen e punësimit dhe zhvillimit.

“Ju që premtuat rritje të rrogave dhe pensioneve  dhe u votuat për të dhe sot keni shkaktuar mjerimin më të thellë duke e 5-fishuar mjerimin ekstrem, duke zhytur shqiptarët në dëshpërim, në krizë ekonomike dhe psikologjike. Mos t’ju gënjejë mendja se kur shqiptarët të flasin të bashkuar siç do të flasin, me votën e 21 qershorit do të mund të injoroni vullnetin e tyre. Nuk e injoroni dot vullnetin e Krujës, nuk e injoroni dot vullnetin e shqiptarëve, vota e 21 qershorit është ligji i ligjeve.

Ju jap fjalën se sot, si kryetar i opozitës, në krah të kryetarit të ardhshëm të Krujës, Hamdi Pashës, jam i vendosur ti shkoj deri në fund, pa u tërhequn deri në fitore të betejës tonë, betejëst tuaj, për uljen e taksave, për uljen e çmimit të energjisë, për uljen e çmimit të naftës, për të gjitha paratë publike në funksionin tuaj, nga xhepat tuaj, nga tavolinat tuaja, në shtëpitë tuaja dhe jo në xhepat dhe kontot e oligarkisë” -theksoi zoti Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka kërkuar qytetarëve të Krujës të mos japin asnjë votë për trafikant e njerëz me rekorde kriminale që përdorin para të pista për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve.

“A e keni dëgjuar partnerët tanë ndërkombëtarë ? A i keni dëgjuar përfaqësuesit e fuqive perëndimore të cilët ditë për ditë bëjnë thirrje të hiqen të inkriminuarit nga lista?! Nuk i hoqën. Sot ata i thonë popullit shqiptar, ju i njihni kush janë, ju i dini kush janë, asnjë votë trafikantëve, asnjë votë të inkriminuarve, vota për Hamdi Pashën, votën për Partinë Demokratike.

Asnjë votë për Artur Bushin, një njeri me një të kaluar më të errët se nata pa hënë. Artur Bushi mund të ketë bërë shumë para por nuk ka bërë mjaftueshëm para për të blerë të kaluarën e tij, e nuk ka blerë mjaftueshëm para për të future në thes Krujën dhe krutanët”- theksoi zoti Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Qershor 2015