21 qershorin kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar si ditën e shpresës së madhe, të daljes nga kriza, të qytetarëve të Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Këtë shpresë e dëshmojnë qytetarët që po mbushin çdo ditë sheshet të cilët vijnë me vullnet të lirë dhe jo të kërcënuar me vendin e punës.

“Klithma e varfërisë nuk kërkon lëmoshë por kërkon zgjidhje, kërkon punë, kërkon dinjitet, kërkon një të ardhme me shpresë, klithma e varfërisë ka bashkuar si asnjëherë të djathtë e të majtë. A mos vallë të majtët ia panë hajrin kësaj qeverie, a mos vallë të majtët kanë më shumë mundësi për punësim, a mos vallë të majtët paguajnë më pak fatura energjie, a mos vallë të majtët paguajnë më pak taksa, a mos vallë jetojnë më mirë të majtët se të djathtët në Shqipëri?! E vërteta është se të djathtë e të majtë, kjo qeveri po na çon drejt greminës, drejt rrokullisjes, drejt përkeqësimit sepse rritën taksat, sepse rritën çmimin e energjisë sepse rritën çmimin e naftës. I vunë duart në fyt ekonomisë, shkaktuan papunësi, shkaktuan mjerim, thelluan varfërinë.

Në këtë ditë zgjedhjesh vijnë vërdallë e s’dinë se çfarë thonë. Gjysmën e kohës e kalojnë me estradë, a thua se jetojnë jo në vendin e një mijë e një halleve por në vendin më të lumtur në botë. Në fakt për veten e tyre ashtu jetojnë, jetojnë në ishullin e pasurisë dhe luksit që kanë vënë sepse për veten e tyre janë në drejtimin e duhur sepse për veten e tyre sapo erdhën në pushtet shpenzuan miliona për të rregulluar zyrat e tyre, orenditë e tyre, pastaj shtëpitë e tyre, pasuritë e tyre, rrugët që i çojnë në shtëpitë e tyre. Të gjitha këto para u morën nga xhepat tuaj e ju, ne, qytetarëve nuk na u dha asnjë shërbim, nuk na u hap asnjë vend pune.

Nuk flasin për varfërinë, por vetëm shajnë e baltosin opozitën, kryetarin e opozitës, kandidatin dhe kryetarin e ardhshëm të Bashkisë, Ilir Krosi, dhe kandidatët tanë kudo.

E bëjnë këtë sepse nuk kanë çfarë t’i thonë shqiptarëve, e bëjnë këtë sepse nuk kanë zgjidhje t’u ofrojnë shqiptarëve, nuk kanë zgjidhje t’ju ofrojnë dibranëve. Oferta e tyre e vetme është ta kapin edhe pushtetin vendor, siç e kapën pushtetin qendror, siç i kapën institucionet e pavarura, ta kapin e ta marrin për vete, sepse këta shtetin e duan vetëm për pushtetin e vetes së tyre, jo për ju ,qytetarë të Dibrës e të Shqipërisë, duan kontrollin me çdo kusht” -theksoi zoti Basha.

Rama-Meta, tha zoti Basha e duan pushtetin vendor për vete, tu shërbejnë interesave të tyre dhe jo qytetarëve të cilët pasi i mashtruan dhe u morën votën dy vjet më parë i braktisën e sot kërkon tua marrin me 20 a 30 mijë lekë, me një thes miell apo me kërcënime.

“E duan Dibrën ta përdorin si një çiflig dhe kur të vijë dita e votimit t’ju blejnë me një grusht lekë, sepse këta kujtojnë, se varfëria që shumëfishuan në Dibër, në ditën e shtunë do të jetë për shitje, këta kujtojnë se dinjiteti që nëpërkëmbën do blihet me një thes me miell të shtunën. Nuk e dinë që Dibra nuk shitet për një thes me miell, se varfëria që shkaktuan nuk është për shitje, se varfëria që shkaktuan është mallkimi i tyre, është ndëshkimi i tyre.

Vota juaj për Partinë Demokratike vëllezër dhe motra është votë për paketën tonë të emergjencës kombëtare, për paketën tonë të shpëtimit, për uljen me 25% të çmimit të energjisë, për faljen e kamatvonesave, për uljen e taksave kombëtare në nivelin më të ulët në Ballkan, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për kthimin e listës së ndihmës ekonomike të gjithë familjeve të hequra me të padrejtë që vuajnë për bukën e gojës nga padrejtësia dhe pashpirtëria e kësaj nisme. Është oferta e heqjes së TVSH-së, pra uljes me 20% në mënyrë automatike të miellit, të orizit, të vajit, të qumështit, të vezës, të bukës, dhe mishit si emergjencë për familjen në nevojë. Do të marrë fund me votën tuaj ky diskriminim ku buka, sheqeri, mishi, nafta, janë më të lira në anën tjetër të kufirit, pse, sepse qeveria i merr këto para për veten e saj. Ju votoni në 21 qershor që këto para të mbeten në xhepat tuaj.

Këta i njohën vetes të drejtën për të ngritur taksat kur u votuan për t’i ulur ato, këta i njohën vetes të drejtën për të ngritur çmimin e energjisë me pabesi, kur u votuan për t’i ulur ato, por i gënjen mendja se kur të flasë populli, siç do të flasë populli i Dibrës dhe gjithë Shqipërisë më 21 qershor se mund ta injorojnë votën tuaj, se mund ta injorojnë zërin tuaj. I gënjen mendja, sepse vota e popullit është ligji i ligjeve është ligji më i shenjtë në demokraci.

Ne do t’i japim këto zgjidhje. 21 qershori është dita kur ne do të hapim rrugën e zgjidhjeve konkrete për qytetarët. Ju jap fjalën, këta dy zgjidhje kanë, të pranojnë votën tuaj, të pranojnë ofertën tonë për të ulur taksat, për të ulur çmimet, për t’i çuar paratë për punësimin e shqiptarëve. Nëse nuk pranojnë, , ju jap fjalën këtu para jush, para Zotit, se nuk do të pres më asnjë ditë, nuk ka më kohë për të pritur, ne do ta heqim lakun nga fyti i shqiptarëve, ne do t’ia heqim kërbaçin nga dora. Dibra që ia hoqi kërbaçin nga dora Hajredin Pashës, do t’ua heqë edhe bandave të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Do t’i ulim taksat, do t’i ulim çmimet, do të punojmë natë e ditë që ju të keni punësim, të keni paga dinjitoze, të keni shpresë, të keni dinjitet këtu në Dibrën tonë, në Dibrën fisnike, në Dibrën time, në Dibrën e fitores”- theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 13 Qershor 2015