Kamza lajmëtare e fitores së demokracisë dhe qytetarëve!

Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të rinj e të reja, qytetare e qytetarë të Kamzës e të Paskuqanit, maratonomakë dhe lajmëtarë të fitores së demokratëve, demokracisë dhe qytetarëve!

Për dy vjet me radhë, për dy vjet me radhë, ditë e natë kemi parë me sytë tanë se si dyshja Rama-Meta dhe veglat e saj goditën pa mëshirë tavolinat e bukës së fëmijëve tuaj, xhepat e kyrefamiljarëve, dinjitetin e grave dhe zonjave të Paskuqanit.

Kërbaçi qeveritar, faturat e fryra të energjisë elektrike, blloku i gjobave, cinizmi, arroganca, shpërfillja  kanë qenë realitet i përditshëm i jetës së qytetarëve të Kamzës e Pakuqanit. I vetmi vend, ky është i vetmi qytet në Europë ku qeveria nuk sillet siç duhe të sillet me qytetarët e vet, por sillet si një pushtuese, si një okupatore, duke diskriminuar, duke diskriminuar qytetarët e Kamzës e të Paskuqanit, duke i trajtuar ata me fjalë e me vepra si qytetarë të dorës së dytë. E tillë është mendësia e Edi Ramës dhe Ilir Metës për qytetarët e Kamzës, i tillë është botëkuptimi i tyre për demokracinë, ndaj dhe Kamzën e zgjodhën për të bërë gënjeshtrën më të madhe të fushatës së tyre të 23 qershorit.

Pak metra më tej hodhi firmën e turpit, firmën e mashtrimit epokal për legalizime falas dhe pas marrjes së votave iu vërsul pasurive të shqiptarëve, pronave të djersës dhe gjakut  të bijve dhe bijave tuaja në emigracion, kursimeve të një jete të tërë, i shkatërroi, i masakroi, i gjymtoi, i goditi kundër ligjit me selektivtet, me verbëri,  me urrejtje, i njëjti aparat banditësh  dhe mafiozësh që ndërton vila të paligjshme në bregdet, që ndërton saraje në bregdet,  që ndërton pallate me bandat në rërën e Durrësit dhe në plazhet e tjera të Shqipërisë.

Kjo qeveri erdhi para shqiptarëve para dy vitesh me premtime të mëdha se do ua bënte jetën më të lehtë. Jeta e shqiptarëve sot është e vështirë, jeta e qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit është e vështirë dhe Edi Rama e Ilir Meta jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për t’ju ndihmuar por e kanë bërë edhe më të vështirë.

Kamza dhe Paskuqani e gjithë Shqipëria ua kanë thënë e do ua thonë përsëri sot nga ky shesh, a paguani më pak taksa se para dy vitesh, a keni më shumë vende pune se para dy vitesh, a paguani çmime më të ulëta se para dy vitesh, a paguani fatura të energjisë më të ulëta se para dy vitesh, a paguani më pak, a fitoni më shumë, a jetoni më mirë?

Ky është realiteti që flet vetë, e thoni ju, e thotë Paskuqani, e thotë Tirana, e thotë Shqipëria dhe në 21 qershor do e thoni me votën tuaj. Me votën tuaj do i thoni ndal marrëzisë qeveritare që e ka futur ekonominë shqiptare në një krizë të thellë, ku mijëra vende pune shkatërrohen ditë për ditë prej bizneseve që mbyllen, prej taksave të larta e çmimeve të papërballueshme të naftës e energjisë elektrike. Me votën tuaj do të hapim një ofertë të re, ofertën e PD për taksën më të ulët në Ballkan. Shqiptarët me të ardhurat më të ulëta në Ballkan paguajnë taksa më të larta, kjo do të ndryshojë, do të ndryshojë se s’bën me votën tuaj, me votën e Kamzës, me votën e Paskuqanit, me votën e shqiptarëve.

Me votën tuaj në 21 qershor, ne do ulim me 25% çmimin e  energjisë e do të falim kamatë-vonesat për të gjithë shqiptarët, ne do ta heqim lakun e ankthin e faturave afrofe nga fyti i shqiptarëve. Me votën tuaj me 21 qershor, Partia Demokratike, opozita  do u vijë në ndihmë familjeve në nevojë, ne do të ulim me 20% çmimet e ushqimeve bazë duke hequr tvsh-në, sepse për ne, 21 qershori nuk është garë për pushtet politik, por është shans për të ndihmuar shqiptarët dhe shqiptaret në vështirësi.

Ky është një mision i lartë, një mision i madh që nuk e ndal dot oligarkia, oligarkia që ju goditi për dy vite, oligarkia që ju rëndoi e ju zhvati për dy vite nuk ka ofertë për ju, nuk ka zgjidhje për problemet tuaja,  as nuk e merr mundimin të flasë për problemet tuaja. Ata thonë së taksat e rritura, çmimet e rritura, faturat afrofe, kërbaçi, azili dhe eksodi i shqiptarëve janë drejtimi i duhur.

E pikërisht këtë shembull  kanë vendosur që Kamzës t’i sjellin një xhandar, një xhandar të dhunës e të kërbaçit, që ta kenë më të lehtë për të nënshtruar familjet e familjarët e Kamzës, që t’ju rrisin taksat, që t’ju prishin shtëpitë, që t’ju marrin vendet e punës, t’ju përdhosin dinjitetin  e ju mos të keni ku të qaheni. Kjo është ëndrra perverse e Edi Ramës, ky është projekti i zi i dyshes Rama- Meta për Kamzën, projekti i Safet Gjicit, xhandarit besëprerë të oligarkisë, njeriut që ka marrë përsipër të nënshtrojë me kërbaç Kamzën dhe Paskuqanin. Po a do ta lëmë ne, vëllezër dhe motra? A do ta lejoni ju? A do ta lejojë Kamza përdhosjen, shkeljen e dinjitetit? Kurrsesi!

Dy vite kaluan por dy ditë kanë mbetur para se Kamza dhe Paskuqani të flasin me votë e me votë të zgjedhin njeriun që u ka dalë për zot halleve dhe problemeve tuaja, njeriun që është bërë simbol i barrikadës kundër dyshes Rama –Meta, njeriut që çdo fitore të tij e ka kthyer në projekte, përkushtim, punë dhe dinjitet, për ju.

Halë në sy e kanë kryebashkiakun tonë, Xhelal Mziun. Vota për Xhelal Mziun është votë për të mbrojtur dinjitetin  tuaj, vota për Xhelal Mziun është votë për taksa të ulëta, për uljen e faturave, për dedikimin e fondeve të Kamzës, jo në projekte korruptive, për të mos lejuar banditët e Safet Gjicit t’ju terrorizojnë e t’ju grabisin, e t’ju vjedhin ju, bizneset dhe bankat, po për të punuar për ju, për tu ulur me ju dhe për të qarë hallet me ju e për t’ju drejtuar ju së bashku me mua drejt një beteje pa kthim, drejt fitores tonë, fitores së Kamzës, fitore të gjithë Shqipërisë!

Kurrë nuk ka qenë më vetëm oligarkia, kurrë nuk ka qenë më të bashkuar shqiptarët. Edhe këtu në Kamëz të majtë e të djathë e në veçanti ata të majtë që besuan me të vërtetë në një ndryshim pozitiv dy vite më parë  e shohin sot me sytë e tyre në faturat që u vijnë, e shohin me sytë e tyre në xhepat bosh e tavolinat e varfëruara të fëmijëve të tyre, e shohin në çmimet që janë rritur, në tarifat e universiteteve që janë rritur, në çmimet e medikamenteve që janë rritur, në legalizimet që jo vetën nuk bëhen falas por janë bërë më korruptive se kurrë më parë, e shohin dhe janë kokëulur dhe janë pa shpresë .

Vëllezër dhe motra, të majtë socialistë e me bindje të tjera politike, votoni dhe ju për Xhelal Mziun e Partinë Demokratike! Ne do jemi në krahun tuaj, të halleve dhe problemeve  tuaja. Kurrë s’ka qenë më vetëm oligarkia. Me banda, me policë, me hu, me haraç mendon se do të ulë dhe poshtërojë Kamzën, por kurrë s’kanë qenë shqiptarët e lirë më të bashkuar e më të fortë. Në krahun tonë është e vërteta , në krahun tonë është realiteti, në krahun tonë janë faktet, në krahun tonë është e drejta, në krahun tonë është Amerika, në krahun tonë është Bashkimi Europian.

Votoni për Xhelal Mziun, votoni për Partinë Demokratike! Zoti e bekoftë Kamzën, Zoti e bekoftë Paskuqanin! Fitore!


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Qershor 2015