Kryetari i Partisë Demokrtaike Lulzim Basha priti në një takim, një delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga z Stewart Dikson (Britani e Madhe), që do të vëzhgojnë zgjedhjet lokale në Shqipëri. Pas takimit zoti Basha ne nje prononcim për mediat z. Basha theksoi se “Askush nuk  prek dhe nuk e cënon dot votën e qytetarëve. Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e votës, për një proces të rregullt zgjedhor dhe bashkë me partnerët tanë, bashkë me Këshillin e Europës, OSBE, SHBA, BE do të garantojmë një proces ku çdo qytetar të ketë mundësi të flasë me votën e tij apo të saj”. 

Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha

Unë pata një takim me përfaqësues të vëzhguesve të Këshillit të Europës të cilët së bashku me vëzhguesit e ODIHR-OSBE dhe të vendeve mike, SHBA dhe vendeve të BE do të përbëjnë një trupë të fuqishme të vëzhgimit të zbatimit të standardeve zgjedhore, ditën e diel. I informova për përpjekjet e përditshme dhe të përnatshme të qeverisë për të zhbërë standardet zgjedhore, për vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashku me qytetarët shqiptarë që kjo të mos ndodhë.

Më garantuan se në çdo bashki të vendit, vëzhguesit ndërkombëtarë do të jenë masivisht të pranishëm, të ndërgjegjësuar për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, për të ardhmen europiane të Shqipërisë, të ndërgjegjësuar po kështu për problematikën e shkaktuar, por të vendosur për të monitoruar e ruajtur standardet zgjedhore.

Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje zgjedhësve shqiptarë qytetarëve shqiptarë që masivisht të dalin e të votojnë ditën e diel. Askush nuk  prek dhe nuk e cënon dot votën tuaj. PD ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e votës, për një proces të rregullt zgjedhor dhe bashkë me partnerët tanë, bashkë me Këshillin e Europës, OSBE, SHBA, BE do të garantojmë një proces ku çdo qytetar të ketë mundësi të flasë me votën e tij apo të saj.

Thirrja ime është, pjesëmarrje masive në votime. E diela është dita e sovranit, dita e popullit. Dilni në votime dhe votoni lirisht për kandidatët tuaj, për zgjedhjen tuaj, natyrisht për zgjedhjen e kandidatëve! Unë kam një thirrje, votoni kandidatët e PD, Halim Kosovën në Tiranë, kandidatët tanë anembanë vendit, për t’ju ofruar punë, dinjitet, respekt dhe një standard demokracie vendore që e meritoni e që nuk mund të zhduket e nuk do të zhduket nga oligarkia!

A folët ju për sa u përket listave…?

Për gjithçka folëm, për gjithçka informuam dhe për gjithçka kemi marrë masat. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë votues që është zhvendosur me hir apo me pahir në Durrës, në Kavajë, kryesisht në këto dy bashki apo ndonjë bashki tjetër që do të lejohet të votojë nëse nuk është i regjistruar sipas ligjit. Pra, në ato raste ku ka regjistrime fiktive, ku votuesit e këtyre dy bashkive apo ndonjë bashkie tjetër jetojnë diku tjetër realisht e janë zhvendosur pa dijeninë e tyre apo në mënyrë korruptive, ata nuk do të mund të votojnë, të mos marrin mundimin, të mos pranojnë lekët e korrupsionit, të mos marrin makinat, furgonët, autobusët, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të votojnë në komunitetet e tyre, as në Durrës, as në Kavajë, askund tjetër! Komisionerët tanë nuk do të lejojnë votimin e personave të regjistruar në mënyrë fiktive.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 18 Qershor 2015