Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit i cili ktheu në vend drejtësinë për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku nuk është pas hekurave, por është larguar në drejtim të paditur, apo më saktë në drejtimin e duhur.

E themi këtë dhe e denoncojmë këtë fakt sepse Arben Frroku nuk do të ishte sot i lirë edhe pse i dënuar nga Gjykata e Apelit:

po të mos kishte udhëhequr fushatën e Partisë Socialiste në Pukë prej dy muajsh;

po te mos kish mbështetjen dhe aksesin e kryeministrit të vendit i cili kaloi më shumë se 1 orë me të, tek turizmi i Pukes, në mes të qytetit vetëm 1 javë para ditës se zgjedhjeve;

po të mos kish kaluar lirshëm dhe pa pengesë pikën kufitare me Malin e Zi;

dhe po të mos kishte marrë ‘ok’ e zyrës së Interpol Tirana në momentin që u ndalua nga autoritetet në piken kufitare mes Malit te Zi dhe Kroacisë.

Kryeministri i vendit ka dhe duhet të ketë përgjegjësinë dhe detyrim ligjor t’i japë përgjigje para qytetarëve shqiptarë për këto fakte tronditëse.

Por, për fat të keq, dhe në dëm të Shqipërise dhe shqiptarëve, ky ishte standardi i Edi Ramës në këto zgjedhje elektorale; blerja masive e votës; përdorimi dhe presioni i administratës; kandidimi i personave të inkriminuar dhe përfshirja e elementëve të inkriminuar për të mbështetur ata dhe për të shantazhuar shqiptarët. Këto tashmë janë fakte evidente jo vetëm për shqiptarët por edhe për ndërkombëtarët, të cilët e kanë denoncuar qartazi këtë realitet në politikën shqiptare.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Gert Bogdani, 30 qershor 2015