Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Znj. Voltana Ademi zhvilloi një takim për prezantimin dhe konsultimin e programit për zhvillimin rural të zonës. Aktiviteti i cili u mbajt  nën moton “Për Shkodrën e së ardhmes”, kishte në fokus problematikat dhe sfidat e zhvillimit e të integrimit të zonave rurale të kësaj Bashkie nëpërmjet një programi të hartuar me specialistë të fushave përkatëse. Të ftuar në këtë takim ishin fermerë, përfaqësues të agro-biznesit, të shoqatave të përdoruesve të pyjeve etj. Gjatë fjalës së saj, Ademi u ndal tek disa nga sektorët kryesorë të ekonomisë rurale të cilat do të kenë gjithë vemendjen kryesore të Bashkisë së Shkodrës, siç janë bujqësia, blegtoria, agro-përpunimi, pyjet dhe kullotat, peshkimi etj.

Kandidatja Ademi e sheh zhvillimin e territorit të lidhur ngushtë me përforcimin e identitetit të secilës zonë duke pasur parasysh resurset natyrore, profilin ekonomik dhe produktet, shtrirjen e shërbimeve, trashëgiminë kulturore e historike dhe arkitekturën specifike.

Znj. Ademi tha se mbështetja specifike për bujqësinë dhe agro-përpunimin do të bazohet në investimet në infrastrukturën bujqësore e kryesisht në sistemet e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja; mbrojtja e tokës nga dëmtimet; ngritja dhe forcimi i shërbimit të këshillimit; marketingu, shpërndarja dhe tregtimi i produkteve në tregje të përshtatshme; parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve të kulturave bujqësore si dhe ato të blegtorisë që mbarështohet; saktësimi dhe regjistrimi i të drejtave të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe kategorive të tjera në hapësirën rurale.

Ajo shtoi se do të punojë në drejtim të rritjes së fondeve nga buxheti bashkiak si dhe orientimin e fondeve të programeve nga donatorë apo ato të partneritetit publik-privat në sektorin bujqësor. Dy elementë të rëndësishëm në programin e kandidates Ademi shihen edhe ndërthurja e investimeve në sektorin bujqësor me ato të karakterit turistik si dhe mbështetja e prodhuesve e fermerëve për t’u vetorganizuar.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29  Maj 2015