Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dje me pensionistë dhe gra të Njësisë 5 në Tiranë, ku bisedoi për zgjidhjen e problemeve që ata kanë si nga pamundësia ekonomike, por edhe shqetësimet në komunitet. Kosova tha se ka në plan të minimizojë tarifat bashkiake për pensionistët dhe do të stimulojë grupe të rinjsh vullnetarë që të ndihmojnë këtë grupmoshë me shërbimet që ata kanë nevojë.

“‘Do të ulen taksat, se sado të pakta të jenë, janë shumë për një që e ka pagën ose pensionin shumë të vogël. Do të ulen taksat për biznesin, për të krijuar më shumë vende pune. Jam i angazhuar që në krye të një stafi që do të ecë se s’bën me ritmin tim, se nuk ka rrugë tjetër, do të jemi në shërbim të qytetarëve të Tiranës, për të bërë më të mirën e mundshme për individin, për familjen, për lagjen dhe për të gjithë qytetin”, tha Kosova.

“Kam filluar punën në 1955 dhe e kam lënë në  ’90. Më jep 14.000 lek pension. Gjizë ha”, ankohet një pensionist.

“A kam në dorë unë të bëj ndonjë gjë ? Po kam. Kam që ai pension që juve ju kanë lënë që për mua nuk është djersa që ju keni derdhur, si kryetar bashkie të bëj që t’i rritet sadopak vlera. Që aq sa është dhe është i vogël, lëre më po t’iu rëndohet dhe me taksa të ndryshme dhe shpenzime të ndryshme. Ajo që unë kam në dorë është që t’iu lehtësoj nga taksat që bashkia i ka në dorë, dhe sigurisht që do ta bëj dhe jo vetëm kaq . Ne po studiojmë një mundësi për lehtësi të tjera se si ilaçet t’ju vijnë në shtëpi dhe mos të detyroheni ju që të dilni orë e pa orë, kohë e pa kohë, për të marrë një shërbim që ne të gjithë do ta mendojmë se si ai do t’ju vijë ju në shtëpi”.

“Një problem shihet dhe jetojmë në një komunitet. Na duket vetja sikur jemi në hotel jo sikur jemi në shtëpinë tonë. Dikush që nga atje shkund, vjen një tjetër heq nga ashensori pjesët e saj i çon në vend tjetër, Unë mendoj që këtë problem në anën e njerëzve ta administrojë mundësisht bashkia”, shprehet një pensionist.

“Çfarë ka qenë në letër dhe ka për të qenë për të mirën e qytetarëve, këtë letër e kam bërë realitet. Ky është problemi në Shqipëri, në qoftë se shikon kur të prezantojnë programe, ti thua sa shumë kemi ecur. Kur vjen problemi për ta bërë realitet aty ngec pastaj. Ne e kemi këtë si pikë synim që të ketë një administrator, ndoshta jo një administrator për një pallat, por për një grup pallatesh të caktuara”, tha Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27  Maj 2015