Kryetari i Partisë Demokratike  Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Belshit, Cërrikut dhe Bradasheshit në Elbasan. Banorët e njohën z. Basha me shqetësimet e tyre, që nga rënia e fuqisë blerëse, rritja e çmimit të energjisë e deri tek pamundësia për të blerë ilaçet. Një zonjë i tha z. Basha se po kurohet me kura popullore se nuk ka të ardhura për të blerë ilaçe. Nëpër dyqane gjen të mbivendosura mbishkrime, “nuk japim më veresie”.

Banore: Energjinë po shyqyr, tani na e rritën prapë.

Basha: Sa të ka shkuar fatura mujore?

Tregtare: Ka raste 80.

Basha: Sa e ke pasur përpara, sa të shkonte?

Tregtare: 40.

Basha: Dyfishim, do me thënë.

Tregtare: Tërë ditën e ditës sot, turp të tregosh, kaq xhiro, isha e sëmurë më bënin ilaçet 22 mijë lekë, nuk i mora dot. Po luftoj sëmundjen me kura popullore.

Tregtare: Kemi 25 vjet këtu, si tani nuk ka bërë vaki, nxijnë listat, nuk i mbledhim dot, do më japësh një bukë veresie, e po kjo është tmerr.

Basha: Vota për Partinë Demokratike, unë premtoj do të shkojë për paketën tonë të shpëtimit, të ulim taksën në minimum, më të ultën në Ballkan, të ulim çmimin e energjisë, që ato lekë që i çojmë për fatura e kamatë-vonesat, t’i kenë në xhepin e tyre, të vijnë e të blejnë bukë e të blejnë mallrat kryesore, të heqim TVSH-në për mallrat e shportës, që të paktën t’i paguajnë 20% më pak. Ç’ kuptim ka që shteti vjen e të merr 20% për vezën, bukën, kurse ai tjetri s’ka lekë të japë për bukën?!

Në zonën e Dumresë, banorët merren me kultivimin e duhanit dhe  shqetësim i tyre është rritja e kostove të punimeve bujqësore për shkak të rritjes së çmimit të naftës  dhe energjisë. Banorët thonë se marrin me listë plehrat kimike por pamundësia për t’i shlyer i ka bërë që tregtarët të mos ua japin më. Problem, thanë banorët  janë gjithashtu faturat abuzive të energjisë dhe emigrimi i madh i banorëve që nuk shohin asnjë shpresë.

Tregtare: Xhiro fare, ka ra, pastaj kemi shumë veresie që na marrin, gjithë lagjja, ka ikur të gjithë në Gjermani.

Tregtar: Na premtoi me 7 mijë lekë kilen e duhanit. Çmimi i duhanit sot është1500 lekë. Tani, ne ku të vemë?

Basha: Kostoja e proceseve është dyfishuar fare…

Tregtar: Dyfishuar, jo trefishuar.

Tregtar:  4 milionë e 600 me ka ardhur fatura e dritave

Basha: Për një muaj?

Tregtar: Tani ka vajt 9 milionë e ca, plus kamata…

Basha: Çfarë fabrike ke atje?

Tregtar: Asnjë fabrikë s’kam, kam një lokal të vogël. Kur më ka ardh ajo faturë, unë sa e kam hapur atëherë. 18 milionë në fshat, në një fshat të humbur?!

Basha: Kjo zgjidhet me votë dhe në 21 qershor ju keni mundësinë që këtë të keqe ta ndalni me votën tuaj por nga ana tjetër, duke votuar për Partinë Demokratike në 21 qershor, ju bëni një zgjedhje për platformën tonë të uljes së çmimit të energjisë me 25% dhe faljes së kamatë-vonesave për të gjithë banorët e Dumresë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015