Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në qytetin e Durrësit. Zoti Basha është njohur me shqetësimet që kanë sot të rinjtë e Durrësit për papunësinë në rritje, tarifat e larta të universiteteve, pamundësinë e prindërve të tyre për të mbyllur muajin pa marrë borxh e deri te mungesa e shpresës se nesër do të bëhet më mirë. Vendi është zhytur në krizë, tha zoti Basha, por qeveritarët refuzojnë të japin llogari e t’i pergjigjen pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve.

 “Ku janë 300 mijë vendet e punës, ku është punësimi, ku janë çmimet e ulura të energjisë dhe të naftës, ku është shëndetësia falas, ku është arsimi për të gjithë, ku janë universitetet që do të hapin dyert e tyre për të mos lënë asnjë të ri pa shkollë ,siç u premtua para dy vitesh, kush përgjigjet për këto pyetje? Askush. Edi Rama dhe Ilir Meta, të dy së bashku dhe veç e veç organizojnë estrada të pakuptimta rrugëve dhe shesheve të Shqipërisë me një tufë zyrtarësh memecë përpara, recitojnë të njëjtën histori nga fillimi deri në fund, çdo ditë, katër herë në ditë, pa u lodhur pa u bërë fare merak se asnjë nga shqiptarët nuk merr përgjigje për këto pyetje. Ku është mirëqenia e premtuar, ku është siguria, ku është rendi, asnjë përgjigje. Në rastin më të mirë sulme ndaj opozitës, sulme ndaj meje sulme ndaj Gridës, çfarë fshehin këto? Mungesën e zgjidhjeve, mungesën e ofertës, mungesën e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë para jush”,- u shpreh zoti Basha.

Dyshja Rama –Meta, tha Basha, rritën çmimin e energjisë për qytetarët, por CEZ-it i falën 600 milion euro, thelluan borxhin me 700 milion dollarë por nuk kanë hapur asnjë vend të ri pune apo te kenë kryer investime të reja.

“E rritën çmimin e energjisë. I rritën faturat për shqiptarët, i gërmuan xhepat e shqiptarëve deri në kacidhet e fundit, por CEZ-it i falën 600 milionë euro  të njohura me faturë. 600 milionë euro, 200 euro për banor, 200 euro për shqiptar ia falën me një dorë, pa llogaritur ato të tjerat. Këto ishin detyrime të njohura. Gropën e buxhetit e kanë rritur me 700 milion dollar, 240 mijë lek më shumë paguan çdo shqiptar. kKa marrë çdo shqiptar borxh këto vite me Edi Ramën dhe Ilir Metën, këta që do ta mbyllnin gropën. E thelluan me 700 milion dollar më shumë. Por çfarë bënë me këto para? Sa kantiere pune kanë hapur këtu në Durrës? Sa vende pune hapën në Durrës? Sa familje shtuan në listën e ndihmës ekonomike për shkak të pamundësive të krijuara? Asgjë, asnjë llogari, asnjë rezultat. Dhe sot asnjë zgjidhje, asnjë ofertë. E vetmja gjë që bëjnë, kërcënojnë, po nuk na votuan ne, nuk do të ketë bukë, nuk do të ketë ujë, kuçedra do të zërë burimet Propozuan që t’iu merrnin edhe shtëpitë shqiptarëve që s’kishin me se të paguanin faturat e energjisë. Ndërsa para dy ditësh kanë hequr vellon e planit të tyre famkeq, të antireformës së ujit, me anë të së cilës duan të vendosin edhe  një kërbaç tjetër mbi kokën e shqiptarëve, atë të rritjes së tarifave dhe të çmimeve të ujit, dhe të reprezaljeve ndaj qytetarëve për ujin e pijshëm. Aty ku është, por edhe aty ku s’është, sepse dhe energjinë e kërkojnë edhe aty ku nuk ka energji elektrike, edhe aty ku faturat janë aforfe dhe abuzive,”- nënvizoi kryetari Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se Rama-Meta jo vetëm nuk mbajtën asnjë premtim, por përkundrazi refuzuan të dëgjojnë zërin e qytetarëve, kur kërkonin mos rritjen e  çmimeve si dhe refuzuan të miratonin në parlament amendamentet e opozitës për uljen e çmimit të energjisë, naftës uljen e taksave etj. Mazhoranca, tha Basha, vazhdoi me rritjen e taksave, duke e bërë të pamundur për bizneset të punësojnë më shumë, përkundrazi shumë prej tyre mbyllën vende pune. 40% është papunësia mes të rinjve, dyfishi i papunësisë kombëtare. 7%, sipas Instatit, më i lartë sesa kur e morën këta qeverinë.

“E denoncuam siç e denoncojmë sot, me fakte, me argumenta. As me shpifje, as me përbaltje. Por nuk u mjaftuam me kaq, sepse ne jemi opozita, jemi edhe alternativa. Çuam në Kuvend amendamentet tona, amendament për punësimin e rinisë, të hiqen taksat për një periudhë kohore një deri në pesë vjet për çdo biznes që punëson të rinjtë. Çfarë bënë? E hodhën poshtë. Amendament për uljen e çmimeve për mallrat e shportës, të miellit, të sheqerit, orizin, për bukën, për vajin, që familjet që mezi mbyllin muajin ta kenë pak më të lehtë, pak më të mundur, për shkak të asaj që bën shteti, që të blejë pak më shumë, apo të blejnë kotheren e bukës, për fëmijët e tyre, ta vendosin të tavolinë. Çfarë bënë? E hodhën poshtë. Çuam amendamentet për uljen e çmimit të energjisë dhe të naftës, që në fakt ishin premtimet e tyre. Çfarë bënë? E hodhën poshtë. E hodhën poshtë në mes të natës me kartonat e tyre të cilat, sipas Edi Ramës dhe Ilir Metës, përfaqësojnë 1 milion shuplakat e 23 qershorit 2013, por që në fakt sot nuk përfaqësojnë as vet njerëzit që i mbajnë këto kartona,”- tha Basha.

Dy vjet më parë, tha zoti Basha, i morën votat me mashtrime teksa kësaj here kërcënojnë qytetarët se nuk do te kenë ujë, drita e bukë po votuan kundër tyre. Kryetari i Partisë Demokratike i ka pyetur të rinjtë e Durrësit nëse sot jetojnë më mirë, kur qyteti dhe qeveria janë të një krahu.

“Po t’i pyesim këtu nga Durrësi, këtu për dy vite kanë pasur edhe bashkinë, edhe qeverinë. Sa vende pune hapën këtu në Durrës? Cili prej jush është punësuar në dy vitet e fundit? A janë ulur çmimet në Durrës? A paguani më pak taksa në Durrës? A jetohet sot më mirë në Durrës se dy vite më parë? Po s’ka se si.  Pushteti korrupton. Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Binomi Rama-Dako nuk ka bërë asgjë të mirë për Durrësin. Në këto dy vite Durrësi është zhytur në papunësinë më të madhe, mjerim edhe më të madh, papunësi edhe më të madhe. Kryebashkiaku i konsumuar i Durrësit nuk ka ofertë për ju.  Kryeministri nuk ka ofertë për ju”,- u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.

Me votën e bashkuar të 21 qershorit, tha zoti Basha, do t’i hapet rruga ofertës se Partisë Demokratike per ulje çmimesh, uljen e tarifave për studentët, faljen e kamatvonesave për ujin dhe energjinë, ulje taksash dhe krijimi i lehtësirave për bizneset që punësojnë të rinj.

“Lulzim Basha ka një zotim për zgjedhjet e 21 qershorit. Që me votën e bashkuar, të djathtë e të majtë, pas 21 qershorit të diktojmë uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, uljen e çmimit të energjisë me 25% dhe faljen e kamatvonesave anëembanë. Të diktojmë rritjen e rrogave e pensioneve dhe jo ngrirjen e tyre, të diktojmë destinimin e të gjitha fondeve publike për investime që ndihmojnë në hapjen e vendeve të punës. Pra, për punë, dinjitet dhe respekt për gjithë shqiptarët”,- mbylli zoti Basha.

Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, tha se bashkë me të rinjtë dhe durrsakët do t’i kthejnë shpresën dhe do të bëjmë më të mirën për qytetin.

“Ne do kemi vetëm një strategji, luftë frontale papunësisë. Papunësia sepse është nëna e të gjithë të këqijave. Aty lind varfëria, aty lind keqësia, aty lind mungesa e shpresës. T’i kthjemë jetën qytetit, t’i kthejmë shpresën të gjithë atyre njerëzve që varfëria ia ka ulur kokën. Pas 21 qershorit do e keni kokën lart se do bëjmë më të mirën për qytetarët. Të rinjtë të vijnë bashkë me ne dhe të shkojmë drejt punësimit, parqeve, të shkojmë drejt rrogës më të lartë. A duhet ne të subvenciojmë një numër të caktuar kur të rinjtë punësohen?! Po, ne jemi të gatshëm për ta bërë këtë. Trekëndëshi midis agroturizmit, bregdetit dhe arkeologjisë do na e kishte zili e gjithë bota. Ne e kemi dhe hajde ta bëjmë”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20  Maj 2015