Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarë dhe tregtarë të bashkisë së Durrësit. Taksat e larta, shtimi i bizneseve informale në prag të zgjedhjeve, rritja e çmimit të energjisë dhe rënia e fuqisë blerëse kanë qenë disa prej shqetësimeve të paraqitura nga tregtarët. Mungesa e ilaçeve nëpër spitale dhe pamundësia për t’i siguruar ishte një tjetër shqetësim që iu shpreh zotit Basha, në afërsi të spitalit të Durrësit.

Pasi u njoh me shqetësimin e një gruaje e cila e kishte të pamundur tu siguronte bukën fëmijëve të saj, zoti Basha tha se respekti për gratë nuk tregohet duke i mbledhur në mitingje elektorale por duke u mundësuar punë, që ato të mos vuajnë mungesën e bukës së fëmijëve.

“E dimë mirë ne se sa i do gratë Edi Rama, e dinë familjet e Brunilda Mekës që e çoi drejt vetëvrasjes kur e hoqi nga puna, e di familja e asaj zonjës tjetër që ra në korent sepse ia kishte shkyçur korrentin, megjithëse  e kishte fëmijën me azmë. E dinë gratë kryefamiljare që rrisin jetimë, sepse burrat i hoqën nga puna dhe u mori edhe jetën me vetëflijim, nga Rrogozhina në Tale të Lezhës. I përdori gratë për të hequr rivalët e tij në parti dhe pastaj i detyroi gratë që të jepnin dorëheqjen që të fuste kriminelët në parlament. Ky është Edi Rama dhe respekti i tij për gratë”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua dhe me banorë të Shënavlashit. Në dy vjet, Edi Rama dhe Ilir Meta jo vetëm nuk mbajtën asnjë premtim, tha zoti Basha por kanë refuzuar dhe të votojnë propozimet e Partisë Demokratike për uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, subvencione për bujqësinë etj. Në 21 qershor, tha zoti Basha kartonat janë në duar të qytetarëve dhe me votën e tyre do ta ndalin të keqen dhe do t’i hapin rrugë ofertës së Partisë Demokratike për punë dhe dinjitet.

“21 qershori do jetë fitorja e zgjidhjeve për hallet tuaja, problemet tuaja, duke ulur taksat, duke ulur çmimet, duke bërë të mundur investime që të hapin vende pune dhe duke ndihmuar fermerët me investime në infrastrukturë dhe qytetarët me investime në shëndetësi e në arsim, duke qenë pranë jush me vepra, duke ndalur të keqen e duke hapur derën e  së mirës për çdo banor të Shënavlashit, për çdo banor të Rrashbullit e Shqipërisë”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015