Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatin për kryetar bashkie në Kamëz, z. Xhelal Mziu. 

Z. Basha theksoi se 21 qershori do të jetë festë e demokracisë dhe askush nuk do të mund të devijojë vullnetin e zgjedhësve.  Z. Basha bëri të ditur se këtë e ka diskutuar edhe me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së me të cilët zhvilloi një takim para prezantimit të kandidatit në Kamëz. 

 “Me përfaqësuesit më të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, ndava bindjen time të thellë se procesi i zgjedhjeve të 21 qershorit, me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe Partinë Demokratike nuk do të mund të devijohet dot nga vota dhe vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë. I sigurova se së bashku me Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare, shumica dërrmuese e shqiptarëve, të djathtë e të majtë janë vendosur ta kthejnë 21 qershorin në festën e demokracisë, në triumfin e votës së lirë, në verdiktin e pashmangshëm të qytetarëve për qeverisjen dhe për pushtetin” theksoi zoti Basha. 

Nga Kamza z. Basha i kujtoi mazhorancës premtimet e pambajtura, premtime të cilat i firmosën publikisht në Kamëz përpara zgjedhjeve të 23 qershorit siç është ai për legalizime falas. 

“Nga ky shesh nisi mashtrimi i madh i shqiptarëve në 23 qershor, në këtë shesh pak ditë para përfundimit të fushatës elektorale u bë mashtrimi më lapidar. Këtu u firmos kontrata e turpshme, kontrata e mashtrimit se gjoja shqiptarët do të përfitonin legalizime falas, se edhe po të çohej Enver Hoxha nga varri, shtëpitë, banesat, bizneset e shqiptarëve nuk do të prekeshin. Këtë e bëri kryemashtruesi i kohëve moderne, këtë e bëri njeriu që premtoi legalizime falas por që sot shëtit nëpër Shqipëri si një adhamudh duke mashtruar ditë për ditë me fletushka që nuk janë legalizime dhe sigurisht nuk janë falas. A mos ishte vallë kjo e vetmja gënjeshtër e Edi Ramës? A nuk erdhi ai me premtime për 300 mijë vende pune, për ulje taksash, për ulje të çmimit të energjisë, për ulje të çmimit të karburantit e subvencione për fermerët, a nuk erdhi ai me premtimin e shëndetësisë falas, a nuk erdhi ai me premtimin e aksesit në arsim për të gjithë të rinjtë?! Premtimet e tij u shkelën një pas një menjëherë sa mori pushtetin. Në vend u vendos diktatura dhe tirania e egër e mjerimit, e kërbaçit për qytetarët e thjeshtë dhe të pamundur por e privilegjeve të pushtetit për pushtetarët. E nisi këtu, nga Kamza, ku shkatërroi objekte në proces legalizimi apo objekte me leje edhe pse kishte premtuar të kundërtën, e nisi dhe e zgjeroi të keqen në të gjithë Shqipërinë. E keqja sot është shtrirë nga jugu në veri, e keqja ka formën e fadromave të paligjshme të bandave të INUK-ut, e keqja ka fytyrën e bandës së OSHEE-së e cila vjen të kërkojë haraçin e paligjshëm e abuziv të faturave më të kripura ndonjëherë të çmimit të lartë të energjisë. E keqja shkakton viktima mes nesh, kryefamiljarë që humbin jetën e tyre, që vetëflijohen sepse nuk kanë me çfarë t’ia dalin, nuk kanë si t’u dalin përpara fëmijëve e vogëlushëve të tyre, nuk kanë si t’i përgjigjen rinisë, sepse rrugët, shtigjet për mirëqenie dhe punë janë mbyllur nga dyshja e së keqes, nga dyshja Rama-Meta”, theksoi z. Basha. 

Zoti Basha tha se shqiptarët janë sot të bashkuar si asnjëherë më parë sepse presin mirëqenie, siguri, punë dhe kthimin e shpresës pasi eksodi nuk është zgjidhje. 

“Shqiptarët duan një rrugë tjetër, një mundësi tjetër, shqiptarët duan një ofertë tjetër dhe shqiptarët e kanë në dorë sepse në 21 qershor vjen zgjidhja e vërtetë dhe kjo është vota juaj. Në 21 qershor, hapi i parë, çelja e rrugës së daljes nga kjo mynxyrë, nga kjo gjendje e tmerrshme e krizës ekonomike, shpirtërore e psikologjike që ka kapluar të madh e të vogël, gegë e toskë, të djathtë e të majtë fillon me çelësin e artë, atributin e sovranit të vërtetë, padronëve të vërtetë, padronëve të përhershëm të këtij vendi, që jeni ju qytetarët e Kamzës dhe gjithë Shqipërisë. Vota e lirë është gjykimi, është instrumenti në dorën tuaj, ndaj padurimi juaj ka këtë emër, emrin e votës së lirë. Emri i padurimit tuaj është padurimi për të ndëshkuar me votë, në 21 qershor të keqen, për t’i dhënë mësimin e merituar dyshes Rama-Meta e për të hapur perspektivën e shpresës dhe besimit në të ardhmen tonë. Të bashkuar si asnjëherë janë shqiptarët sepse presin rrugëdalje të vërteta, zgjidhje të vërteta e të prekshme për mirëqenien e tyre, për sigurinë e tyre, për hallet e problemet e tyre të shumta të cilat i kanë bërë si asnjëherë tjetër, t’i drejtohen eksodit, kësaj alternative të dëshpërimit e të vrasjes së shpresës. Në 21 qershor, me votën tuaj, ne do të ndalim eksodin e shqiptarëve, do të ndalim largimin e shqiptarëve dhe do të nisim largimin, shporrjen e së keqes nga vendi që nis me largimin e qeverisë Rama-Meta”, theksoi z. Basha. 


Njoftim për shtyp e Partisë Demokratike, 5 Maj 2015