Në bilancin e punës së tij kandidati për Bashkinë e Tiranës Veliaj, tha se edhe Tirana meriton pjesën e vetë të Rilindjes.

Pasi guxoi të tallej një javë më parë me qytetarët shqiptarë duke u treguar se jashtë shtetit jetohet më mirë, sot guxon të tallet edhe me qytetarët e Tiranës duke u thënë se ata meritojnë një pjesë të Rilindjes.

Cilën pjesë të Rilindjes meritojnë?

Atë që prish shtëpitë dhe bizneset e ndërtuara me djersën e ballit, ndërkohë që kryeministri dhe deputetët e tij ndërtojnë saraje sipas qejfit.

Atë që u merr shtëpinë, por nuk paguan dritat siç bënë sot me ligjin që kaluan në parlament, apo ata që i fut në burg me këtë rast.

Atë që burgjet i ka mbushur me qytetarë të ndershëm shqiptarë, ndërkohë që qytetet i ka plotë me kriminelë që lëvizin lirshëm rrugës.

Cilën pjesë të Rilindjes meritojnë qytetarët e Tiranës?

Atë që nuk i hapi 300 mijë vende pune siç premtoi ministri, apo atë që rriti papunësinë në 18 përqind në vetëm 2 vjet, ku 34 përqind prej tyre janë të rinj shqiptarë.

Atë që largon bizneset e huaja nga Shqipëria, apo atë që u rrit çmimin e dritave, naftës dhe ushqimeve qytetarëve shqiptarë.

Atë që nuk krijon mundësi punësimi, por që heq nga skema e ndihmës ekonomike mbi 20 mijë familje të varfra shqiptare.

Atë që kandidati Veliaj del në foto me Pamelën e vogël në Lezhë, por që pas fushate e lë të vdesë nga i ftohti dhe nga skamja, apo atë pjesë të Rilindjes ku ministri del në foto me fëmijën rom, por mijëra të tjerë të këtij komuniteti i ka në gjendje të mjerueshme jashtë kamerave.

Apo atë ku kandidati Veliaj vë alarmin në mbarë botën dhe Europën për përrallën e Griseldës në Kavajë, por qytetarin shqiptar në ambulancë e lë të dergjet buzë rruge?

Apo atë ku shqiptarët nuk kanë as bukë, as punë, ndërkohë që vetë ministri e miqtë e tij pasurohen në kurriz të taksapaguesve shqiptarë dhe të ministrisë së mirëqënies personale.

Jo. Tirana nuk e meriton në mënyrë absolute pjesën e vetë të rilindjes. As shqiptarët nuk e meritojnë, ndaj boll u tallën me shqiptarët në 2 vite duke u ofruar atyre përrallën e rilindjes. Tirana nuk ka nevojë as për ministrin e rilindjes që bilancin më pozitiv në 2 vjet ka vetëm fotot që nxjerr në facebook dhe propagandën e reklamave në media, gjë që në fund të ditës nuk u jep as bukë, as punë, as dinjitet, qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, 30 Prill 2015