Kandidati Kosova pohoi se në Tiranë është 1/3 e Prodhimit të Brendshëm Bruto ndaj vëmendja e qeverisë dhe e pushtetit lokal duhet të jetë këtu, duke shprehur bindjen se mund të bëhet shumë për nxitjen e sipërmarrjes dhe punësimit.

Kandidati për kryetar Bashkie të Tiranës, Halim Kosova, u takua sot me tregtarët e fruta perimeve dhe tregut elektrik pranë Shkollës së Baletit dhe dëgjoi nga afër problemet dhe kërkesat e tyre. Tregtarët shprehën shqetësimin për rënie e fuqisë blerësë dhe të mbylljes në masë të biznese.

“Kjo gjë është e dukshme për vetë faktin se ditë për ditë në QKR, minimalja, mbyllen 30 biznese ditë për ditë, që do të thotë 1.000 biznese në muaj. Në vit i thonë 12.000 biznese, 30.000 janë gjithë e gjithë”, tha një tregtar.

Kandidati Kosova u tha tregtarëve se do të bëjë të pamundurën që shqetësimet e biznesit të jenë pjesë e programit të tij. Z.Kosova pohoi se në Tiranë është 1/3 e prodhimit të brendshëm bruto ndaj vëmendja e qeverisë dhe e pushtetit lokal duhet të jetë këtu, duke shprehur bindjen se mund të bëhet shumë për nxitjen e sipërmarrjes dhe punësimit.  Ai u angazhua për një menaxhim me transparencë të taksave të tregtareve, që ky kontribut atyre t’u kthehet në shërbime.

“Ajo që është e rëndësishme është që njerëzit duhet ta shohin në realitet atë që paguajnë, sadopak. Ajo duhet ti kthehet në një të mirë. Në qoftëse ti i jep, shkatërrohesh. Ti i jep, më keq. I jep prapë, më keq. Atëherë krijohet një ide sikur po jap po s’po shkon në drejtimin e duhur ajo që jap. Kjo është shumë e rëndësishme , që njerëzit të binden për ato që paguajnë”, tha Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27 Prill 2015