Pasi guxoi të tallej me qytetarët shqiptarë para një jave, ministri i Mirëqënies Sociale, tashmë siç e njohin të gjithë ministri i mirëqënies personale, duke thënë se shqiptarët ikin jashtë se jetohet më mirë, sot guxoi të tallet përsëri.

Guxoi  duke i thënë qytetarëve shqiptarë dhe mbi gjitha të rinjëve shqiptarë hajdeni,  dynduni në Pallatin e Kongreseve, se ka 5 mijë vende pune për të tërë.

Këto janë thjeshtë mashtrime të rradhës, mashtrime që nuk i japin asgjë qytetarëve shqiptarë, që nuk ndihmojnë të ardhmen e tyre, këto janë mashtrime që nuk i ndihmojnë në punësimin e tyre.

Por kjo e sotmja është në vazhdën e të gjitha padrejtësive që kjo ministri, kjo qeveri i ka bërë qytetarëve shqiptarë. Sot shqiptarët janë më pak të punësuar se më parë. Këtë e tregojnë shifrat e INSTAT-it, shifrat zyrtare ku numri i papunësisë është rritur deri në 18 % dhe 34% nga këta janë të rinj.

E tregojnë shifrat e sigurimeve shoqërore të cilat kanë rënë me 3.4 % për vitin e kaluar. Kjo tregon që shqiptarët nuk punësohen, sepse nqse nuk punësohen, nuk paguajnë as sigurime shoqërore. Ministri sot guxon e tallet dhe i thotë që kemi mbyllur marrëveshjet me pensionet për Gjermaninë.

Shqiptarët sot nuk duan pensione, shqiptarët sot duan punë, shqiptarët sot duan një ministër që të punojë për mirëqënien e tyre dhe jo t’i çojë ata në emigracion.

Shqiptarët sot duan një kryeministër që të rrijë në Shqipëri dhe të punojë, jo një kryeministër që të udhëtojë sa nga Gjermania e si sot në Turqi, një kryeministër turist i një populli në eksod.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29 Prill 2015