Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatët për kryetar bashkie në Elbasan z.Ardian Turku, në Prrenjas z. Bajazit Karriqi dhe në Librazhd z.Fadil Brazhda.

Në Elbasan z. Basha u prit nga qytetarët të cilët donin t’i tregonin në prani të mediave shqetësimet e tyre të mëdha. Një qytetare i tha z.Basha se u detyrua të hiqte vajzën nga fakulteti pasi nuk kishte mundësi ekonomike sepse e kishin hequr nga puna. Një zonjë shprehu shqetësimin për pamundësinë për të siguruar bukën e gojës dhe se askush nuk i dëgjonte shqetësimet e tyre.

Qytetare: Kam punuar 7 vjet. Kam 5 muaj pa punë. Kam blerë me listë, verifikojeni. Hoqa gocën nga shkolla se e kam në shkollë të lartë dhe e kam në shtëpi.

Banore: Jam pensioniste. Marr 136 mijë lekë. Burri pa punë, çuni 33 vjeç pa punë, çuni 28 vjeç pa punë, çuni 25 vjeç pa punë. Dy nuse në shpi po hajmë dynjanë. Po zihemi për koren e bukës, po vritemi.

Banore:  E kam litarin në fyt. Një herë tentova të pi helm, më shpëtoi policia. Këtë herë do ta pi para bashkisë. Kam 3 vjet qe vuaj nga tumori në gjoks. Jam mbytur në borxhe. Frigorifer s’kam, gjë s’kam, 70 mijë lekë drita me vijnë. Më datë 14 kisha marrëveshjen me pagu 10 mijë lekë, ata me 14 në mëngjes erdhën dhe mi prenë dritat.

Kryetari i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të majtë e të djathtë të bashkohen dhe të refuzojnë me votën e tyre politikën e nënshtrimit,  varfërimit, arrogancës që ka çuar qytetarët në kufijtë e mbijetesës, ndërsa qeveritarët pasurohen çdo ditë.

“Vota e 21 qershorit do të jetë akti më i madh i bashkimit të shqiptarëve, të djathtë e të majtë, edhe pse mund të mos ndajmë bindjet politike, edhe pse mund të jemi krejt të ndryshëm në pikëpamjet tona ideologjike, na bashkon mjerimi që ka kapluar vendin për shkak të politikës së mbrapshtë të Edi Ramës dhe Ilir Metës, na bashkon shqetësimi për t’u shkëputur nga politika e varfërimit, e lakut në fyt, e rripit që shtrëngohet, na bashkon dëshira për t’i shërbyer sa më mirë familjeve dhe fëmijëve tanë”, tha Basha.

Ai theksoi se populli është zhytur në varfëri dhe mjerim ndërsa kryeministri viziton fabrikat e Mercedes Benz-it në Gjermani, hap ekspozita pikture dhe për të vetmen gjë që nuk interesohet janë qytetarët shqiptarë që emigrojnë në të njëjtin qytet ku turisti kryeministër zhvillon vizita lluksi.

“Nuk iu rrihet këtu në Shqipëri nuk e shohin dot, nuk e ndjejnë dot dhimbjen e shqiptarëve si kryeministri turist që çdo fundjavë shkon dhe hap ekspozitat e tij nga Roma në Berlin, i fut dhe një të vizituar muzeut të Mercedes Benz-it në të njëjtin qytet, ku në të njëjtën ditë dhjetra shqiptarë përfundojnë si refugjatë”.

Koha e zullumit dhe regjimit të zullumit ka filluar numërimin mbrapsht, theksoi z.Basha, pasi shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për të marrë në dorë fatin e tyre.

“Më 21 qershor e keni ju në dorë qe ta merrni këtë fat dhe t’ia besoni atyre që do të japin përgjegjësi para jush, që do ta ndjejnë dhimbjen tuaj, do ta prekin atë dhe bashkë me ju do të kërkojnë rrugët e zgjidhjes. Rrugët e zgjidhjes që do të kalojnë me Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare nga ulja e mëtejshme e taksave, nga ulja e çmimit të energjisë, nga ulja e çmimit të karburantit, rritja e pensioneve dhe e rrogave“.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27 Prill 2015