Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi z.Ernst Reichel, Drejtor për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, të cilin e njohu me shqetësimin e thellë që po kalon vendi për depërtimin e krimit deri në nivelet më të larta të administratës dhe Parlamentit.

Duke e informuar për situatën në vend, Basha u ndal tek akuzat e rënda që janë bërë ndaj Kryetarit të Parlamentit si porositës i vrasjes së dy deputetëve, nga vetë radhët e mazhorancës.

Basha tha se për këtë ngjarje të rëndë është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të plotë të besueshëm e të gjithanshëm. Një hetim i tillë është i pamundur sa kohë që subjekti i hetimit mban dhe ushtron pushtetin e numrit 2 në vend.

Dorëheqja e Ilir Metës nga posti Kryetari i Parlamentit është një parakusht për një hetim të besueshëm.

Përpjekjet e Mertës, Ramës e Tahirit për ta mbajtur të fshehtë për më shumë se 6 muaj denoncimin për vrasjen me pagesë të dy deputetëve nga kryetari i parlamentit, trysnia që i ushtrohet prokurorisë përmes deklaratave të kryeminsitrit, kryetarit të kuvendit e ministrit të brendshëm, që synojnë ta çojnë hetimin në hullinë e paracaktuar prej tyre, përpjekja e kryetarit të Kuvendit për t’ia faturuar këtë ngjarje kriminale opozitës, si dhe dekonspirimi i vazhdueshëm në media i procesit hetimor, tregojnë se Rama-Meta-Tahiri po bashkëpunojnë ngushtë për të shkatërruar mundësinë e një hetimi të besueshëm të ngjarjes.

Mungesa e një hetimi të besueshëm do të ketë pasoja të rënda për besueshmërinë e institucioneve dhe stabilitetin politik e social në vend, theksoi Basha.

Kjo nuk është vetëm një kërkesë e opozitës, por e mbarë popullit, vuri në dukje Basha, që është ngritur në protesta masive duke ngritur zërin për një hetim të plotë e të paanshëm, parakusht i të cilit është largimi i Ilir Metës nga posti i numrit 2 të vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se zhvillimet e fundit e kanë bërë edhe më urgjent dekriminalizimin e politikës, dhe shprehu vendosmërinë e Partisë Demokratike për ta çuar këtë kauzë deri në fund.

Nuk mund të ketë ecje përpara dhe integrim të Shqipërisë, tha Basha, derisa krimi të largohet nga qeverisja e vendimmarrja.

Njoftim për shtyp, 15 Mars 2015