Qëllimi i platformës është dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarura si dhe i administratës publike. Objektivi i kësaj platforme është hartimi dhe miratimi i instrumentave kushtetues dhe ligjor për verifikimin, identifikimin, largimin nga funksioni i deputetit, i të zgjedhurve vendorë, e çdo zyrtari të emëruar në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore apo të administratës publike, të atyre që janë sot në detyrë, apo atyre që në të ardhmen do të kërkojnë të marrin funksione si të zgjedhur apo të emëruar.

Partia Demokratike ka prezantuar sot platformën për dekriminalizimin e Kuvendit, institucioneve dhe administratës publike. Deputetët Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi dhe Gent Strazimiri, paraqitën para medias objektivin, qëllimet dhe mënyrën se si do të funksionojë kjo platformë, amendimet ligjore e kushtetuese që synojnë dekriminalizimin.

Oerd Bylykbashi: Në vijim të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe asaj që deklaroi në përfundim të mbledhjes kryetari i PD, ne sot jemi këtu si anëtarë të komisionit për zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit të parlamentit shqiptar dhe mbi të gjitha për dekriminalizimin e parlamentit, për të paraqitur atë që Partia Demokratike shpall si platformë për dekriminalizimin e Kuvendit, institucioneve dhe administratës publike. Qëllimi i platformës është dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarura si dhe i administratës publike. Objektivi i kësaj platforme është hartimi dhe miratimi i instrumentave kushtetues dhe ligjor për verifikimin, identifikimin, largimin nga funksioni i deputetit i të zgjedhurve vendor, e çdo zyrtari të emëruar në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore apo të administratës publike, të atyre që janë sot në detyrë, apo i atyre që në të ardhmen do të kërkojnë të marrin funksione si të zgjedhur apo të emëruar. Platforma e Partisë Demokratike për dekriminalizimin do të synojë të vendosë rregullat më të forta dhe më të ashpra për këtë problem kaq të madh e të rëndë që përballet shoqëria shqiptare, kriminalizimin në nivelet më të larta të politikës dhe të institucioneve. Këtë do ta bëjmë bazuar në modelet më të forta dhe më të spikatura europiane dhe botërore siç janë shembujt e Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, Australisë por edhe rasteve të tjera, dhe në çdo rast, e mbështetur kjo në jurisprudencën më të mirë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me këto çështje. Problematika shqiptare është shpesh herë e pakrahasueshme me atë që janë përballur të tjerët, por janë disa shembuj të jashtzakonshëm që ne, do të na japin mundësinë të fusim instrumentat më të fortë për të përballur problemin. Ndërhyrja do të jetë imediate duke ndërhyrë drejtpërdrejt në Kushtetutë për të trajtuar problemin e zyrtarëve, e deputetëve apo personave të tjerë të emëruar, të cilët kanë rekorde të rënda kriminale, rekorde të tmerrshme që shqiptarët i bëjnë të dridhen kur mendojnë që në krye të institucioneve më të larta mund të kenë zyrtarë të cilët kanë në CV-në e tyre vepra penale të kryera dhe dënime të rënda. Do të përdoren në rekordet kriminale jo vetëm dënimet në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë pa përjashtim, në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj mundësie që në të ardhmen duke filluar nga tani, persona të tillë të mund të penetrojnë në administratë dhe në organet më të larta të shtetit shqiptar. Në platformën që paraqet Partia Demokratike sot, sigurisht do të trajtohet me prioritet të lartë rasti i krimit të organizuar, vepra penale të lidhura me krimin e organizuar, për të cilën PD do të propozojë masa të rrepta që do të çojnë deri në përjashtimin përjetë nga e drejta për të kandiduar apo për t’u emëruar në detyra, apo funksione të zgjedhura, përfshirë edhe Parlamentin e Shqipërisë. Askush, asnjë shqiptar nuk mund të pranojë që dikush që është i përfshirë në krim të organizuar të jetë përfaqësues i tij, dhe PD është e gatshme që nga ky moment e tutje, kjo histori të jetë e mbyllur një herë e mirë. Sigurisht që në paketën që do të prezantojmë duke filluar ditën e mërkurë kur thirret mbledhja e radhës e Komisionit të Dekriminalizimin, ne do të prezantojmë edhe amendamentet kushtetues për të trajtuar situatën aktuale në Parlamentin e Shqipërisë, dhe në këtë paketë mbi bazën e platformës do të fusim edhe instrumentat dhe procedurat  e nevojshme, efikase, për identifikimin e rasteve me rekorde kriminale dhe procedurat për largimin apo ndërpretjen e mandatit për këta persona. Sigurisht, këta persona do të kenë detyrimin mbi të dhënat e tyre ose mospasjen e rekordeve  kriminale, me përgjegjësi penale. Platforma që paraqet PD do të jetë e gjithanshme në trajtimin e çështjes, do të ndërhyet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me amendamente që do të kenë vlerë të përhershme, që do të bëjnë të mundur që persona të dënuar, të humbasin funksionin, apo të mos kenë të drejtën të kandidojnë në të ardhmen dhe gjithashtu do të ndërhyhet në legjislacionet e tjera me shumicë të cilësuar duke përfshirë Kodin Zgjedhor, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, dhe nëse është e nevojshme edhe në legjislacione të tjera që rregullojnë administratën publike e më tej. Besoj që në përfundim të punës së komisionit mbi bazën e kësaj platforme nuk do të ketë më shteg ligjor apo arsye që të ndodhë më, ajo që Edi Rama dhe Ilir Meta bën pas datës 23 qershor, kriminalizimin e politikës dhe administratës publike në nivele të papranueshme jo vetëm për shqiptarët por tashmë edhe në nivel ndërkombëtar.

-Z. Bylykbashi, amendamenti kushtetues që ju do prezantoni është për ndërprerjen e mandateve aktuale të deputetve e para dhe e dyta sa kushtetues është ky amendament kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur se ndërprerja e mandateve, përshembull për anëtarët e Gjykatës së Lartë, apo Kushtetuese në rastin e Ligjit të lustracionit ishte antikushtetues?

Oerd Bylykbashi: Ne, siç e thashë, do të bëjmë një propozim të një amendamenti në Kushtetutë, i cili, bazuar në praktikën e shteteve të tjera, siç është rasti i Shteteve të Bashkuara, që me një ndryshim kushtetues, ka vënë kufinj për persona të cilët janë dënuar më parë, për të pasur mundësinë e kandidimit. Duke u bazuar në këto praktika, ne do të ndërhyjmë për të ndërprerë mandatin nga momenti që verifikohet ekzistenca e rekordit kriminal për persona të cilët janë në Parlament. Eshtë ndryshim kushtetues dhe si i tillë nuk është i trajtueshëm në atë nivel që ju sapo përmendët. Do të jetë një rregull kushtetues i cili do të aplikohet nga momenti që hyn në fuqi për të gjitha rastet që do të kapen nga mekanizmi verifikues që do të vendoset në Parlament, për persona të cilët janë në Parlament dhe do të verifikohen që kanë rekorde kriminale në të shkuarën e për rrjedhojë, mbi bazën e këtij amendamenti tranzitor në kushtetutë, ata do të humbin mandatin. Më pas, sigurisht problemi është i këtyre individëve që nëse këta kanë diçka për t’u thënë shqiptarëve dhe duan të justifukojnë rekordin e tyre kriminal, problemin e kanë ata, por Kushtetuta në synimin tonë, do të ndalojë menjëherë vazhdimin e funksionit të tyre në Parlamentin e Shqipërisë.

-A keni verifikuar se nga ana e Partisë Socialiste ka vullnet politik për të miratuar amnadamentet tuaja?

Eduard Halimi: Në fakt sensibilizimi dhe sjellja në qendër të vëmendjes të Parlamentit Europian të këtij fenomeni, pra të kriminalizimit të Parlamentit dhe Administratës Publike, dhe angazhimi i Parlamentit Europian për të detyruar këtë maxhorancë që të prishë këtë kontratë që ka me krimin, sigurisht që është e qartë për të gjithë qytetarët shqiptarë, që është një fitore e aksonit opozitar të këtyre muajve, por që në mënyrë të padiskutueshme ngelet i vështirë si process, por ama është fondamental për gjithë aksionin opozitar dhe është fondamental për demokracinë në vend. Dekriminalizimi i Parlamentit dhe Administratës Publike dhe largimi i menjëhershëm i të gjithë atyre individëve që ndodhen në Parlament apo në Administratë, sigurisht që nuk merr sot përgjigje në mënyrë përfundimtare sepse para së gjithash dhe mbi të gjitha, ky proces kaq i vështirë dhe kaq fundamental nuk është vetëm çështje normash dhe ligjesh, por është para së gjithash dhe mbi të gjitha, një vullnet i padiskutueshëm që duhet të ekzistojë tek të gjitha partitë politike dhe sidomos tek kryetarët e partive politike. Ajo që ne sot, ajo që prezantoi z. Bylykbashi, është një tërësi normash juridike të cilat përfshijnë ndryshime në Kushtetutë, ndryshime në disa ligje të tjera të cilat kanë si element dy faktorë. E para tregojnë se vullneti i opozitës për këtë proces është fundamental, është i  hekurt, dhe në rradhë të dytë i japin mundësi mazhorancës që ajo të japë opsionet e veta. Ne nuk ia imponojmë askujt që drafti që ne paraqesim, është zgjidhja e vetme. Detajet, teknikat, instrumentet janë të thjeshta, gjenden kollaj. Modele ka gjithandej, ka në vendet rreth e qark Shqipërisë, ka në BE, ka në vendet euroatlantike, por ajo që është mbi të gjitha e rëndësishme është vullneti i hekurt që duhet të ekzistojë tek forcat politike . Në rast se nuk ekziston ky vullnet, procesi do vazhdojë të ngelet i vështirë dhe i pamundur në mënyrë të padiskutueshme. Nëqoftëse ata nuk do të pranojnë këto amendamente, në mënyrë të padiskutueshme, do të përballen me opozitën, do të përballen me qytetarët shqiptarë. Ne tregojmë vizionin tonë, tregojmë vullnetin tonë të hekurt për të dekriminalizuar një orë e më parë Parlamentin dhe administratën publike. Pjesa tjetër sigurisht i ngelet mazhorancës për të shprehur vullnetin e tyre. Ajo që theksojmë ne dhe e theksoi edhe dje Kryetari i Partisë Demokratike është që ky proces do të vazhdojë pa asnjë kompromis. Procesi i dekriminalizimit aktual të Parlamentit dhe të Adminitratës aktuale është proces fundamental për të cilin Partia Demokratike nuk do të bëjë asnjë kompromis. Sigurisht që është po aq e rëndësishme dhe pjesa tjetër që ka të bëjë me Parlamentin e ardhshëm, në mënyrë që kushdo që të jetë në pushtet, kushdo që të ketë mundësi për të vendosur emrat për kandidatë për deputetë apo për kandidatë për zgjedhjet e ardhshme lokale, të mos ketë asnjë mundësi dhe asnjë alibi që në krye të tyre të vendosin individë me rekorde të tmerrshme kriminale. Për ata individë paguajnë qytetarët shqiptarë. Paguajnë nga taksat, nga gjaku, nga djersa e fëmijëve të tyre, dhe ne si opozitë po tregojmë sot vullnetin e hekurt që do ecim në këtë rrugë në mënyrë të padiskutueshme dhe pa asnjë kompromis.

Gent Strazimiri: Unë do doja të shtoja vetëm dy fjalë . Duke qenë se e shoh të pashmangshme të mos bëjmë një retrospektivë. Opozita është përfshirë në një betejë parlamentare dy vjeçare. Gjatë këtyre dy viteve, mjerisht, është konsideruar një opozitë pa kauzë, denoncimet e saj për rekorde kriminale dhe për kriminelë në Parlament dhe në Administratën Publike, janë konsideruar dhunë verbale nga kryeministri aktual dhe krerët e maxhorancës. Më tej, bëri një hap prapa, bëri që të fshihej pas faktit që nuk ka pasur instrumentat ligjor të duhur për ta bërë një verifikim të tillë, ndërkohë që sot kjo është një kauzë e shoqërisë shqiptare, jo e opozitës, është një kauzë që ka përfshirë, siç e thanë edhe dy kolegët, Parlamentin Europian dhe të gjithë partnerët tanë euroatlantikë. Procesi është i pandalshëm. Sot në këtë kauzë, në të cilën është tërhequr zvarrë edhe qeveria, e vetmja gjë që i mbetet të vërtetojë për suksesin e saj, është vullneti politik. Të gjitha çfarë janë në dorë të opozitës sot, përfundimisht edhe me këtë akt, ne po i bëjmë. Vullnetin politik të maxhorancës, të Kryeministrit dhekrerëve të saj, sigurisht nuk e ka në dorë opozita. Nëse ata nuk kanë vullnetin politik për t’i dhënë zgjidhjen e duhur kësaj kauze tashmë të shqiptarëve dhe të partnerëve euroatlantik, sigurisht që zgjidhja do të jetë politike.


Njoftim për shtyp, 23 Mars 2015