Departamenti për ish-të përndjekurit në Partinë Demokratike organizoi dje një takim të zgjeruar në Korçë me shoqata dhe grupime, ku u diskutua për pjesmarrjen në politikëbërje të përfaqësuesve dhe familjarëve të kësaj kategorie.

Mbi 400 pjesmarrës në këtë takim, dolën në konkluzionin mbi domosdoshmërinë e angazhimit aktiv të ish-të përndjekurve në këto momente kritike për vendin.

Në këtë konferencë rajonale, u bashkuan Unioni Mbarëkombetar i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik, të gjithë organizatat e të përndjekurve dhe shoqatat anti-komuniste.

Ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre të Korcës, Pogradecit, Devollit dhe Ersekës ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën e bashkimit në prag të zgjedhjeve lokale, dhe duke marrë parasysh zhvillimet e rënda politike, të krizës së gjithanshme ekonomike, të inkriminimit të politikës dhe qeverisjes si dhe të mungesës së perspektivës për këtë shtresë të shoqërisë me qeverisjen aktuale.

Duke u ndalur tek nevoja e lustracionit, proces i nisur nga Partia Demokratike në vitin 2009, ish-të përndjekurit u shprehën se nuk mund t’i hapin dosjet, ata që i krijuan dosjet.

Partia Demokratike mbetet e vendosur në mbështetje të procesit të lustracionit, por jo me pseudo-ligje të kësaj mazhorance, por me mekanizmin e duhur që garanton transparencë të plotë e të thellë.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike u angazhuan për të thelluar aleancën dhe bashkëpunimin me ish-të përndjekurit, të cilët janë pjesë thelbësore e vlerave që ndajnë demokratët, për lirinë, demokracinë e të drejtat e njeriut.

Ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre kanë qënë, janë dhe do të jenë edhe më shumë pjesë e aksionit dhe platformës së Partisë Demokratike.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Mars 2015