Gjatë vizitës në Berlin, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me nënkryetarët e grupit parlamentar të CDU/CSU Franz Josef Jung  (CDU),  Hans Peter Friedrich (CSU).

Kryetari Basha ka ndarë me drejtuesit e lartë të grupit parlamentar CDU/CSU shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike, të sigurisë dhe depërtimit të elementëve kriminalë, deri në nivelet më të larta të vendimmarjes në Shqipëri.

Skandali i fundit ku kryetari i Kuvendit është i akuzuari kryesor nga deputeti i mazhorancës, njeriu më i afërt i kryeministrit Rama, se ka paguar për të vrarë dy deputetë është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në 25 vitet e fundit në Shqipëri. Po kaq e rëndë –  theksoi zoti Basha – është tentativa e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm për ta fshehur këtë ngjarje për gjashtë muaj më radhë. Në vend që t’i drejtohej drejtësisë, ministri i Brendshëm negocionte në zyrat e shtetit me të akuzuarin si ekzekutor i dy deputetëve.

Z.Basha ka theksuar se Partia Demokratike inkurajon hetimin e nisur nga prokuroria për këtë çështje por pa largimin nga posti i kryetarit të Kuvendit i të akuzuarit kryesor si porositës i vrasjes së deputetëve nuk mund të ketë një hetim të plotë dhe të pandikuar, në një kohë kur ka një angazhim të shtuar nga pushteti, për të penguar hetimin dhe për të fshehur të vërtetën.

Basha ka shprehur shqetësimin edhe për ngadalësimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Megakorrupsioni qeveritar dhe depërtimi i elementëve kriminalë në nivelet më të larta të administratës e deri në Kuvendin e Shqipërisë, kapja e institucioneve të pavarura, ka shënuar hapa pas në standardet që Shqipëria duhet të plotësojë drejt anëtarësimit në BE.

Pjesë e axhendës së takimeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Berlin ishte dhe takimi me drejtorin ekzekutiv të Komisionit të Lindjes të Ekonomisë Gjermane, z. Lindner,  presidentin e Dhomës së Tregtisë gjermano – shqiptare, z. Hans-Jürgen Müller, me drejtoreshën e projektit të fondacionit gjerman “Bashkërendimi ligjor ndërkombëtar”, për programin Euralius, znj. Nathalie Herbeck dhe me kryetarin e organizatës “Reporterët pa kufi”, z. Christian Mihr.

Kryetari Basha ka shprehur shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike dhe pasigurinë që ekziston për investitorët e huaj në Shqipëri. Pasiguria juridike, rritja e  kriminalitetit dhe atentatet me tritol kanë sjellë rënie të investitorëve, largim të atyre që operonin në Shqipëri, rritje të nivelit të papunësisë. Situata e rënduar ekonomike ka sjellë dhe rritje të numrit të emigrantëve nga Shqipëria të cilët sipas INSTAT, vetëm gjatë vitit 2014 llogariten në 46 mijë.

Me drejtoreshën e projektit të fondacionit gjerman “Bashkërendimi ligjor ndërkombëtar” për programin Euralius, znj.Nathalie Herbeck, kryetari i PD diskutoi për rëndësinë e reformës në drejtësi e cila duhet të jetë produkt i një vendimmarrjeje gjithpërfshirëse dhe konsensuale. Z.Basha ka theksuar se ka një tendencë të mazhorancës që reformat t’i përdorë për të përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e saj. Shqetësuese – theksoi zoti Basha – janë ndërhyrjet e kryeministrit, me kërcënimet e tij të rënda me telefon dhe njerëz të dërguar, ndaj gjykatësve dhe prokurorëve. Ndërsa ka falenderuar për asistencën e madhe që Euralius i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve e ka cilësuar të rëndësishëm vazhdimin e ndihmës, në mënyrë që rezultati i reformës në drejtësi të jetë në standardet europiane.

Një takim të veçantë kryetari i PD zhvilloi dhe me kryetarin e organizatës “Reporterët pa kufi”, z. Christian Mihr. Kreu i PD ndau shqetësimin me z.Mihr për cënimin e lirisë së medias në Shqipëri, favorizimin që u bëhet mediave pranë qeverisë dhe kërcënimet që u bëhen gazetarëve. Në një hark të shkurtër kohor, prej disa muajsh janë kërcënuar me jetë tre gazetarë të njohur investigativë që kanë denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin. Në mënyrë antiligjore, qeveria përqendroi në duart e saj dhe Agjencinë e Medias Audio-vizuale.

Kryetari i PD, Lulzim Basha sot ndodhet ne Bruksel ku po merr pjesë në samitin e Partisë Popullore Europiane. Situata aktuale politike në Shqipëri do të jetë në qendër të takimeve të z. Basha në këtë samit ku marrin pjesë kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të BE, kryetarët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker e drejtues të tjerë të institucioneve të Komisionit dhe Parlamentit Europian.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Mars 2015