Kryetari i Partisë Demokratike priti sot në një takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa i cili shoqërohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Hashim Thaçi si dhe  zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Kujtim Shala.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryetari Basha e vlerësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zoti Basha ka ritheksuar në këtë takim vendosmërinë dhe angazhimin e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, ekonomik, institucional, kulturor, tregtar, investimet e ndërsjellta dhe çdo masë tjetër harmonizuese në dobi të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve dhe integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Mustafa e falënderoi zotin Basha për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të vazhdueshëm të Partisë Demokratike në qeverisje dhe në opozitë për Kosovën, njohjen e plotë të pavarësisë së saj dhe përpjekjet për realizimin e projektit madhor të integrimit euroatlantik të Kosovës.

Në takim u vlerësua fakti që Republika e Kosovës është shndërruar në një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut dhe në një faktor stabiliteti e bashkëpunimi në rajon.

Z. Basha ka vlerësuar  progresin e rëndësishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte dhe marrëveshja e arritur për drejtësinë. Vijimi i mëtejshëm i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve në terren ka një rëndësi të madhe, si përsa i përket mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

Me shqetësim u diskutua dhe emigrimi masiv i qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo situatë është një detyrim edhe më i madh për dy vendet, – tha zoti Basha, – për të gjetur rrugët dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes e besimit të qytetarëve tek institucionet permes forcimit te shtetit ligjor dhe luftes pa kompromis kunder krimit te organizuar dhe korrupsionit.

Duke u ndalur në situatën në Shqipëri  kryetari i PD z.Lulzim Basha theksoi se  kapja e shtetit dhe promovimi i personave me precedent kriminal deri në nivelet më të larta të qeverisjes ka prodhuar pasiguri të lartë për jetën e qytetarëve. Ditët e fundit opinioni publik është tronditur nga akuzat që vijnë nga radhët e mazhorancës për skenarë me larje hesapesh dhe vrases te paguar që implikojnë drejtpërdrejt kreret e shumices. Kjo situatë dhe sjellja e mazhorancës në raport më të inkriminuarit por dhe me procedurat antiligjore dhe antidemokratike të ndërmarra prej saj në këtë një vit e gjysëm kanë sjelle  kthim pas në të gjitha reformat dhe standardet demokratike të arritura deri në këtë moment, rrënim të ekonomisë,rritje të varfërisë dhe pasigurisë, rritje galopante të korrupsionit dhe kanezhbërë besimin e qytetarëve për të ardhmen çka e dëshmon dhe niveli i shtuar i emigrimit dhe dëshirës për t’u larguar nga vendi.

Partia Demokratike mbetet thellësisht e vendosur për të çrrënjosur sëbashku me qytetarët shqiptarë këtë fenomen ogurzi të kapjes së institucioneve dhe të burimeve ekonomike nga oligarkia e krimit përfundoi  zoti Basha”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Mars 2015