Parlamenti Europian dhe Bashkimi Europian mbështesin iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e politikës shqiptare.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë i ftuar nga Grupi Paneuropian i Parlamentit Europian në konferencën me temë “Zhbërja e standardeve demokratike dhe sfidat e Shqipërisë në integrimin europian”.

Lideri i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha ka folur në Strasburg për një sërë shqetësimesh aktuale me të cilat përballet aktualisht vendi. Shqetësimet për situatën politike në Shqipëri dhe domosdoshmërinë e procesit të dekriminalizimit, zoti Basha i ndau edhe në takimet e zhvilluara me Komisionerin për Politikë Fqinjësore Europiane dhe Negociata për Zgjerim, Johanes Hahn dhe eurodeputët e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian. Zoti Basha ka theksuar se akuzat e hedhura në gjirin e mazhorancës për skenarë vrasjesh dhe larje hesapesh kanë tronditur thellë jo vetëm Parlamentin Europian, por edhe institucionet e tjera europiane, të cilat mbështesin pa hezitim dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare.

“Në konferencë dhe në takimet që kam patur u diskutua për shqetësimin e madh të Bashkimit Europian për zhbërjen e standardeve demokratike në Shqipëri. Për zhbërjen e shtetit ligjor, goditjen e vendimeve të gjykatave, kapjen e institucioneve të pavarura, klimën jo konstruktive që shumica ka krijuar në raport me opozitën, goditjen e të drejtave të njeriut e shumë e shumë probleme të tjera me të cilat Shqipëria është ndeshur në këtë vit e gjysmë përsa i përket standardeve demokratike.  Por siç mund ta imagjinoni, vëmendja e bashkëbiseduesve,  e të gjithë europarlamentarëve dhe institucioneve të tjera, përfaqësues të tjerë të institucioneve të larta të Bashkimit Europian që kam takuar, është përqendruar thuajse tërësisht në zhvillimet dramatike në Shqipëri në 10 ditët e fundit.
Plasja e skandalit brenda mazhorancës, sipas të cilit prej gjashtë muajsh, kryetari i Kuvendit është i akuzuar për vrasjen e dy deputetëve me pagesë, ndërsa kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë përpjekur ta fshehin, ta mbajnë të fshehtë këtë ngjarje, si nga opinioni publik, ashtu edhe nga procesi i duhur ligjor, është një tronditje e thellë, dhe ka shkaktuar një tronditje të thellë në institucionet e Bashkimit Europian, tek europarlamentarët, tek përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Janë këto institucione që kanë dhënë mbështetje për dekriminalizimin. Është Parlamenti Europian që u angazhua në fund të vitit të kaluar për dekriminalizimin dhe sot, këtu në Strasburg, në prani të këtyre institucioneve është theksuar nga bashkëfolësit e mi se nevoja për dekriminalizimin e politikës shqiptare është më akute se kurrë më parë. Kjo klimë, e paprecedentë, e penetrimit të krimit deri në kupolën e shtetit është shumë shqetësuese. Por nga ana tjetër është një mundësi e madhe, kanë theksuar bashkëfolësit në takimet që kam pasur me ta, bashkëbiseduesit, për të bërë një pastrim me rrënjë të politikës shqiptare nga krimi dhe lidhjet me krimin.

Ndaj kam gjetur mbështetje të plotë, mbështetje të jashtëzakonshme do të thoja, për iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin e politikës shqiptare, një mbështetje të fortë për aleancën e Partisë Demokratike me qytetarët shqiptarë, për t’i dhënë një mesazh të fortë qeverisjes Rama-Meta se kështu nuk ecet më përpara, se kështu nuk do të ecet më përpara. Se e vetmja rrugë për Shqipërinë drejt integrimit europian, drejt standardeve, drejt mirëqenies, është ndarja njëherë e përgjithmonë e politikës nga krimi. Dhe kjo nuk arrihet duke mbyllur hetimet shpejt e shpejt. Kjo arrihet duke i hapur hetimet, duke i treguar shqiptarëve me transparencë çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur, si ka ndodhur, cilat janë motivet e kësaj sjellje kriminale në gjirin e mazhorancës, duke vënë përgjegjësit para ligjit dhe duke dalë para shqiptarëve me një ofertë të re.” deklaroi kryetari i Partisë Demokratike në një prononcim për mediat në përfundim të konferencës dhe takimeve në Strasburg.

 


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Mars 2015