Partia Demokratike dhe qytetarët e vendit të vendosur për dekriminalizimin me çdo kusht.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  zhvilloi takime në Kancelarinë Federale, me Shefin e Kabinetit të Kancelares Merkel dhe Minister Federal për Çështje të Veçanta z.Peter Altmaier si dhe me Dr. Christoph Heusgen, Këshilltar për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë i Kancelares gjermane, ku ndau shqetësimin e thellë mbarëpopullor mbi situatën e rëndë të kriminalizimit të politikës, parlamentit dhe niveleve më të larta të administratës shqiptare, që kanë kulmuar me akuzën e bërë ndaj Kryetarit të Parlamentit për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, akuzë që ka ardhur nga brenda mazhorancës.

Basha i njohu dy zyrtarët e lartë të qeverisë gjermane me përpjekjet që po bëhen nga pushteti për të penguar hetimin, e për të fshehur të vërtetën, mbi çështjen më të mprehtë të 25 viteve të fundit.

Kërkesa e opozitës dhe e mbarë qytetarëve, tha Basha, është dorëheqja e kryetarit të kuvendit nga posti i tij, për t’i hapur rrugën një hetimi të drejtë e të plotë, të painfluencuar nga pushteti.

Kryetari i opozitës i njohu zyrtarët e lartë gjermanë me faktet që kanë tronditur opinionin publik, të implikimit të zyrtarëve më të lartë në fshehjen e ngjarjes dhe në manipulimin e procesit hetimor përmes presioneve të vazhdueshme ndaj prokurorisë, dekonsiprimin e dëshmive dhe kapjen e  dëshmitarëve kyç nga qeveria.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu angazhimin e opozitës për ta çuar deri në fund dekriminalizimin e politikës dhe për ta çliruar vendin nga sundimi i krimit në pushtet.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Mars 2015