Të rinjtë e Partisë Demokratike u nisën sërish këtë të dielë pranë zonave të përmbytura në Jug të vendit për të shpërndarë ndihma për familjet në nevojë. Ndalesa e tyre ishte Novosela në Vlorë, një nga fshatrat me situatën më dramatike. Ata shpërndanë ndihma ushqimore, ujë të pijshëm, dhjetra krevatë portativë si dhe bazë ushqimore për bagëtinë. Kryetari i Partisë Demokratike të Vlorës Moisi Meminaj falenderoi të rinjtë për kontributin e tyre ndërsa shtoi se ndihmat po u shpërndahen familjeve më nevojtare.

“Sot shpërndamë 150 dëngje bari si dhe 55 pako ushqimore për familjet e përmbytura në Novoselë. Këto janë një kontribut i të rinjve të Partisë Demokratike të cilët bashkë me demokratët e kanë bërë standard që ka dhe do të ketë ndihma në çdo moment për familjet në nevojë. Ndihmat po shpërndahen për të gjithë pa dallim bindjeve politike dhe jo si qeveria që ka shpërndarë ndihma për të vetët.”, tha Meminaj.

Ndihmat ushqimore u shpërndanë për banorët nga vetë të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Është hera e tretë që të rinjtë po shpërndajnë ndihma në zonat e përmbytura.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 15 Shkurt 2015