Kryetari i Partisë Demokratike u takua në mbrëmje me strukturat e degës së Lushnjes: “Ne nuk i braktisim njerëzit, dhe nuk mund ti braktisim njerëzit. Kemi detyrën dhe detyrimin të jemi shpresa e tyre. Tu japim shpresë dhe tu japim forcë. E keqja nuk mund të mbijetojë. Ne do të përballemi me të keqen siç jemi përballur gjithmonë”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot në mbrëmje me strukturat e Partisë Demokratike të Lushnjes. Basha u shpreh para demokratëve lushnjarë se Partia Demokratike po ringrihet duke kërkuar vlerat dhe njerëzit e vlerave.

“Ky është një sistem i cili mund dhe duhet të funksionojë vetëm në bazë të vlerave më të mira të qytetarisë dhe është në antagonizëm të plotë, deri në armiqësi, me sistemin e antivlerave që ka ngritur kundërshtari. Me sistemin e diplomave falco, e diplomave të blera, me sistemin e dallkaukëve, të sekserëve e deri të kriminelëve të emëruar në administratë dhe të veshur me pushtet”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike pohoi se një vit e gjysëm pas ardhjes në pushtet të dyshes Rama-Meta, vendi është katandisur me rend të shthurur, me kriminalitet që hedh valle dhe godet ditë për ditë shtëpitë, pronat dhe jetën e qytetarve.

“Po të shohim statistikat , po të pyesim njerëzit në lagjet e qytetit, komunat dhe jo vetëm këtu por nga Saranda, në Lezhë, në Shkodër, nga Korça në Durrës numri i vjedhjeve është rritur frikshëm. Vidhen banesa, vidhen automjete, nëpër komuna vidhet gjë e gjallë, vidhen orenditë, grabitje me apo pa armë, me apo pa maska. Kësaj i shtohet edhe krimi i organizuar, i cili çdo javë godet o me grabitje, o me tritol, ose bëhet shkak për lajme tashmë jo vetëm shqiptare por ballkanike dhe europiane të trafikut të drogës”, deklaroi Basha.

Ai shtoi se nga ana tjetër kemi një polici e cila në rastin më të mirë është e paaftë të luftojë krimin, apo me një polici e cila barbarisht keqtrajton qytetarët se i grricën makinën bashibozukut të sigurimit të shtetit.

Kjo nuk është lajthitje, tha Basha, kjo nuk është politikë e gabuar. Kjo është bashkjetesë me krimin. Kjo ndodh jo se ka neglizhencë por se ka ortakëri me krimin. Dhe siç është ajo shprehja jonë shqiptare jep 5 lekë të futesh në valle dhe jep 50 dhe nuk del dot, as me 500 dhe as me 5 mijë. Nuk del dot nga vallja Edi Rama, nuk del dot nga vallja Saimir Tahiri, nuk del dot nga vallja Ilir Meta. Valle e vështirë kjo. E hedhin mjeshtrat këtë valle. E hedh Hakmarrja, e hedh Aldo Bare nga qelitë. Këta janë ortakët e tyre. Dhe gjynahet më pas janë në kurris të shqiptarëve, janë në kurrz të lushnjarëve, janë në kurriz të papunëve, sipërmarrësve, fermerëve, më të pamundurve të cilët vuajnë ditë për ditë me mungesën e rendit dhe sigurisë, të cilët janë në terror të tritolit dhe bandave që bëjnë luftë të hapur me njëri tjetrin se për policinë nuk pyesin më.

Basha tha se detyra e demokratëve është të qnëdrojnë pranë qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre në kushtet kur ata janë braksitur në cdo drejtim nga qeveria. Nuk ka detyrë më të rëndësishme sot se sa të rrijmë afër qytetarit, evidentoi Basha.

“Ne nuk i braktisim njerëzit, dhe nuk mund ti braktisim njerëzit. Kemi detyrën dhe detyrimin të jemi shpresa e tyre. Tu japim shpresë dhe tu japim forcë. E keqja nuk mund të mbijetojë. Ne do të përballemi me të keqen siç jemi përballur gjithmonë”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës tha gjithashtu se Partia Demokratike do të kompensojë qytetarët për çdo ndërtim të prishur në kundërshtim me ligjin, si dhe do të sekuestrojë pasuritë e paligjshme të qeveritarëve.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24 Shkurt 2015