Vetëvrasjet për energjinë elektrike  janë një akuzë për qeverinë. Të burgosurit, të poshtëruarit, të munduarit për këtë shkak akuzojnë qeverinë. Edhe qytetarët që mund të mos kenë probleme për të paguar energjinë, por që nuk mund të mos e ndjejnë në palcë dramën e të vobektëve, të miqve dhe fqinjve të tyre, akuzojnë qeverinë.

-U bë një muaj që kemi prezantuar amandamentet tona për uljen e çmimit të energjisë duke reduktuar me 14 përqind TVSH, siç premtoi Rama në fushatë. Edhe për çmimin e karburantit, përmes eleminimit prej 240 lekëve të vjetra apo 24 lekëve të reja, tatimit të shtuar mbi karburantet. Kanë një muaj që bëjnë shurdhin.

-Kjo qeveri nuk e vendos dot rendin, nuk e ndalon dot rrokullisjen e gjithë treguesve të zhvillimit, nuk e përmirëson dot gjendjen ekonomike dhe shoqërore në vend. Qeveria është në rrugën pa krye dhe për fat të keq edhe pa kthim të shurdhërisë dhe verbërisë.  Nuk dëgjon dhe nuk sheh përtej hundës së vet.

-Ne ndajmë, besojmë me shumicën dërrmuese të qytetarëve bindjen se kjo qeveri nuk është qeveria për të cilën u votua, se kjo qeveri e mbaroi para kohe, kohën e saj. Qyetarët kanë tagër ta çojnë në shtëpi një qeveri të dështuar në rrugën të gabuar.

Të nderuar deputetë,

Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Të nderuar aleatë

Një javë më parë, në takimin tonë të radhës theksova se ngjarjet e jashtëzakonshme në Shqipërinë e sotme janë  bërë kaq të përditshme sa mund të flasim me gojën plot për një gjendje të jashtëzakonshme, për një Republikë të dramave dhe tragjedive të përditshme njerëzore.

Shkak kryesor është qeverisja e gabuar dhe e dështuar Rama-Meta, varfëria mbytëse që solli kjo qeveri  nga jugu në veri të vendit, shtrëngimi i pamëshirshëm i lakut për mijëra e mijëra familje në vështirësi. Eshtë situata e shthurur dhe jashtë kontrollit e rendit publik, shdërrrimi  i policisë së shtetit në një bazë skuadronesh kundër qytetarëve dhe kundër rendit publik.

Eshtë arroganca, poshtërimi dhe pashpirtërsia e qeverisë dhe agjencive të saj, që vetëm kërkojnë, vetëm marrin, vetëm shqyejnë xhepat e qytetarëve dhe vetë qytetarët, dhe nuk japin në shkëmbim asgjë  konkrete që do të ndizte shpresën e tyre dhe do të përmirësonte realisht gjendjen e tyre, punësimin e tyre, rendin publik, shëndetësinë, arsimin, cilësinë e shërbimeve publike dhe të gjitha shërbimeve të tjera për të cilat është dhe duhet të jetë qeveria.

Asgjë nga këto. Tani, në përfundim të viti të tyre të dytë, e ashtuquajtura qeveri e rilindjes ka një koleksionon me shumicë tragjedish dhe skandalesh pa pauza.

Pardje një tjetër qytetar, një bashkëshort, një prind, Llazi  Nasi nga Vlora,  i dha fund jetës në kushte depresioni dhe vështirësie, pamundësie për të paguar faturën e  kripur të energjisë elektrike, në kushte poshtërimi prej zyrtarëvetë OSHEE-së, siç pohuan të afërmit e tij.

I kemi shprehur dhe i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes  dhe të afërmëve të të ndjerit. Jemi shumë të hidhëruar dhe të shqetësuar ndaj këtyre lloj reagimesh ndaj së keqes, nga qytetarët. U kemi bërë dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të kërkojnë mbështetje dhe asistencë ligjore nga institucionet, nga gjykatat, nga Partia Demokratike, nga opozita që ka mbështetur me mijëra raste, nga organizatat  e shoqërisë civile, nga shoqëria në tërësi.

U kemi bërë dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të mashtruar, të lënduar, të dëshmëruar, të zhgënjyer, të cënuar në dinjitetin e tyre, që është gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu, të përdorin lirinë e fituar, armën me të fuqishme të njeriut të lirë, të bashkohemi si një trup i vetëm në qëndrime dhe protesta për t’u berë barrikadë e pakapërcyeshme të së keqes, sepse e keqja nuk mund të jetë kurrë më e fortë se e drejta, sepse ka zgjidhje, ka rrugëdalje, ka perspektivë. Dorëzimi, nënshtrimi dhe aq më keq vetëvrasja nuk është rruga e zgjidhjes.

Kemi kërkuar e kërkojmë hetim të plotë nga organi i prokurorisë të shkaqeve që çuan në ketë tragjedi,  të mbifaturimit, të sorollatjeve dhe gjithë pretendimeve të tjera që kanë ngritur publikisht familiarët e të  ndjerit.

Kërkojmë të vihen para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që në shkelje të ligjit kanë ndikuar në vetvrasjen e qytetarit.

Për ne dhe për të gjithë njerëzit që kanë ndjeshmëri dhe një vizion human të botës, i ndjeri Llazi Nasi meriton plotësisht interesimin dhe reagimin tonë si individë. Por në tragjedinë e tij ai nuk është thjesht një individ, është më shumë. Eshtë  një  kategori, një fashë e  gjerë e shoqërisë shqiptare, është një komunitet i madh njerëzish  në vështirësi, që janë  vënë në shenjestër të operacionit qeveritar për mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë elektrike, ku kërkesat e ligjit ndërthuren selektivisht me paligjshmëri ekstreme, me diskriminim, me shurdhëri ekstreme, me arrogance ekstreme, me pashpirtësi ekstreme dhe me show mediatik të neveritshëm.

Nuk është ligji, por antiligji shkaku numër një i dëshpërimit që ka kapluar mijëra e mijëra shqiptarë për sa i përket çmimit, faturimit dhe mbifaturimit të energjisë elektrike, në lidhje me politikën e qeverisë për  energjinë.

Nuk është drejtësia, por padrejtësia e kryeministrit, e shtrirë si epidemi në gjithë piramidën e ekzekutivit, shkaku që njerëzit janë kaq të lënduar e kaq të revoltuar.

Ky është kryeministri që e ka për kënaqësi, për sport, të fyejë bashkatdhetarët e vet duke u nxjerrë përpara gogolin e burgut për gjithçka.

Ky është kryeministri që për të bërë spektakël dhe për të kënaqur deliret e tij ka mbushur dhomat e paraburgimit me njerëz të pafajshëm, që nuk duhet të ishin për asnjë çast në burg për çfarë kanë bërë apo çfarë dyshohet se kanë bërë.

Pardje, një banor nga fshati Gur i Zi i Shkodrës, Naim Dyli, u vu në pranga sepse rilidhi energjinë për t’i dhënë oksigjen dhe për të shpëtuar djalin e tij në krizë astme.

Rastet e sjelljes si hordhi të punonjësve të OSHEE, të frymëzuara nga pashpirtërtësia e kryeministrit, janë me dhjetra, janë me qindra, janë të përditshme. Nuk është e çuditshme që mes gjithë këtij lëndimi, dëshpërimi dhe zemërimi popullor hallkat e zinxhirit njerëzor këputen në pjesën më të dobët, aty ku goditja është e madhe dhe i godituri nuk mban më. Si rasti i Llazi Nasit  pardje, apo i Qamil Zelës  disa  javë më parë.

Nuk jemi ne që bëjmë politikë me të vdekur. E kemi refuzuar dhe e refuzojmë nekropolitikën. Por  vetvrasjet, për të cilat kemi ngritur zërin janë viktima të drejtpërdrejta të sjelljes dhe arrogancës qeveritare. Eshtë qeveria që bën politikën e shtrëngimit me taksa, tarifa dhe gjoba dërmuese për  masën e gjerë të qytetarëve. Kjo është qeveria që ka çuar e po çon në  zgrip të mbijetesës qindra mijëra shqiptarë. Kjo është qeveria që po u merr shpirtin shqiptarëve.

Në vend të respektit dhe etikës që duhet të mbizotërojë në  komunikimin e institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me qytetarët, qeveritarët tanë të parët dhe në shembullin e tyre militantët partiakë dhe kontigjentët e krimit në drejtimin e OSHEE dhe degëve të saj, shumica pa arsim
, ofrojnë  shpërfillje, arrogancë  deri edhe  rrugaçëri, duke i  trajtuar qytetarët si qënie pa dinjitet.

Ky është realiteti, kjo është e vërteta që bërtet në çdo cep të vendit, familje më familje, shtëpi më shtëpi. Vetvrasjet për energjinë elektrike  janë një akuzë për qeverinë. Të burgosurit, të poshtëruarit, të munduarit për këtë shkak akuzojnë qeverinë. Edhe qytetarët që mund të mos kenë probleme për të paguar energjinë, por që nuk mund të mos e ndjejnë në palcë dramën e të vobektëve, të miqve dhe fqinjve të tyre, akuzojnë qeverinë.

Opozita, Partia Demokratike akuzon qeverinë për gjithë pasojat dramatike që ka krijuar e pritet të thellojë në rrafshin ekonomik  dhe njerëzor në shumicën e familjeve shqiptare, politika e saj e papërgjegjshme dhe e pashpirt për energjinë.

Ne jemi shprehur qartë në favor të zbatimit të ligjit pa fushata, kemi dënuar e dënojmë vjedhjen e energjisë elektrike, por kemi kërkuar nga ana tjetër mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike,  mosheqjen e fashës për familjet me të ardhura modeste apo të pakta, faljen e kamatvonesave, mbështetjen reale të atyre që  jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme.

Ligji  në demokraci nuk mund të jetë kurrë nëse kjo kthehet në fatkeqësi për njerëzit, nuk mund të jetë kurrë ligji në kundërshtim me parimet themelore të humanzimit. Kërkesat tona mbështeten në këtë qëndrim në këtë mendësi.

Por si për çdo  kërkesë dhe propozim tjetër të opozitës  dhe qytetarëve, qeveria ka bërë veshin e shurdhër edhe për paketën tonë për energjinë dhe karburantet.

U bë një muaj që kemi prezantuar amandamentet tona për uljen e çmimit të energjisë duke reduktuar me 14 përqind TVSH, siç premtoi Rama në fushatë. Edhe për çmimin e karburantit, përmes eleminimit prej 240 lekëve të vjetra apo 24 lekëve të reja, tatimit të shtuar mbi karburantet. Kanë një muaj që bëjnë shurdhin.

Dua të përsëris sot për gjithë shqiptarët: Këto nuk janë thjesht kërkesa. Janë premtimi ynë, janë pjesë e programit tonë, që do ta vemë në jetë kur shqiptarët të na besojnë qeverisjen.

Njerëzit, qytetarët, nuk mund të pranojnë të qeverisen si të huaj dhe me keq se si të huaj në vendin e tyre. Nuk mund të pranojnë e nuk do të pranojmë një qeveri që u merr deri kacidhën e fundit, por nuk jep llogari për asgjë, që ka ngritur kundër tyre dajakun, dhunën e fëlliqur fizike dhe psikologjike.

A ka lidhje qeveria, a ka lidhje Edi Rama me rrahjen barbare të djalit korçar, Tomi Misha, nga  policia e ashtuquajtur e shtetit? Padyshim që po. Jo një lidhje të  tërthortë, por të drejtpërdrejtë. Policia  e dhunshme që godet qytetarët në një anë, por i rri gatitu krimit të organizuar në anën tjetër, është  pasqyra më e qartë e një qeverie e një kryeministri që sillet dhe synon të vendosë “de fakto” një regjim junte. Kjo qeveri ka zhbërë që ditën e parë të ardhjes në pushtet ligjin e policisë së shtetit dhe vetë policinë e shtetit, duke ndërtuar me shpejtësi në vend të saj, policinë e qeverisë, policinë private me uniformë shtetërore të Edit dhe të Saimirit.

Kjo qeveri ka zhbërë konceptin demokratik të policisë në komunitet, ka zhbërë arritjet e para të rëndësishme të policisë shqiptare në këtë rrafsh, duke  ndërtuar me shpejtësi një polici distante, të largët  dhe deri armiqësore me qytetarët, që nuk e ka për gjë t’i rrahë egërsisht për kundravajtjen me të vogël apo edhe fare pa shkak.

Në harkun e pak ditëve kemi patur tre raste të  dokumentuara dhe të filmuara të dhunës barbare  kundër qytetarëve nga skuadronet e horrave të policisë së Ramës dhe Tahirit. Po sa janë rastet që nuk dalin, sa janë rastet që nuk filmohen me zë dhe me figurë, që mbahen të fshehta?  Me dhjetra, me qindra.

Këto nuk janë më lajthitje të tre shefave këtu dhe dy policëve atje. Kjo është frymë. Kjo është frymë  që zbret nga lart dhe shpërndahet e shumfishohet në gjithë piramidën e policisë. Ky është shteti policor që  dëshiron të vendosë Rama-Meta, një shtet i përçudnuar sa për faktin se sistemi që kemi është sistem demokratik në themelet e veta, aq edhe për faktin se ky shtet policor nuk u prek qimen e flokut bandave të krimit të organizuar, madje është në simbiozë me ta.

Shteti ligjor ka ligjin, junta dhe shteti policor kanë dhunën barbare, si ajo që ushtroi policia e Korçës kundër Tomi Mishës  jashtë dhe brenda mjediseve të drejtorisë së policisë. Dhuna ndaj Tomi Mishës  është një goditje e rëndë për shtetin e së drejtës në Shqipëri, një fyerje për ndërgjegjen qytetare dhe demokratike të mbarë shqiptarëve, është një apel jo vetëm për të hapur sytë, por për t’u ngritur, për t’ju kundërvenë dhe për të ndalur me çdo kusht, me protesta dhe me votë rregjimin e dhunës kundër qytetarëve.

Kërkojmë ndëshkimin ligjor të ushtruesve të dhunës me uniformën e policisë së shtetit në Korçë, Kavajë, Tiranë dhe kudo tjetër. Kërkojmë marrjen e masave të rrepta ndaj gjithë personave përgjegjës që kanë ndikuar me veprimet  dhe mosveprimet  e tyre për të inkurajuar dhunimin e qytetarëve nga efektivët.

Dhunimi çnjerëzor i Enver Bashës është një mesazh i mafias dhe i krimit. Një dëshmi që policia të lë në mes të rrugës, pa përkrahje, nëse je i rrezikuar. Ky djalë i ri u gjend në krah të policisë në një nga orët më të vështira të forcave të rendit dhe të shtetit në Tiranë, kur Xhuvani, miku i familjes së Edi Ramës, sapo kishte vrarë katër vetë.

Polici nuk arrinte ta arrestonte dot vrasësin me imunitet, madje dridhej para tij dhe mund të kishte rrezikuar dhe jetën. Enver Basha iu gjend në krah dhe bëri të mundur ndalimin e vrasësit. Ku gjendet policia kur ky i ri ndiqet e përgjohet në mënyrë sistematike nga persona të dyshimtë? Ku gjendet policia, edhe pasi Enver Basha ka bërë një denoncim dhe u ka treguar se i janë vënë nga pas? Askund nuk gjendet policia. Ndaj dhe krimi arrin të godasë e të japë mesazhin e tij, të koduar dhe mafioz. Enver Basha ka guxuar të ndalojë një person që kishte ngritur një grup kriminal, që bridhte në Tiranë me pistoletë brezit, që trafikonte e bënte ç’të donte, vinte edhe në parlament kur e lypte nevoja. Pra Enver Basha ka guxuar shumë. Unë duas ti uroj shërim të shpejtë, dhe të them këtu se gjesti i tij natën e krimit është një moment frymëzimi, i një të riu dhe qytetari model. Por gjithashtu, rrahja e tij brutale, braktisja e tij, lënia në mëshirë të fatit pas aktit të guximshëm që ka kryer, është një moment turpi për policinë e shtetit dhe për këtë qeveri. Një moment kapitullimi pa kushte para krimit dhe zgjatimeve të tij. Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm do ta kenë të shënuar këtë rast në Kurikulën e tyre plot me dështime, si medaljen e turpit. Një njollë që nuk do ta shlyejnë dot. Kjo pra është policia dhe qeveria që kemi. I ofron të gjithë shërbimet që i duhen kriminelëve më në zë të Tiranës, dhe i kthen kurrizin qytetarit që bashkëpunon dhe që e ndihmon në ditë dhe orë të vështira.

Por dëshmia e rëndë e braktisjes nga Policia vjen nga radhët e saj, nga oficerët e trajnuar e të suksesshëm të RENEA-s. “Ndihem i tradhëtuar”, thotë kryeinspektori i forcave speciale. Janë 7 efektivë të këtij reparti eltitë të larguar pa motiv. E keqja shkon edhe më larg kur dëshmitë janë për nepotizëm të një kategorie të papranueshme e të paimagjinueshme, kur këta oficerë zëvendësohen nga shoferë të drejtuesve. Këta 7 anëtarë të RENEA-s kanë marrë pjesë në aksionet më të rrezikshme ndaj krimit në vend. Ku janë sot? Të flakur në rrugë.

Çfarë mesazhi u jep kryeministri policëve që janë
përballur me krimin dhe që kanë një jetë që japin kontributin e tyre? Që jeni të pasigurtë, se mund të flakeni nga çasti në çast. Ky është një nga dëmet më të mëdha që mund ti bëhet Organizatës së Policisë. Dhe kur këtë e bën i pari i ekzekutivit, mendoni se në çfarë tatëpjete gjenden sot forcat e rendit. Në një theqafje që ka nisur në fakt si mendësi e largimit masiv të profesionistëve që në ditët e para të ardhjes së tyre në pushtet, e zëvendësimit me militantë dhe me persona të përlyer me krimin. Efektet e kësaj politike të gabuar i kemi të pranishme çdo ditë. Jemi nën sundimin e tritolit, grabitjeve me maska në mënyrë të përditshme.

Ne i bëjmë sot thirrje organizatave partnere, që kanë kontribuar dhe me taksat e qytetarëve europianë e amerikanë në trainimin dhe rritjen profesionale të këtyre ekspertëve të forcave speciale, të rrisin monitorimin dhe të kërkojnë llogari se çfarë po ndodh me investimin e tyre. Por dua të bëj sot të qartë për kryeinspektorin e RENEA-s e të gjithë specialistët e larguar padrejtësisht, se kur drejtësia të vijë, secili do të marrë atë që i takon, dhe secili do të mbajë përgjegjësinë që i takon për shkeljet e abuzimet në Policinë e Shtetit.

Me përgjegjësi të plotë politike, e  kemi theksuar dhe dua ta përsëris, për shumicën qeverisëse, për partnerët: situata e degraduar e rendit në Shqipëri nuk rregullohet pa ndryshime dhe ndërhyrje të thella, që duhet të fillojnë domosdoshmërisht nga kreu, nga drejtimi. Ne si opozitë, parashtrojmë  këtë zgjidhje që mund të sjellë një përmiresim sado modest në rrethanat kur vendi ka një shumicë tjetër. Bindja jonë, sidoqoftë, është se kjo qeveri nuk e vendos dot rendin, nuk e ndalon dot rrokullisjen e gjithë treguesve të zhvillimit, nuk e përmirëson dot gjendjen ekonomike dhe shoqërore në vend. Qeveria është në rrugën pa krye dhe për fat të keq edhe pa kthim të shurdhërisë dhe verbërisë.  Nuk dëgjon dhe nuk sheh përtej hundës së vetë.

A mos  është thjesht rutinë dhe rastësi që kryeministri ofendoi gazetaren Erisa Zyka në Bruskel kur u pyet prej saj për përmbajtjen e takimeve me krerë të Bashkimit Europian? Edi Rama i ka të vetat rekordet olimpike të arrogancës me gazetarët, por në rastin që pamë në Bruksel ka edhe arsye të tjera. Sjellja e tij është shprehje e refuzimit për tu pyetur, që është më shumë se refuzim i një pyetjeje konkrete. Edi Rama nuk duron më as të pyetet nga media e lirë. Kryeministri i ka vënë kryqin trasparencës dhe llogaridhënies që janë dy nga kolonat e qeverisjes së përgjegjshme. Demagogjia e tij me rendin dhe me arritjet e tjera propagandistike ka dalë boje në Bruksel. Kredibiliteti i tij është në nivele të mjerueshme, partnerët kërkojnë rrezultate, nuk ngopen me lugën bosh, siç ky e ka zakon në Tiranë. Prandaj, prej këndej vjen dhe nervozimi i tij me të parën pyetje që iu bë kur doli nga takimet. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe. Tollumbacja, kur është tollumbace, do të plasë, s’ka çfarë bën.

Ne ndajmë, besojmë me shumicën dërrmuese të qytetarëve bindjen se kjo qeveri nuk është qeveria për të cilën u votua, se kjo qeveri e mbaroi para kohe, kohën e saj. Qyetarët kanë tagër ta çojnë në shtëpi një qeveri të dështuar në rrugën të gabuar.

Detyra jonë, detyra e deputetëve të Partisë Demokratike, sëbashku me aleatët, është të jemi çdo ditë me njerëzit dhe për njerëzit. Çdo orë dhe çdo ditë, aty ku është dhimbja e tyre, drama e tyre, vështirësia e tyre, shpresa dhe gëzimi i tyre. Duhet të dëshmojmë se dhemshuria jonë për gjendjen dhe për njerëzit në vështirësi nuk është vetëm fjalë apo retorikë, por aksion i përditshëm, ndjenjë dhe ndjesi e vërtetë që shfaqet duke jetuar çdo ditë me ta dhe me problemet e tyre. Çdo ditë zëri i tyre, çdo ditë ndërtues të shpresës dhe besimit të tyre në një të ardhme të re, në një të ardhme më të mirë.

Faleminderit!


Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 24 Shkurt 2015