Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi që tregon se ku ka përfunduar integriteti i forcave tona të armatosura. Duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin. Duhet llogaridhënie deri në pikën e fundit.

Partia Demokratike i kërkon Ministres së Mbrojtjes të bëjë transparencë mbi rastin e majorit të Forcave të Armatosura të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Kjo është një cështje e rëndësisë publike, ka të bëjë me sigurinë kombëtare, dhe nuk mund të trajtohet nga Edi Rama apo zonja Kodheli si punë e tyre personale.

Kur një major, nga më të besuarit sic pranohet zyrtarisht, përfshihet në trafik ndërkombëtar droge, një ministre nuk mund të fshihet e të bëjë arroganten.

Ne do të kërkojmë në parlament interpelancë me zonjën Kodheli, por ftojmë prokurorinë të nisë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

Si ka mundësi që shërbimi informativ i ushtrisë, apo strukturat e tjera monitoruese nuk kanë informacion për oficerët me detyra kaq delikate sa majori në fjalë, i cili ishte një nga pilotët e besuar të flotës tonë ajrore?

Si mund të rekrutohet majori i besuar nga trasikantët ndërkombëtarë të drogës?

Të dhënat tregojnë se majori ka hyrë dhe ka dalë 6 herë nga vendi gjatë vitit të fundit deri para pak ditësh kur ndodhi ngjarja në Spanjë.

A ka të dhëna Ministria e Mbrojtjes, se ku shkojnë oficerët, dhe me cfarë aktiviteti merren kur janë jashtë shtetit për specializim?

A është ai i vetmi oficer që ka kryer këtë aktivitet, dhe a kanë dijeni eprorët për këto raste?

Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë bërë shumë reforma e përpjekje për arritjen e standarteve në këtë sektor në shumë vite.

Por me Edi Ramën ka vetëm kthim mbrapa. Fabrika kokaine e shndrrimi i vendit në kolumbi të Europës. Pak kohë më parë, u zbulua se insfrastruktura e mbrojtjes ishte përdorur për trafik droge. Në fillim Edi Rama dhe Ilir Meta u tallën dhe i quajtën avionët e narkotrafikut mushkonja, por më pas të dhënat treguan përdorimin kriminal të Gjadrit dhe pikave të tjera dhe qeveria u detyrua nga presioni publik e qytetar të mbyllë aerodromet. Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi që tregon se ku ka përfunduar integriteti i forcave tona të armatosura.

Duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin. Duhet llogaridhënie deri në pikën e fundit.

Partia Demokratike do të vërë në lëvizje cdo mjet derisa kjo ngjarje të zbardhet e të dalin të gjithë përgjegjësit e përgjegjësitë për implikimin skandaloz të forcave të armatosura në trafik ndërkombëtar droge.