Partia Demokratike denoncon lidhjet e trafikantëve me deputetë e zyrtarë të lartë të qeverisë, që po konfirmohen cdo ditë nga faktet e reja për lehtësinë që ka gjetur grupimi kriminal në aktivitetin e tij. Thirrje prokurorisë për hetim të thellë e të plotë deri tek kumbarot e vërtetë të kokainës.

Faktet e reja që tregojnë lehtësinë me të cilën është ndërtuar fabrika e kokainës në zemër të Shqipërisë, dhe aktiviteti i saj 1 vjecar pa u shqetësuar nga askush, janë dëshmi tronditëse dhe kriminale të lejimit të narkotrafikut në vend nga Edi Rama dhe qeveria e tij.

Rezulton se Porti i Durrësit, është përdorur për të sjellë paisjet dhe lëndën që i duhej grupit kriminal për të instaluar impiantin më të madh të Kokainës në Ballkan, e për ta prodhuar drogën.

Po ashtu, kjo portë është përdorur edhe për ta trafikuar drogën.

Kjo qeveri, ky kryeministër, që mburren se kontrollojnë gjithcka, cdo llampë të secilit fukara në vend, kanë lejuar ardhjen e mjeteve e të materialeve, kanë lejuar ndërtimin e Fabrikës së Kokainës.

Eshtë provuar dhe pohuar edhe zyrtarisht, se kjo fabrikë dhe ky grup kriminal do të ishin edhe sot duke prodhuar e trafikuar kokainë, nëse nuk do të ishin ndalur nga policitë partnere.

Më e pakta, kemi të bëjmë me një dështim, me një kapitullim të qeverisë në luftën ndaj drogës.

Por mekanizmi dhe personat e përfshirë në këtë trafik, janë një akuzë që flet për lidhje të trafikantëve me deputetë e zyrtarë të lartë të qeverisë, për të cilat Edi Rama ende nuk po shprehet.

Kjo fabrikë kokaine, kishte nevojë për energji elektrike. Si e lidhi energjinë elektrike fabrika e kokainës, kur kjo qeveri, për një tel të dyqanit që kryefamijari e kishte kaluar në sahatin e familjes, i mori atij jetën, pasi e la në burg për më shumë se dy muaj?

Apo kjo ishte fabrika e sponsorve dhe miqve të deputetëve e zyrtarëve të qeverisë, dhe nuk duhej kontrolluar?

Si mund të zhvillohej ky aktivitet i ngjeshur kriminal prej një viti, dhe asnjë polic të mos kishte dijeni, kur sot policia po mbush qelitë e vendit me të pamundur që duan të rregullojnë catinë ose të vendosin një tullë në murin rrethues të shtëpisë?

Apo të gjithë përgjegjësit mbyllën sytë dhe veshët, sepse kjo ishte fabrika e miqve të Partisë?

Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të bëjë transparencë. Lehtësia e ngritjes së fabrikës dhe mbështetja që kanë gjetur anëtarët e grupit kriminal, është po aq kriminale sa droga që ata prodhonin e trafikonin.

Partia Demokratike nxit Prokurorinë të bëjë hetime të thella e të plota, për të nxjerrë në dritë gjithë mekanizmin e madh të kësaj fabrike kokaine, e të shkojë deri tek kumbarët e vërtetë, pavarësisht lidhjeve të forta që mund të kenë ata me qeverinë dhe Edi Ramën.