Zëdhënësja Nebijaj dënon propagandën boshe të kryeministrit mbi lirinë e shprehjes. Edi Rama shpenzoi më shumë se një orë me tjerrje fjalësh, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar kërcënimet me jetë të fjalës së lirë, përfaqësuesve të opozitës e kreut të saj.

Fjalë dhe vetëm fjalë, vijnë nga Edi Rama, i cili shpenzoi më shumë se një orë me një propagandë që është krejt e kundërta e akteve të tij konkrete, e sjelljes së tij në realitet, e kursit që ndjek.

Më shumë se një orë predikoi lirinë e shprehjes, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar apo për t’u distancuar nga kërcënimi që i është bërë kryetarit të opozitës, pikërisht për fjalën.

Predikon lirinë e shprehjes ndërkohë që përgenjështron vetën e tij në cdo hap që hedh.

Edi Rama është ai që organizoi goditjen fizike ndaj deputetit të opozitës, pikërisht ngaqë nuk përballon lirinë e shprehjes.

Eshtë ai që frymëzon kërcënimin me jetë të përfaqësuesve të opozitës, sepse ai nuk e duron dot lirinë e shprehjes.

Ndaj ka sjellë në administratë, zyra e deri në parlament, persona të inkriminuar, ata që janë errësira, e kundërta e lirisë së shprehjes.

Ndaj Edi Rama ofron lehtësi e favore qeveritare për banditë të cilët lirinë që e kanë të sigurta nga qeveria, e shfrytëzojnë për të kërcënuar fjalën e lirë.

Me Edi Ramën liria e të shprehurit po zëvendësohet nga presioni i gjithanshëm  ndaj mediave, zërave kritikë e shoqërisë civile.

Pikërisht sot në ditën e predikimit të tij të gjatë u dhunua një gazetar investigues vetëm 50 metra larg dyerve të komisariatit.

Këto janë ngjarje që lidhen direkt me përgjegjësinë e Edi Ramës, e për të cilat ai nuk mban asnjë përgjegjësi.

Propaganda dhe tjerrja pa fund e fjalëve për tema të tjera, janë një kostum që i rri shumë gjërë kryeministrit tonë, dhe janë një përpjekje e dëshpëruar për t’u fshehur nga realiteti i zymtë e lirisë së shprehjes që ai ka krijuar.

Ndaj sa herë që Edi Rama të flasë për lirinë e të shprehurit, është e sigurtë audienca e telenovelave të pasdites.

Ai nuk bind më askënd dhe qytetarët nuk harxhojnë asnjë dekikë të jetës së tyre plot halle për retoriken boshe e të tejfryrë të kryeministrit.