Partia Demokratike denoncon inkriminimin e administratës me rekorde të reja e dramatike. I dënuari për trafik droge dhe i arrestuari disa herë për shpërndarje të lëndëve narkotike në shkolla, është caktuar në task-forcën e OSHEE, pikërisht në strukturën që po dhunon të pamundurit e favorizon njerëzit e pushtetit.

Kriminalizimi i administratës njeh rekorde të reja, dhe të dhimbshme.

Nuk është rastësi që persona me precedentë të fortë penalë, rehatohen nga qeveria e Edi Ramës, në poste delikate, si OSHEE, e cila është në krye të represionit ndaj qytetarëve të pamundur, është në krye të favorizimeve politike, duke lënë të qetë debitorë me 205 milionë lekë vetëm pse pronari është deputet i mazhorancës, kësaj strukture që është në krye të abuzimit e korrupsionit.

Florian Qafa është një emër i njohur për policinë dhe kronikën e zezë. Ai është ndaluar disa herë dhe dënuar për trafik lëndësh narkotike, pasi ka kryesuar një grup kriminal droge në zonën e Ali Demit, që shpërndante drogë edhe në shkolla.

Ja ku kemi këtu vendimin e gjykatës që permend dënimet e tij, kemi një numër të madh shkrimesh që janë bërë në media për arrestimin e tij dhe për aktivitetin e tij kriminal.

Me Edi Ramën, erdhi koha që ky person të shpërblehet për angazhimin e tij, dhe sot është pjesë e task-forcës së OSHEE në Tiranë. Pra në krye të aksionit të ndëshkimit të qytetarëve të pamundur, dhe favorizimit të hajdutëve të mëdhenj të energjisë që janë sot pranë qeverisë.

Personi me precedent penalë, ka dhe një meritë tjerë për postin që ka marrë. Ai është angazhuar në fushatën e fundit zgjedhore, pranë shtabit të deputetit socialist, Ditmir Bushati, që sot është Ministër i Jashtëm.

Për këtë inkriminim të administraës është e shqetësuar sot opozita, janë të shqetësuar mbarë qytetarët e vendit, por është e tronditur dhe Europa.

Partia Demokratike do ta bëjë cdo ditë betejën me krimin dhe lidhjet e krimit me politikën.

Kjo e keqe, e mbjellë në cdo cep nga Edi Rama, do të shkulet.

Shqipëria nuk do të mbetet peng i aleancave kriminale.