Sekretarja për Marrdhëniet me Publikun, Grida Duma, dënon sulmin fizik ndaj gazetarit investigues sot në Gjirokastër në mes të ditës, 50 metra larg komisariatit. Skuqi njihet për qëndrimet kritike dhe shkrimet për trafikun e drogës. Edi Rama është bekuesi i goditjes së fjalës së lirë dhe kërcënimit të kundërshtarëve.

Dhunimi i gazetarit Telnis Skuqi sot në mesditë 50 metra larg komisariatit të Gjirokastrës, është një këmbanë alarmi për dhunimin e fjalës së lirë, për kërcënimin e lirisë së shprehjes.

Gazetari Skuqi është i njohur  për qëndrimet e tij kritike e për investigimin e korrupsionit e të trafikut të drogës. Nuk është aspak rastësi goditja e tij në mes të ditës dhe fare pranë zyrave të shtetit.

Nuk është rastësi, dhe këtë e vërteton qartazi fakti që komisariati i Gjirokastrës disa orë pas ngjarjes vazhdonte të mos pranonte kallëzimin e tij me pretekste të papranueshme.

Teksa Edi Rama bën gjithcka që të shesë si demokratik konceptin e tij të lirisë së shprehjes në Paris, këtu në vendin që ai qeveris, fjala e lirë goditet, gazetari dhunohet në derën e komisariatit, deputeti i opozitës goditet.

Revanshi agresiv ndaj fjalës ka burim frymëzimi kryeministrin e vendit. Duke kërcënuar opozitën, duke organizuar skenarin e dhunës në parlament, duke mos dënuar e duke mos u distancuar nga kërcënimi i Kryetarit të opozitës, Edi Rama ka dhënë miratimin e tij për goditjen e fjalës së lirë.

Këto janë simptomat e regjimit të fshehjes dhe mbylljes së gojës, që Edi Rama dhe oligarkia e tij po ndërtojnë në cdo instancë.

Partia Demokratike e dënon ashpër goditjen e gazetarit Skuqi, dhe i kërkon Policisë të reagojë menjëherë e të vërë para ligjit agresorin e tij.