Deputeti Halimi theksoi se Partia Demokratike nuk do ta njohë hartën e interesave politike e klienteliste. Rama dhe Meta shkelën vazhdimisht Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të mbuluar zullumin e korrupsionit e inkriminimit. 

Bashkëkryetari i një shumice të krijuar jo me votat e lira të qytetarëve shqiptarë, por me mandate të trafikuara dhe pazare të pista pas zgjedhjeve, që ka në përbërje deputetë të dënuar dhe në kërkim për trafik ndërkombëtar droge dhe qëniesh njerëezore, deklaroi pak orë më parë se qenkësh partizan i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;  se harta teritoriale nuk qenkësh politike, e qenka në favor të qytetarëve dhe se opozitës dhe popullit opozitar i janë njohur  të drejtat për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në këtë proces.

Janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë bllokuar nga Rama dhe Meta jo për një ditë, as për dy, por për 6 muaj me qëllimin e vetëm për të fshehur sa është e mundur para qytetarëve, llumin në të cilën zhytet çdo ditë e më tepër mazhoranca e votave të blera, e deputetëve të trafikuar dhe deputetëve trafikantë; llumin në të cilën ndodhet administrata qendrore e emëruar personalisht nga dy bashkëkryetarët, administratë që është kthyer në folenë e korrupsionit dhe favoreve seksuale duke degraduar gjithë administratën e shtetit e duke e kthyer nga në shërbim të qytetarëve, në shërbim të shefave të korrupsionit.

Ata që urdhëruan bllokimin e vendimeve e Gjykatës Kushtetuese, për të fshehur llumin ku është zhytur parlamenti me deputetë të inkrimuar dhe familjare të tyre pjesë të mafias ndërkombëtare dhe trafikut ndërkombëtar, sot dolën për të folur për Kushtetutën dhe hartën politike të bashkëfirmosur si një hartë e interesave të errëta të Edi  Ramës, Ilir Metës dhe  kujtdo tjetër  që u përfshi në këtë farsë.

Një hartë që nuk do t’u ofrojë qytetarëve asgjë të mirë për modernizimin e shërbimeve. Një përpjekje brutale për të shtrirë dhe unifikuar pushtetin oligarkik të qeverisjes së sotme qendrore me qeverisjen e ardhshme vendore e për ta shndruar pushtetin vendor, ashtu siç kanë shndruar e po shndrojnë çdo ditë pushtetin qendror, me llumin e njerëzve të krimit, të mafias dhe një administrate të korruptuar.

Ajo që bashkëkryetari e etiketoi sot si proces me opozitës është dhe mbetet një farsë që nuk ka lidhje me të vërtetën.

E nisën pa opozitën dhe e përfunduan pa opozitën, siç nuk ka ndodhur kurrë gjatë këtyre njëzet e tre viteve  pa gjithëpërfshirje, pa konsensusin politik dhe qytetar.

E nisën gjoja me konsultime me komunitetet vendore por thirren vetëm të bindurit e klanit dhe injoruan zërat e arsyeve kundër.

E nisën dhe e mbyllen duke i sfiduar hapur miqtë dhe aleatët me pazaret e ulta deri kriminale, që bënë në një parlament ku bota e krimit përcakton shumicën dhe ka çelësat e vendimarrjes.

Organizuam tri konferenca kombëtare dhe kemi konkluduar me një rezolutë në të cilën kemi përbledhur paketën e propozimeve tona për reformën administrative-territoriale.

Rama dhe Meta nuk e dhanë kurrë konsensusin në Kuvend për këtë çështje por u investuan fuqishëm në një mënyrë mafioze të vepruari për të instaluar përfundimisht politikën e konfliktualitetit, që ka goditur në themel bashkëjetesën demokratike në Shqipëri.

Demokracia shqiptare sot është në udhëkryq. Por që kemi bindjen se nuk do të mbetet, nuk do të qëndrojë, nuk do të zgjasë si e tillë.

Harta politike e dyshes Rama-Meta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë.

Fjala e fundit është e qytetarëve, është e sovranit që ka gjithë të drejtën të ngrejnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë oligarkike që refuzoi t’i pyeste, që kanë të gjithë të drejtën të shprehen dhe të vendosin zbatimin e drejtpërdrejtë të Kushtetutës si  ligji suprem i pushtetit të popullit, që kanë gjithë të drejtën të vendosin me një demokraci direkte dhe të drejpërdrejtë.

Ne do të jemi me ta dhe përkrah tyre në çdo hap dhe në çdo ditë.