Prania e deputetit Kukan në Tiranë është në vazhdën e angazhimit të institucioneve të Bashkimit Europian, të Parlamentit Europian, për të ndihmuar në tejkalimin e krizës parlamentare, shkaktuar tashmë prej 6 muajsh si rezultat i kriminalizimit të Kuvendit dhe i shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rradhë të parë nga vetë Kuvendi. Interesat për të cilat flasim janë interesat e vetë shqiptarve, jo të opozitës, as të Partisë Demokratike, e cila natyrisht ka detyrën dhe përgjegjësinë të përmbushë rolin e saj në një demokraci parlamentare. Kjo detyrë ka të bëjë me transparencën, me llogaridhënien e ekzekutivit, me mbikqyrjen parlamentare.  dhe janë pikërisht eleminimi i këtyre instrumentave dhe sëfundmi goditja dhe kërcënimi i opozitës në Parlament që sollën krizën parlamentare.

Që pasojat e kësaj gjendje i vuajnë shqiptarët nuk ka dyshim. Një qeverisje që nuk jep llogari askund dhe në rradhë të parë në Parlament, aty ku duhet të japë llogari, është shumë më e prirur nga zullumi, nga padrejtësia, nga arbitrariteti. Të gjitha këto rëndojnë mbi shpatullat e qytetarve shqiptarë.

Ndaj, ne kemi marrë këtë përkushtim dhe angazhim. Në rradhë të parë dhe kryesisht për interesat e shqiptarve të cilët meritojnë një demokraci parlamentare funksionale, meritojnë një Parlament funksional ku interesat e tyre, problemet e tyre, hallet e tyre janë rendi i ditës. Pikërisht për këtë kërkohet dhe lypset angazhimi i palëve për të ndërprerë menjëherë; praktikat e dhunshme dhe antiligjore që sollën asgjesimin e jetës parlamentare.

Së dyti, angazhimi për të bërë të mundur që këto të mos përsëriten kurrë përmes amendimit të legjislacionit dhe përmes përkushtimit politik për të eleminuar menjëherë krimin nga Parlamenti, apo Parlamentin si strofkë e krimit, dhe për të rikthyer Kushtetutën dhe ligjshmërinë në aulën dhe tempullin e demokracisë.

Pyetje: Ku kanë ngecur negociatat?

Vullneti ynë ka qenë prej fillimit pozitiv. Nuk e kemi kthyer këtë në një pazar kuajsh. Kemi evidentuar shkaqet që sollën rrënimin e demokracisë parlamentare në Shqipëri. Kemi kërkuar ndreqjen e këtyre shkaqeve. Jam i lumtur që sot kemi një ndërgjegjësim total jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, që për fat të keq janë ata që e paguajnë faturën e mosfunksionimit të Parlamentit, por dhe të institucioneve ndërkombëtare të cilët i falenderoj përzemërsisht që në këtë kohë krizash jo të pakta globale, kanë gjetur kohën, vëmendjen, resurset për t’i dedikuar Shqipërisë atë që meriton, vëmendjen Europiane, mbështetjen Europiane. Kam besim se me mbështetjen e tyre do ta tejkalojmë këtë sprovë të madhe të demokracisë 24 vjeçare të Shqipërisë dhe do të rikthejmë funksionimin normal të Parlamentit.

Pyetje: Do të ndodhë kjo deri të mërkurën?

Për ne është e rëndësishme të ndodhë sipas parimeve dhe standardeve Europiane. Sigurisht nga ne nuk ka asnjë pengesë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë pengesë për përmbylljen me sukses të këtij procesi për të cilën janë të ndërgjegjësuar edhe ndërmjetësit Europianë të të dy krahëve politikë, të Partisë Popullore Europiane dhe të Partisë Socialiste Europiane.

Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses. T’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi që shpreh një shqetësim të jashtëzakonshëm të qytetarëve shqiptarë dhe ka mobilizuar si rrallë herë në një front të bashkuar të majtën dhe të djathtën europiane. Për më shumë do ju informoj në vijimësi. Faleminderit.