Qindra familje dhe biznese po rrafshohen në rrethin e Lushnjës pa transparencë dhe ligj. Banorët ngrihen në protestë duke kërkuar të drejtën dhe vlerësim ligjor për pronat e tyre të ngritura me sakrificë. Partia Demokratike në krah të qytetarëve për të kërkuar të drejtën ligjore. 

Partia Demokratike denoncoi prishjen masive të pronave të 723 familjeve në Lushnjë. Banorët janë ngritur në protestë duke kërkuar transparencë për prishjen e ndërtimeve të tyre me dokumenta të rregullta, të ngritura me mund e sakrificë. Vetëm në zonën e Çermës po prishen 53 ndërtime, për të cilat banorët tregojnë se kanë certifikata të rregullta pronësie. Por dëmshpërblimi për ta është qesharak dhe për më tej atyre nuk u është bërë e ditur asnjë arsye se pse po hidhen në tokë banesat dhe bizneset e tyre.

“Ky nuk është shtet ligjor, por një shtet kriminal për njerëzit. Mundin dhe djersën time e kanë hedhur në tokë pas 20 viteve, në pronën time me dokumente të rregullta”, tha një prej banorëve.

“Jemi me certifikatë pronësi, me leje ndërtimi, me dokumenta të rregullta. Po na çmojnë padejtësisht. Çmimi është tepër qesharak”, u shpreh një prej pronarëve të prekur.

“Mezi i kemi ndërtuar dhe të vijnë të na e shembin…kjo është padrejtësi. E kemi objektin të rregullt me leje. Jemi me hipotekë dhe po na nxjerr jashtë”, tha një qytetare nga Lushnja.

“Ma kanë vlerësuar pronën sa një kasollë lope”, u ankua dikush tjetër.

Kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë themelore në PD, Ervin Salianji, vizitoi banorët së bashku me drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike, dhe deklaroi se ndërtimet e banorëve të Lushnjës po prishen në mënyrë selective, pa transparencë, pa njoftime, pa ligj dhe pa dëshpërblim të rregullt. “Janë lëshuar lajmëtarët e shkatërrimeve në çdo cep të Shqipërisë. Ka lëshuar lajmëtarë të lajmërojnë qytetarët dhe të sjellin kartolinën e fundvitit, një kartolinë të zezë, ku u thotë se do t’u prishë pronat dhe banesat private, si një armik i pronës private. Banesat po u prishen pa njoftim, pa shkresë, pavarësisht se kanë certifikatën e pronësisë. Kjo këtu që ka 1496 metra katrorë, dhe 328 metër katrorë ndërtim, qeveria i thotë se do ta prish kundrejt 19 milionë lekësh të vjetra. Rruga kryesore është diku rreth 60 metra katrorë larg që këtu. Pak më sipër rrethrrotullimi mund të bëhet duke prishur vetëm një biznes të vetëm, i cili ka lidhje me qeverinë”, tha Salianji.

Krahas banesave, janë duke u shkatërruar edhe mjaft biznese që punësojnë me dhjetra banorë të zonës. Sipas kryetarit të PD-së në Lushnjë Myslim Murrizi, janë 723 familje që preken nga shembjet e ndërtimeve në këtë rreth.

“3 mercenarë të qeverisë terrorizojnë qytetarët lushnjarë duke trokitur derë më derë dhe u bërë presion me fletushka. Janë 723 familjeve të këtij rrethi”, tha Murrizi.