Ridvan Bode hedh poshtë gënjeshtrat e Ramës për punësimin. Të gjitha shifrat tregojnë të kundërtën e propagandës së qeverisë. Dhjetra mijë qytetarë humbasin vendet e punës, dhe përzihen nga policia prej zyrave të punës. Mbi 300 mijë familje janë të pashpresa në kërkim të një të punësuari; më pak se 1 në çdo 3 të rinj të moshës 15-29 vjeç aktivë në tregun e punës është i punësuar; vetëm 1 në çdo dy femra kanë mundur të gjejnë një punë qoftë dhe të përkohshme.

Ditë më parë Kryeministri Rama tha një gënjeshtër të madhe, të cilën edhe oborri qeveritar e përqeshi, se, në tremujorin e tretë të këtij viti, ishin punësuar 81 mijë të papunë.

Dje nxorri tellallin e vet, INSTAT, për ta përgenjështruar kryeministrin, me një gënjeshtër të re: në tremujorin e tretë nuk janë punësuar 81 mijë, por 36 mijë vetë.

Kurse sot në Parlament, bëri avokatinë e kësaj gënjeshtre të re të INSTAT.

Realiteti, të cilit qeveria i largohet çdo ditë e më shumë, flet për të kundërtën. Dhjetra mijëra qytetarë që humbasin çdo ditë vendet e punës për shkak të ndrydhjes së ekonomisë, shkojnë në zyrat e punësimit dhe përzihen prej andej me policë.

Papunësia dhe mjerimi kanë arritur në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit dhe qytetarët e demonstrojnë këtë çdo ditë publikisht.

Edhe pse fabrikon një gënjeshtër të re punësimesh, INSTAT është i detyruar të pranojë se :

-mbi 300 mijë familje janë të pa shpresë në kërkim të një të punësuari në familje;

-më pak se 1 në çdo 3 të rinj të moshës 15-29 vjeç aktivë në tregun e punës, është i punësuar;

-vetëm 1 në çdo dy femra kanë mundur të gjejnë një punë qoftë dhe të përkohshme;

-megjithë “sukseset” e qeverisë niveli i papunësisë është më i lartë krahasuar më një vit më parë dhe në nivelet më të larta historikisht të këtij treguesi.

Absurditeti i deklarimeve për rritje punësimi nga ana e Qeverisë dhe INSTAT qëndron në faktin se ky punësim shtesë paska ndodhur kryesisht në degët e industrisë me një rritje prej 7.8% dhe në ndërtim me 6.2%, pikërisht degët që një muaj më parë u raportuan me rënien më të thellë ekonomike respektivisht me 8 dhe 22%, dhe për më tepër kur ndërtimi mbetet tërësisht i bllokuar sipas akteve të nxjerra nga qeveria.

Hapja e vendeve të reja të punës ka nevojë për investime shtesë, ka nevojë për fonde e reforma të thella në ekonomi.

Sipas statistikave të vetë INSTAT dhe institucioneve të tjera, të dhënat flasin për ndrydhje të mëtejshme të mundësive për të mbajtur të paktën vendet ekzistuese të punës, pale për të shtuar të reja kur:

-kredia për ekonominë është më e ulët krahasuar me një vit më parë,

-fitimet e kompanive deklarohen rreth 30% më të ulëta;

-Investimet në ekonomi sipas dhomave të tregtisë janë më pak se gjysma e një viti më parë;

-BSH njofton se investimet e huaja direkte në 9 mujorin e vitit 2013 kanë qënë 32 % më të larta se këtij viti.

-investimet publike janë rreth 40% më pak;

-në çdo 4 lek të prodhuara gjatë vitit 2014, 3 lekë i ka marë qeveria përmes rritjes së taksave dhe vetëm 1 lekë i është lënë qytetarëve dhe biznesit;

Të vetmet “reforma” të ndërmarra nga qeveria për punësim dhe mirëqënie janë rritja progresive e taksave dhe rritja e çmimit të energjisë, të cilat sigurisht që pakësojnë punën dhe rrisin varfërinë.

Tashmë askush nuk ka ndonjë dyshim se gënjeshtra dhe demagogjia boshe janë të vetmet armë që kjo qeveri përdor më tepër për t’iu qasur halleve të qytetarëve të vet. Papunësia e mjerimi nuk kanë nevojë për to, dhe as për talljet e INSTAT në modelin e shpirtrave të vdekur të Gogolit për të regjistruar të punësuar të rinj. Njëlloj si Cicikovi, pakëson nxënësit e studentët me 68 mijë vetë, dhe këta i deklaron të vetëpunësuar vetëm për qëllime statistike.

Eshte qeveria, me shterpësinë e programeve të saj për shëndoshjen e ekonomisë, me pasivitetin e saj përballë rrënimit të përditshëm ekonomik, me arbitraritetin antiligjor që rrit pasigurinë ndaj qytetarëve e investitorëve, me arrogancën e saj ndaj qytetarëve, që rrit papunësinë, vërfërinë dhe mjerimin me një shpejtësi tragjike.