Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani dënon largimin e Policisë së Shtetit nga detyra dhe arsyeja kryesore e ekzistencës së saj, që është rendi dhe siguria publike. Krimet kundër jetës e pronës dhe aksidentet po shtohen çdo ditë.

Ngjarjet e rënda sot, me 3 viktima në Tiranë dhe me të plagosur në Durrës, po dhe ngjarjet e rënda dje, e cdo ditë, po dëshmojnë se rendi dhe siguria vazhdojnë të jenë në gjëndje kritike në Shqipëri dhe pasiguria për qytetarët po rritet cdo ditë.

Ky është realiteti që po jetojmë, por duhet të kujtohemi se ende disa ngjarje nuk dalin në media, pasi krimet kundër jetës e pronës, grabitjet me maska, aksidente tragjike, po ndodhin cdo ditë, dhe sidomos ato të periferive dhe rretheve të largëta policia nuk i raporton.

Partia Demokratike është e shqetësuar për përkeqësimin e situatës së rendit dhe sigurisë, gjë që vjen drejpërdrejtë si pasojë e shfokusimit të policisë nga detyra e saj kryesore, dhe përqendrimi tek porositë, urdhërat dhe aksionet propagandistike të Edi Ramës.

Kjo situatë skandaloze dhe e papranueshme e rendit dhe e sigurisë është përgjegjësi e Edi Ramës, i cili e ka vërsulur policinë ndaj qytetarëve të pamundur, ndaj familjarëve të varfër që s’kanë me se të paguajnë energjinë, ndaj të moshuarve, shpesh dhe ndaj grave e të miturëve, duke braktisur arsyen kryesore pse ekziston kjo strukturë dhe pse mbahet nga taksat e publikut, dhe arsyeja kryesore është rendi dhe siguria publike.

Partia Demokratike kërkon me vendosmëri që  Policia e Shtetit të rikthehet në rolin e saj kushtetues, e të refuzojë përdorimin politik.

Të shërbejë për qytetarët e për sigurinë e tyre, dhe jo për propagandën e Edi Ramës.

Krimi po rritet e po fiton terren.

Kjo është një përgjegjësi e rëndë nga e cila nuk do të mund të shpëtojnë dot ata që e kanë për detyrë ta luftojnë krimin.

Ne nuk do të lejojmë që kronika e zezë të kthehet në një normalitet për vendin tonë.