Sekretarja për Marrdhëniet me Publikun, Grida Duma, denoncon rastin korruptiv skandaloz të agjensisë EAG, e cila mori miliona nga Agjensia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, për një produkt që ishte prodhuar tashmë. Prokurimi u bë pasi EAG ishte shpallur fituese. Punonjësit u ankuan për shkeljen tek Rama, por nuk morën asnjë përgjigje.

Paraqesim sot para publikut fakte flagrante të standardit korruptiv të kësaj qeverisje.

Kompania e sapolindur EAG, e krijuar, e rritur, dhe e pasuruar me këtë qeveri nga taksat e publikut, është kapur në flagrancë në shkelje të hapur të ligjit, në shkelje të barazisë në tendera.

Parajsa financiare që EAG ka gjetur me Edi Ramën, nuk njeh asnjë kufi, asnjë procedurë, rregull, apo ligj.

Në maj të 2014 Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që varet nga Ministri Veliaj, ka vendosur të bëjë një prokurim i cili duhej sajuar me cfarëdo mjeti, mjaft që paratë t’i shkonin EAG.

Që paratë ti shkonin kompanisë ndërsa nuk gjendej se cfarë do të mund të justifikonte transfertën e shumës, u shpik që një nga shërbimet të ishte prodhimi i logos së re të faqes online të Agjencisë. Por fakti është se logoja e re e Agjensisë dhe web-i, ishin të prodhuara muaj më parë.

Pra agjencia, sipas fakteve, duket që i ka kaluar para  për produkte që nuk i ka ofruar fare EAG.

Funksionarë dhe punonjës të Agjensisë e kanë kuptuar se gjenden para një shkeljeje të rëndë ligjore, të friksuar se janë detyruar të bëhen pjesë e këtij abuzimi, i janë drejtuar Kryeministrit Rama dhe Ministrit Veliaj, ku i kanë sqaruar rrethanat korruptive.

Asnjë reagim, cështja është fshehur nga Veliaj dhe Edi Rama.

Heshtja, fshehja dhe mospërgjigjia ndaj denoncimit që i ka ardhur nga vetë punonjësit e Agjencisë, vërtetojnë bekimin e Edi Ramës ndaj kësaj afere.

Ky është një rast skandaloz i korrupsionit të pastër, e vjedhjes më të dy duart të taksave të qytetarëve të vendit.

Ky është realiteti në Shqipëri sot.

Edi Rama ka licensuar një mekanizëm korruptiv për ministrin e tij, e për stafin e tij të ngushtë që zotërojnë kompaninë në fjalë.

Del dhe bën propaganda, keqpërdor një grua zëvendësministre për 12 mijë lekë të vjetra të papaguara, nga ana tjetër me lejen e tij, një kompani disa mujore pasurohet pareshtur me fonde publike.

Në këtë mënyrë, me këtë skemë të pastër korrupsioni, EAG ka marrë deri tani nga dhjetra zyra qeveritare, 520 milionë lekë.

Ja pra kush është standardi, mënyra, shëmbëlltyra e kësaj qeveria.

E keqja po lëshon metastaza dhe korrupsioni qeveritar po bën kërdinë.

Po qytetarët nuk do të pajtohen.

Janë ngritur dhe do të ngrihen qytetarët për ta ndalur këtë babëzi të pashembullt.