Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot George Soros, në një takim ku u diskutua mbi situatën aktuale dhe sfidat e Shqipërisë.

Kreu i Partisë Demokratike tha se Shqipëria ka bërë një përparim domethënës në këto 23 vite, por standartet e arritura po kërcënohen nga kursi antidemokratik i dyshes Rama-Meta, e cila është në kërkim të pushtetit absolut.

Z.Basha e njohu z.Soros me ngushtimin e hapësirave institucionale për opozitën, me goditjen fizike dhe kërcënimin e përfaqësuesve të saj në sallën e Kuvendit nga një kontigjent i lidhur me krimin që Edi Rama i ka futur enkas në parlament për këtë qëllim.

Z.Basha theksoi më tej se standarteve të demokracisë liberale në vend po i kanoset një rrezik i  madh nga presioni i përditshëm i qeverisë ndaj medias, shoqërisë civile, dhe institucioneve të pavarura.

Duke u ndalur tek drejtësia, z.Basha shprehu shqetësimin e thellë se mazhoranca po e zëvendëson reformën në këtë sistem, me kapje të drejtësisë duke bërë shkarkime të paligjshme, duke emëruar militantë, dhe duke i bërë presion të hapur gjyqtarëve.