Së pari shpreh kënaqësinë time që drejtoj  këtë mbledhje të parë të Kryesise së re të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Dje politika mori një leksion demokracie. Ne zgjodhëm përmes një procesi konkurues të ndershëm dhe transparent forumet tona drejtuese. Asnjë parti në historinë politike të Shqipërisë nuk ka reformuar lidershipin në qendër dhe në degë, bazuar tërësisht në votën e lirë të anëtarësisë.

Kemi hyrë në epokën e lirisë dhe sovranitetit të qytetarëve dhe anëtarëve të partive. Dhe kësisoj kemi paralajmëruar se po i vjen fundi mentalitetit të kazermës që i kthen partitë dhe shtetin në aksesorë sundimtarësh.

Sot Partinë Demokratike, opozitën e vendit, nesër qeverinë.

Ndryshimi ka nisur dhe do të vazhdojë papushim.

Dua t’ju uroj suksese të gjithë anëtarëve të kryesisë së PD-së në këtë mbledhje të parë, të uroj dhe njëherë gjithsecilin prej të zgjedhurve të rinj, Sekretarin e Përgjithshëm, sekretarët dhe drejtuesit e Departamenteve, dy nënkryetarët e votëbesuar së bashku me kryesinë e grupit parlamentar, kryetarët dhe nënkryetarët demokratë të komisioneve parlamentare.

Dy janë fjalët kyçe që shprehin më mirë se të tjerat përbërjen e këtij ekipi: Përfaqësim, harmonizim.

Përfaqësim dhe harmonizim i përvojave, karrierave, kontributeve, moshave, gjinive, duke ruajtur si kriter përbashkues vlerat politike dhe intelektuale të gjithsecilit.

Përfaqësimin dhe harmonizimin i prodhoi dhe i vulosi vota e lirë, ndaj kemi arsye ta konsiderojmë festë dhe leksion të demokracisë votimin e djeshëm.

Partia Demokratike është sot më e fortë me kryesinë e re, me ekipin e ri.

Me këtë Kryesi, me ju, të gjithë demokratët janë sot edhe më të fortë, edhe më optimistë në sfidat e opozitarimit, të Nisjes së Re dhe të fitorës.

Zonja dhe zotërinj, anëtarë të kryesisë.

Mbledhja jonë e parë zhvillohet në kohë të vështirë për vendin.

Përballë kemi një mazhorancë që po e përkeqëson përditë jetën e shqiptarëve.

Rritje papunësie, rënie ekonomike, rritje taksash , rritje çmimesh, është ajo çfarë ka bërë qeveria Rama-Meta për qytetarët.

Siç u dëshmua dhe në protestën e 22 nëntorit , shqiptarët kanë sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë prandaj i kanë kthyer dhe po i rikthejnë sytë nga Partia Demokratike. Eshtë detyrimi ynë të jemi me ta dhe përkrah tyre në këtë përballje me keqqeverisjen e qeverisë Rama–Meta dhe recesionin të prodhuar nga Rama-Meta.

Situata po shkon keq e me keq, kriza ekonomike po thellohet. Ndërsa qeveria vazhdon të bëjë sehir, nuk  dëgjon rënkimin e qytetarëve që nuk arrijnë në një masë të madhe as të sigurojnë  bukën e përditshme pa u zhytur në borxhe.

Kryeministri vazhdon të bëjë xhonglerin televiziv. Premtoi ulje të çmimit të energjisë. Premtoi ulje me 14 përqind të TVSH-së për energjinë.  Çfarë bëri. Jo vetëm nuk e uli, por po e rrit.

Mesatarizimi është mashtrimi, sepse mesatarizimi në fakt është rritje e çmimit të energjisë.

Këtë, shqiptarët e kanë të qartë sepse vetëm nga prezantimi i një çmimi unik, shqiptarët, do të duhet të paguajnë mbi 160 milionë dollarë më shumë ndërkohë që qeveria thotë se u ka vënë në dispozicion shtresave në nevojë vetëm 16 milionë dollarë për kompensim.

Xhongleri thotë se taksa e re e karburantit do të ulë çmimet. Por ajo që nuk u thotë shqiptarëve është se përse në vendin tonë çmimet e hidrokarbureve në Shqipëri janë ulur 5-7%, kur në botë janë ulur me 35%? Dhe përgjigja është se taksat e tij që nuk lejojnë që çmimi i hidrokarbureve në Shqipëri të jetë siç është në Europë dhe botë. Por është më i lartë sepse këto para shtesë, i merr qeveria.

Xhongleri thotë se është rritur konsumi e kanë rënë çmimet. E verteta është se konsumi ka rënë, çmimet e mallrave ushqimore janë rritur rreth 8-10%. Vetëm veza është rritur mbi 60%. Pagat e pensionet do të indeksohen me vetëm 2%; eksportet kanë rënë dhe defiçiti tregtar është në thellim.

Xhongleri thotë se ka hapur 81 mije vende të reja pune dhe këtu ka 3 topa që xhonglon në të njëjtën kohë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thotë se nuk janë hapur vende pune, por në të kundërt janë mbyllur 1 mijë të tilla. Statistikat e Administratës Tatimore dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore sugjerojnë se të hyrat nga taksat e punës dhe kontributi i sigurimeve shoqërore dokumentojnë një rënie prej 1 mijë vende pune. Ndërkohë që INSTAT deklaron 22 mijë vende pune më pak.

Mashtrimi i madh me të cilën erdhën në pushtet, del si tullumbacja më e madhe. Pas mashtrimit për legalizime falas,  shëndetësi falas,  uljes se TVSH-së për çmimin e energjisë, tashmë një megamashtrim u konfimua dhe hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës. Ditë për ditë mbyllen vende pune, ditë për ditë flaken në rrugë qytetarët këtij vendi.

Kjo është situata. Kjo është koha. Ky është momenti në të cilin jetojmë, ky është momenti i konstituimit të kryesisë së re të Partisë Demokratike.

Eshtë detyra jonë, e të gjithë sa jemi këtu, e deputetëve të Partisë Demokratike, të rinisim me vrull kontaktin e vazhdueshëm me qytetarët nga Jugu në Veri.

Ne do të jemi jo vetëm zëri i qytetarëve por do të vëmë në shërbim të tyre të gjitha kapacitet tona për t’u ofruar asistencë ligjore dhe për të denoncuar çdo padrejtësi që u bëhet atyre, të cilat në fakt sa vijnë dhe shtohen.

Në Partinë Demokratike kanë mbërritur me dhjetra denoncime të heqjes së mësuesve nga puna në një fushatë që po nis ethshëm dhe paligjshmërisht. Njerëz që kanë shërbyer për dekada në arsim, që kanë arsimin dhe profilin e duhur sipas ligjit.  Departamentet përkatëse duhet ti trajtojnë menjëherë të gjitha këto raste dhe t’i japin çdo personi  asistencën e nevojshme ligjore.

Sot nuk ka shqiptarë që nuk e di se çfarë qametesh ka mbjellur kjo mazhorancë në administratë. Nga persona me precendent kriminal të emëruar në krye të timoneve, lokalë dhe qendrorë, tek sekserë perversë që ofrojnë vende pune për favore seksuale, te drejtues të arsimit dhe të zyrave të pushtetit që përveç parave u bëjnë presion mësuesve dhe të miturve për favore seksuale. Kjo është e papranueshme,  kjo është e turpshme dhe është një përgjegjësi e dyshes Rama-Meta.

Me qindra denoncime kanë mbërritur në Partinë Demokratike sa i përket abuzimit me faturat e energjisë elektrike. Fatura afrofe, kamatvonesa abuzive dhe korrupsion ku u kërkohet qytetareve të japin para ose do t’u presin dritat pa asnjë të drejtë. Dosjet duhet të përgatiten me shpejtësi  dhe të shkojnë para organeve të Prokurorisë për t’i çuar këta bashibazukë para drejtësisë.

Por ky fenomen është një turp i madh, është një mënxyrë e madhe, është një përgjegjësi e dyshes Rama-Meta.

Sot me mijëra qytetarë e familjarë të këtij vendi nuk kanë energji elektrike, mijëra fëmijë janë të detyruar të mësojnë nën dritën e qirinjeve, sepse nuk kanë mundësi prindërit e tyre të paguajnë faturat e kripura dhe abuzive të shtypura me symbyllur në zyrat e OSHEE.

Me qindra studentë braktisin shkollën se nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë tarifat e rritura.

Nga ana tjetër, drejtorët e OSHEE-së nga Jugu në Veri, nga Lushnja në Tropojë janë në radhën e parë të vjedhjes, abuzimit dhe shpërdorimit.

Shikoni denoncimin më të fundit. Drejtori i OSHEE-së së Tropojës, kryesulmuesi i brigadave hajdute të Ramës e të Metës, me 16 milionë e 900 mijë lekë, sipas këtij denoncimi. Lekë të papaguara. Dhe për këtë është promovuar, është bërë drejtor i OSHEE-së në Tropojë.

Kjo është vetëm një pjesë e problematikës me të cilën ndeshen qytetarët sot.

E kam thënë dhe po e ripërsëris, ne do të jemi aty ku kanë nevojë qytetarët, ne do të jemi aty ku qytetarët kërkojnë mbështetjen tonë dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë. Ne nuk do ti lëmë vetëm, do të jemi në anën e tyre, do të jemi në ballë të protestës së tyre. Protestë që sa vjen e shtohet, zgjerohet dhe bëhet gjithnjë e më e fuqishme.

Une dhe secili prej jush do të jemi cdo dite në kontakt te vazhdueshëm me qytetarët në cdo qytet dhe fshat të Shqipërisë. Kryesia e PD-së do të ketë vetëm selinë qendrore këtu në Tiranë, aktiviteti juaj i deputeteve dhe i imi do të jetë në cdo qytet, lagje, rrugë, komunë dhe fshat, krah për krah qytetarëve shqiptarë, në hallet, problemet e tyre dhe të vendosur për ti dalë zot halleve të tyre dhe fateve të Shqipërisë.

Ndaj edhe e sotmja nuk është dhe nuk mund të ishte vetëm një konstituim ceremonial. Eshtë një takim pune dhe në këtë rast duke përsëritur urimet më të përzemërta për anëtarët e kësaj kryesie, le të nsim nga rendi i ditës.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Kryesisë së re, 1 Dhjetor 2014