Pas masakrës tragjike në Tiranë, Deputeti Strazimiri denoncon lehtësitë që i krijohen krimit e bandave, dhe represionin e dhunshëm policor ndaj qytetarëve të pafajshëm                                               

Pavarësisht se mijëra ngjarje kriminale që ndodhin cdo ditë në cdo cep të vendit qëllimisht fshihen nga policia, qeveria dhe media pranë saj, situata kriminale në vend po arrin nivele alarmante si kurrë më parë.

Masakra tragjike me katër të vrarë e ndodhur në orët e para të ditës së sotme në një nga rrugët më të ruajtura të Tiranes, më shumë se sa autorët ka përgjegjës drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin e vendit.

Sepse Kryeministri dhe banda e tij kanë krijuar të gjitha lehtësitë për autorin, djalin e deputetes Xhuvani, që të lëvizë i lirshëm me armë  në brez, madje të krijojë edhe një bandë kriminale dhe ta ushtrojë aktivitetin me shantazhe, gjobvënie e vrasje në mes të Tiranës.

Kryeministri dhe banda e tij, e kanë shndërruar Shqipërinë në një paraburgim të madh, ku rrasen “cip mbi cip” qytetarë të thjeshtë vetëm sepse vendosin një tullë, qytetarë që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat se nuk kanë bukë të hanë dhe nga ana tjetër kriminelët dhe bandat e organizuara janë më aktive se kurrë dhe kanë kontrollin në territoret e tyre.

Kryeministri dhe banda e tij, kanë krijuar një shtet policor që po u merr frymën qytetarëve të ndershëm ndërkohë që kemi dështim të Policisë në detyrat e saj kryesore, në arsyen pse kjo strukturë ekziston, që është rendi dhe siguria publike.

Autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, i ndaluar nga Policia, është jo vetëm një vrasës serial, i pandëshkuar, por dukshëm me imunitet politik gjë që është shfaqur hapur edhe në televizionet tona.

Autori i dyshuar, djali i deputetes Xhuvani, ka mbështetjen e Policisë, pasi ishte një nga persant që i shpëtoi aksionit të Lazaratit dhe u transportua me mjete ushtarake në Tiranë e u soll në oborrin e parlamentit për tia treguar edhe kamerave.

Ja pra pse 4 viktimat e sotme, djali i deputetes Xhuvani, i shkaktoi në bashkëpunim me krerët e Policisë, me Ministrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin

Prej 13 muajsh vujamë në një republike aspak demokratike e ligjore, as arsimore, as kulturore! Jo!

Mbijetojmë në një republikë “POLICORE”, me një polici të dominuar nga krimi, e ku krimineli më i madh e i pakonkurueshëm është SHTETI! Eshtë vetë Edi Rama!

Katër viktimat e mëngjesit të sotëm kanë autor SHTETIN, Kryeministrin, Ministrin e Brendshem, Policinë, e cila po merret me gjithcka përvecse me krimin e licensuar nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj!

Me krimin në qeveri, që sot më shumë se kurrë ka kapur shtetin, duke e bërë vetë shtetin, qeverinë, parlamentin, administratën, policinë dhe me sa duket shumë shpejt edhe prokurorine e gjykatën, Kriminelin më të rrezikshëm!

Në këtë “shtet” që në 13 muaj është bërë armiku i cdo qytetari, cdo qytetar që jeton me djersë e respekton ligjin është fatkeq!

Të nderuar motra dhe vëllezër! Koha është tani! Të mbrojmë SHTETIN nga sulmi i krimit, përpara se të kthehemi zyrtarisht në vitin ’89!