Denoncimi i Grida Dumës mbi abuzimin financiar me dekorin e qytetit për vizitën e Papës. Faktet e reja që tregojnë se kompania fituese e Veliajt ka pasur vetëm 3 punonjës, por sërish i janë dhënë me prokurorim të drejtpërdrejtë 394 milionë lekë

Rama heshti, nuk dha asnjë shpjegim për skandalin e 394 milionëve që iu dhanë kompanisë së Veliajt, me rastin e vizitës së Papës.

Rama Heshti sepse tashmë janë bërë gati ti vërsulen fondeve të majme për festat qeveritare të 70 vjetorit të clirimit.

Njerëzit e Veliajt dhe grupi i ngushtë i Ramës, morën 394 milionë lekë, me prokurim të drejtpërdrejtë, pa asnjë garë, me një kompani  9 muajshe,  që nuk plotësonte asnjë kusht teknik, dhe për të cilën ende nuk ka dhënë askush llogari.

Por fakte të reja që dalin në dritë e thellojnë skandalin, edhe pse Edi Rama hesht, edhe pse sulmon opozitën sa herë gjendet para provave të pakontestueshme.

Kompania e Veliajt, EAG, që nga dita e krijimit dhe deri sot, e pasuruar me 394 milionë lekë me një dorë, ka pasur vetëm 2 ose 3 punonjës.

E megjithatë kompania e Veliajt e lindur në janar me vetëm 2 apo 3 punonjës që nuk dorëzon dot as bilancin e vitit të shkuar, që as nuk nuk e ka në objektin e saj dekorimin e qytetit u kualifikua më e afta dhe shpallet fituese në një tender kaq të madh.

Eshtë e qartë se kemi të bëjmë me një histori pasurimi të shpejtë.

Ministri i Mirëqënies dhe bashkëpunëtorët e tij afër Kryeministrit, e kanë ngritur këtë kompani për të fituar tenderat e qeverisë, për të marrë para, e për t’u pasuruar nga taksat e shqiptarëve që po zhyten cdo ditë e më shumë në varfëri, në borxhe, në papunësi e mjerim.

Ndërsa populli sot gjithnjë e më i papunë gjithnjë e më shumë i zhytur në halle, ditët e festave duhet të shohë se si prapa cdo dekori po pasurohet një ministër dhe favoritët e Ramës.