Deputetët demokratë të Komisionit të Ekonomisë dhe Infrastrukturës, diskutuan sot për prirjet e buxhetit të qeverisë, duke analizuar se vitin që vjen investimet në infrastrukturë do të mungojnë pothuajse fare.

Gjithashtu, deputetët kanë konstatuar se buxheti nuk parashikon investime për infrastrukturën apo projekte të tjera në qarqe, si në Shkodër, Dibër apo Elbasan. Mungesat e mëdha janë Boshti i Jugut apo Rruga e Arbrit.

“Shpërndarja e fondeve të buxhetit, nuk ka sens, qendron larg nevojave dhe interesave të qytetarëve”, u shprehën deputetët e Partisë Demokratike.

Sherefedin Shehu: Buxhet për kozmetikë, jo për zhvillim të ekonomisë

Mbrëmë Kryeministri ishte shumë i kënaqur që qytetarët do të pagujnë më shumë dhe madje u shpreh i kënaqur që qytetarët do paguajnë më shumë duke supozuar se do të fitojnë më shumë. E vërteta është krejt ndryshe.

E para, siç është thënë ka një barrë të rëndë mbi biznesin dhe qytetarët. Ata do të paguajnë më shumë në këtë buxhet. E dyta është që e gjithë rritja ekonomike do të shkojë në masën më të madhe për konsum parazitar të qeverisë. Në këtë kontekst, shqetësimi më i madh në këtë buxhet është që qytetarët do të pagujnë më shumë dhe nuk do të marrin asgjë. Këtu e kam fjalën tek invetsimet publike mbasi ato janë zëri kryesor që tregon përfitime për të gjithë qytetarë. Në këtë këndvështrim dua të nënvizoj një aspekt i cili është shumë i rëndësishëm. Edhe FMN që njihet për konservatorizëm ka arritur në përfundimin që vetëm investimet e mëdha në infrastrukturë mund të garantojnë rikthimin në rritjen ekonomike për vendet që janë në krizë. FMn nënvizoi në tetor rëndësinë e rritjes së investimeve dhe fokusimin e tyre në infrastrukturë.

Po të ballafaqojmë këtë rekomandim të FMN-së, kemi historinë e krijuar gjatë qeverisjes së PD-së ku mesatarisht është shpenzuar 7 përqind e PBB-së për investime, dhe është arritur deri në 11 % të PBB për investime. Po të kemi parasysh nevojën e madhe që ka Shqipëria për investime në tërësi por sidomos për investimet në infrastrukturë dhe rolin e tyre në rritjen ekonomike të vendit, shikojmë që qeveria me taksat e rritura jo vetëm që nuk ka rritur por ka ulur dnjeshur invetsimet publike. Në terma nominale këto invetsme mbeten të njëjta me vitin 2014, i cili të gjitha mundësitë i ka që të mos realizohet  duke parë ecurinë e deritanishme. Por fenomeni është negativ pasi qeveria rrit me më shumë se  3 % peshën specifike të shpenzimeve në PBB dhe nga ana tjetër ul me 0.3 % peshën specifike të investimeve publike, nga 4.8 në 4.5%.  Pra deri para një viti thashë që mesatarisht ishte investuar 7% e PBB-së por në atë kohë shpezimet ishte 28% e PBB-së. Pra investohej një e katërta e buxhetit. Tani shkon mbi 30% pesha specifike ndërsa investimet shkojnë në 4.5%.

Shqetësimi tjetër ka të bëjë me faktin që projektet kombëtare janë stopuar. Në 2014 ne kemi parë që për boshtin e jugut nuk është folur. Ishte parashikuar rruga e Qaf Plloçës por në rishikimin e buxhetit edhe kjo rrugë u hoq nga lista për investime. Për rrugën e Dibrës thuhet se do ta bëjë Kina por asgjë nuk u shpërnda në buxhetin e vitit 2014. Këto 3 projekte janë referenca më e mirë që, për këtë qeveri, infrastruktura nuk është më prioritet dhe këtë e shohim edhe në këtë buxhet. Shifrat mbeten në të njëjtin nivel, dhe investimet për infratsukturën janë 3 miliardë lekë më të pakta. Për më tej, qeveria jo vetëm uli paratë dhe hoqi nga lista projekte me rëndësi kombëtare, por problem është që i zëvendësoi me investime të karakterit kozmetik, pra që krijojnë vetëm imazh të rremë, që skanë impakt në zhvillimin ekonomik të vendit. Po veçoj këtu gjelbërimin rrugës së Rinasit, por ka një projekt të madh të këtij karakteri që është gjelbërimi i rrugës nga plepat e deri në Vlorë.  Qeveria i kushton më shumë vëmendje tenderave dhe kush do të marrë paratë, se sa do të përfitojnë vetë, nga kryeministri deri tek qeveritarët e tjerë. Qeveria këtë vit nuk ka dhënë financime për pushtetin lokal. Të gjitha projektet e nisura nga fondi i zhvillimit rajonal nuk kanë marrë asnjë lek. Kjo për faktin e vendim e se ky fond është bërë fondi i kryeministrit dhe i kryetarit të Kuvendit. Po të shikojmë fondet e fundit të zhvillimit të rajoneve, do të shikojmë investime të konsiderueshme në Vlorë, në Skrapar dhe në Berat. Gjithashtu, investime kozmetike po bëhen edhe në qendrat e qyteteve.

Në përfundim, do të thoja që ulja e invetimeve është pika më kritike e këtij buxheti dhe shpërndarja e fondeve të ulura do të kontribuojë në rënie ekonomike. Së pari, janë ulur investimet në infrastukturë dhe së dyti, mbështetja e sektorëve si bujqësia ku mungojnë subvensionet dhe investimet. Nëse ju kujtohet ka patur një premtim për 150 milionë euro invetime dhe deri tani nuk ka rritur të bëjë as 10 milionë euro investime. Shqiptarët nuk do të marrin mbrapsht nga taksat e tyre, dhe së dyti ky buxhet nuk do të kontribojë në zhvillimin ekonomik të vendit, por në stanjacion dhe rënie ekonomike.

Voltana Ademi: Më pak para për Shkodrën dhe zonat e varfëra 

Është diskutuar shumë për transfertën dhe zvogëlimin e saj për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Në fakt, çka do të ndodhë në Qarkun e Shkodrës reflektohet në një ulje mesatare 25 % për të gjithë njësitë vendore të këtij qarku sidomos në zonat rurale dhe malore që kanë nevojë më shumë, qoftë për shërbime, qoftë për ndihmë në familjet në nevojë apo infrastrukturë për komunat. Këtë vit ka qënë e munguar dhe më shumë do të mungojë gjatë vitit 2015. Nuk është vetëm për Qarkun e Shkodrës por vihet re në disa qarqe, të cilat kanë shumë nevojë. Problematike në këtë projektbuxhet paraqitet në rrethin e Shkodrës me 108 milionë lekë më pak grand për vendorët, në Pukë 36 milionë më pak, në Malësinë e Madhe 37 milionë lekë më pak. Kjo do të thotë që këto njësi vendore, me burime të kufizuara, nuk do të mund të ushtrojnë ato shërbime dhe funsksione që kanë mundur të realizojnë në këto vite. Në projektbuxhet mungon një tabelë e investimeve. Pra nuk tregon se ku do të shkojnë para. Nuk dimë rrugët që do të bëhen, ujësjellësat, urat, rrugët, shkollat e etj. Nuk ka asnjë informacion për këtë çëshje dhe askush nuk është informuar se ku do të shkojnë paratë.

 

Ardian Turku: Qarku i Elbasanit, asnjë shpresë për investime nga buxheti

Nga investimet madhore publike të filluara më parë, përsa i takon boshtit të jugut i cili kalon në territorin e qarkut të Elbasanit, nuk ka asnjë gjurmë nga qeveria që do të fillojë të konturohet gjurma ndërkohë që dikur ka qenë e planifikuar që në vitin 2014 e nuk ka asnjë shenjë që do të nisë as në vitin qe po vjen.

Atostrada Elbasan – Tiranë vazhdon punimet me ritme shumë të ulëta.

Nuk ka anjë plan apo fond nga buxheti për investime të reja a të mëdha për këtë qark të madh si Elbasani. Ska asnjë shenjë te investimeve të parashikuara që nga planet e vitit të shkuar.

Përsa i përket transfertës së pakushtëzuar qe është një çlirim shumë i madh për funksionet e pushtetit local, edhe për qarkun e Elbasanit ashtu si dhe në qarqet e tjera, ka një zvogëlim krahasuar si me vitin e kaluar, apo ato të mëparshmit që fillonin nga masa 12-13% për bashkinë e Elbasanit deri në 35% në disa komuna apo bashki të tjera
.

Për vitin 2014 u ndoq politika e përqendrimit të investimeve me fondet e komitetit e për zhvillimin e rajoneve vetëm në qytetin e Elbasanit duke lënë jashtë investimeve 6 bashki të tjera të qarkut të Elbasanit si dhe pothuaj të gjitha komunat.

Projektet e nisura më parë janë lënë në gjysëm.

Ska asnjë shpresë as në këtë projekt buxhet, për investime të tjera. Ka përqendrim të buxhetit për bashkinë qëndrore duke lënë jashtë komunat dhe bashkitë e tjera.

Bujqësia ka ngelur tamam në pikën e hallit. Në një vit e gjysëm, nuk ka vazhduar asnjë subvencion përkarshi fermerëve. Eshtë thënë se këto subvencione do të orientoheshin drejt fabrikave apo individëve që duan të merren me përpunimin në infrastrukturë të këtij lloji,  por deri më tani është bërë vetëm një treg i ri në qendër të Elbasanit i cili zëvendësoi një treg më të vjetër të mëparshëm por funksional.

Prodhimet po mbeten rrugëve,  ashtu si ai i duhanit në Dumre, gjë që është bërë shumë problematik si dhe po i bie cilësia pasi është magazinuar dhe pret, ndërkohë që premtimet e qeverisë ishin që do të rritej cmimi apo do evadoheshin në Greqi. Ndërkohë që, dhe kompania që ishte tashmë është larguar prej pak javësh.

Asnjë investim nuk duket në këtë buxhet për sistemet e kullimit, për sistemet e vaditjes që do të thotë se në fund të fundit bujqësia ngelet si mos më keq.

E vetmja prirje pozitive është ajo që nuk vjen nga projekt buxheti, por nga rritja e prodhimit të bujqësisë për arsye të subvencioneve gjatë viteve të kaluara duke sjellë sigurisht në vitet e ardhshme rritje të prodhimit.

Një problem për t’u ngritur është ai i projektit të parashikuar në qeverinë e mëparshme për ngritjen  e rrjetit të ujit të pishëm. Ujësjellësi i ri i zonës së Dumresë që do të mbulonte 5 komuna dhe një bashki, jo vetëm, që nuk u fillua gjatë 2014 por nuk ka gjasa të fillojë as gjatë vitit 2015.

Infrastruktura në të gjitha sektorët e saj nuk do të financohet si duhet por ka një amulli shumë të madhe e do të na duhet të presim gjatë vitit 2015 nëse do të ketë mundësi qeveria që të kryejë ndonjë investim në ndonjë komunë apo bashki.

Njësitë vendore janë totalisht të paqarta. Taksën e biznesit të vogël nuk e vjelin dot vetë. Qeveria dështoi në mbledhjen e saj pasi ka mbledhur më pak se sa mblidhnin vetë njesitë vendore.

Taksa ku mbështetet rritja e buxhetit vendor nga politika qeveritare e tanishme, taksat e pronës, janë me një pikëpyetje të madhe pasi nuk janë dixhitalizuar akoma  dhe mungon lidhja e drejtëpërdrejtë me hipotekat . Pra nuk ka asnjë shans që të mblidhen më teper.

Kryetarët e njësive vendore nuk dinë si do të sigurohen të ardhurat për shërbimet më minimale bazë  edhe pagat e institucioneve të tyre nga ana tjetër. Eshtë një gjendje e mjerueshme që me zgjedhjet që do të bëhen nga vjeshta nuk dihet se si do të shkojë qeverisja vendore atje ku ofrohen drejtëpërsëdrejti shërbimet ndaj qytetarëve.

 

Bedri Hoxha: Në Dibër, punët janë lënë përgjysëm, asnjë përmirësim nga buxheti

Para një viti diskutuam buxhetin dhe thamë se shqiptarët do të jenë më të varfër dhe sot e shohim pas një viti që kjo është realitet. Këtë e konstatojnë xhepat e familjeve shqiptare. E njëjta gjë do të ndodhë vitin e ardhshëm, me këtë buxhet që ka paraqitur qeveria. Sot në Shqipëri duket sikur ka rënë hija e vdekjes sepse nuk po punohet askund. Shqiptarët do të jenë më të varfër. Qarku i Dibrës ngelet një qark i harruar. Pothuaj nuk ka fare investime publike në qarkun e Dibrës. Në kohën e qeverisjes së PD, çdo njësi, 33 njësi në Dibër, ka pasur investime. Vitin që lamë pas ka pasur vetëm 3 objekte në vetëm në 3 njësi të qeverisur nga socialistët, çka dëshmton politikën klienteliste të Kryeministrit Rama dhe trajtimin e qytetarëve në të dorës së parë dhe dorës së dytë. Thelbësore është vazhdimi i objekeve dhe ka dhjetëra objekve në vazhdim në qarkun e Dibrës por që janë lënë përgjysëm dhe nuk po financohen prej një viti e gjysëm, dhe rreziku është se edhe ato para që janë hedhur po shkojnë dëm.

 

Bode: Buxheti nuk jep zgjidhje për projektet e rëndësishme të rrugëve

Për të konkluduar, rreth këtij elementi që përmendëm, dhe për të hedhur një vështrim çka po ndodh aktualisht, sot në kuvend Qeveria me mazhorancën, do të miratojë në parim Projekt-Buxhetin e vitit 2015 i cili nuk ka asnjë princip të vërtetë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror për vendin. Parimi që do të votojë sot qeveria bazohet tërësisht në një politikë të verbër, shkatërruese për ekonominë e varfëruese për qytetarët, pasi sikurse e kemi thënë, bazohet vetëm në rritjen e taksave, në rritjen progresive të taksave, për të dytin vit rradhazi. Bazohet në varfërimin absolut të qytetarëve, të cilët nga 460 milion dollarë shtesë taksash që do të paguajnë në vitin 2015, do të paguajnë 390 milionë në formën e taksave të fshehura apo në formën e taksave të drejtpërdrejta të vendosura mbi konsumin.

Buxheti sjell rrënimin e mëtejshëm të bizneseve dhe ndrydhjen, çuarjen me detyrim të ekonomisë drejt toneve të recesionit, sikurse ndodhi përgjatë tre mujorit të dytë të këtij viti dhe që ka pritshmëri edhe tre mujori i katërt i këtij viti të jetë në të njëjtin trend, që bazohet në degradimin e shërbimimeve për qytetarët pasi të gjitha elementët që përbëjnë shërbimet publike për popullatën janë në parametra më të ulët nga sa kanë qenë vitet e fundit, aspekti i të cilave është edhe çështja që diskutuam sot e investimeve publike dhe që siguron vetëm një gjë, bollëk në shpenzimet e qeverisë qendrore, të zyrtarëve, të ministrave, të qeveritarëve aktualë. E kemi deklaruar dhe konstatohet shumë lehtë që buxheti i fundit në harkun e dy viteve të fundit, është rritur me 1 miliardë dollarë krahasuar me buxhetin e dy viteve, tre viteve më parë. Rritja e shpenzimeve në mënyrë të menjëhershme në të tilla nivele, 1 miliardë dollarë, kur në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme është rritur vetëm 2 miliard dollarë në harkun e 8 viteve. Në dy vite, rritet 1 miliardë dollarë dhe këto shpenzime perkeqësohen në perspektivë dhe që janë bazuar tërësisht jo në rritjen e performancës së ekonomisë por në rritjen progresive të taksave mbi ekonominë dhe qytetarët.

Në raport me PBB, nga 28.4-28.3% që kanë qenë shpenzimet publike, shpenzimet e buxhetit në vitet e mëparshme, shkojnë në 31.5% të PBB, do të thotë 3.5% më shumë, do të thotë në vit mbi 500 milion dollarë më shumë shpenzime që bën qeveria në raport me ekonominë. 1 miliardë dollarë është rritja totale e shpenzimeve, nga këto, vit pas viti me 500 milionë dollarë është përmbi kapacitetet e ekonomisë historike dhe që bazohet tërësisht në atë që kemi thënë, në rritjen e taksave. Aq sa rriten taksat sipas llogarive të qeverisë në harkun e dy viteve të fundit, aq është edhe le të themi zgjerimi, evadimi i shpenzimeve të qeverisë mbi ekonominë e vendit. Investimet publike në këtë buxhet mbeten në nivelet më të ulëta historike. Pra pritej, që u rritën me 1 miliard dollarë shpenzimet e buxhetit, pritej që këto të rriteshin në investimet publike apo në shërbimet ndaj qytetarve apo në rroga dhe pensione. Në të vërtetë 1 milion dollarshi i shpenzimeve të buxhetit u rrit duke mbajtur të bllokuara, të ngrira, pagat e punonjësve, pensionet e pensionistëve, dhe duke ulur nivelin e investimeve publike që janë investime për rrugët, për ujësjellësat, për shkollat, dhe për të gjitha shërbimet e tjera, shërbimi shëndetësor, që u bëhen qytetarve shqiptar. Totali i investimeve do të
jetë në minimumin historik, 4.5% i PBB, dhe në parametra të tillë sigurisht e ngrirë në të njëjtin nivel me vitin 2014 dhe nën nivelin mesatar të 4 viteve të fundit, pale për tu krahasuar me periudhën 2008, 2009, 2010, kjo shumë është tërësisht jo-ekonomike dhe e pajustifikueshme për nivelin e lartë të shpenzimeve që bën buxheti i shtetit. Për më tepër, shpenzimet e qeveritarve vazhdojnë rriten . Ato arrijnë në 2.7% të PBB. Vetëm shpenzimet e qeverisë qendrore, të ministrive, janë 2.5% e PBB dhe kanë qenë 1.4% e PBB dy-tre vitet e shkuara. Rreth 150 milion dollarë në vit harxhohen më shumë për administratën dhe qeverinë qendrore. Investimet jo vetëm që janë të limituara, por sikurse përmendëm këtu, ato nuk dihet se kur do kryhen pasi nuk ekziston asnjë listë orjentuese apo angazhuese e qeverisë se ku do ti shpenzojë këto fonde, 678 milion dollarë që ka programuar për vitin 2015. Nuk ka një listë orientuese që kërkush nesër të mos ketë mundësinë për t’iu adresuar, përse filan projekt, apo një projekt tjetër, nuk po merret në konsideratë nga ana e qeverisë.

Qeveria kërkon dorë të lirë, që edhe këto pak para në investimet publike t’i bëjë rrush e kumbulla dhe ti adresojë në modelin e fasadave dhe makeup-it, që Rama di ta bëjë mirë, duke shkuar dhe investuar vetëm në qendrat e disa qyteteve duke lyer dhe zbukuruar diçka, apo duke hequr vija dhe duke mbjellur pemë në anët e rrugëve nacionale. Tashmë objektet e mëdha, investimet nacionale janë tërësisht të abandonuara sikurse e përmendëm këtu është harruar tashmë vijimi i projekteve të mëdha. Rruga Tiranë-Elbasan, që duhet të kishte përfunduar që vitin e kaluar, vijon të mbetet e hapur dhe pa investim konkret edhe pse fondet janë të kontraktuara nga Banka e Zhvillimit. Rruga e Arbrit, tërësisht e bllokuar. Segmenti tjetër i Jugut me pjesëza punimesh të filluara tërësisht të abandonuara e të bllokuara. Rruga Qukës – Qafë Plloçë tërësisht e harruar, kontrata e investimeve është bërë, fondet janë angazhuar, kostoja paguhet por punimet nuk fillojnë. Për të mos folur pastaj për të gjitha projektet e vogla lokale, në territore të ndryshme të komunave, Bashkive dhe Qarqeve të cilat janë çelur prej dy vitesh dhe nuk vijon ndërtimi i tyre, çka çon në degradimin edhe të atyre investimeve që janë kryer, të atyre parave që janë harxhuar tashmë dhe janë për t’u rifilluar në një moment kur t’i vijë prioriteti i qeversië për të konsideruar këto lloj investimesh.

Pra investimet janë tërësisht të disbalancuara në territorin e vendit, nuk bazohen as në prioritete zhvillimore ekonomike dhe as në nevoja lokale. Janë tërësisht klienteliste dhe për qëllime politike të mirëfillta nga ana e qeverisë. Kemi degradim të investimeve edhe në sektorë të ndryshëm, shëndetësia dhe arsimi as nuk bëhet fjalë për të intensifikuar dhe përmirësuar shërbimin në këto sektorë, përkundrazi, fondet e programuara janë në ulje. Ujësjellsat po ashtu janë harruar se ka nevojë për tu investuar në këtë sektor. Dhe sektori i bujqësisë, veç demagogjisë dhe propagandës, nuk po përfiton dot asnjë fond për buxhetin e vitit 2015. Dhe këto ndodhin në të njëjtën kohë kur buxhetet lokale, grantet që i transferon qeveria qendrore buxheteve lokale, vijnë në ulje, dhe është e habitshme mosrespektimi i ligjit për pushtetin qendror, i cili ka një nen ku parashikon që çdo rritje e nivelit të shpenzimeve të buxhetit qendror, duhet të shoqërojë në të njëjtën masë, edhe rritjen e transfertës për pushtetin vendor. Buxheti qendror është rritur me 20% si vëllim shpenzimesh, kurse buxheti lokal sivjet është ulur me rreth 14% krahasuar me një vit më parë apo me vitet e mëparshme. Pra nga pikëpamja e investimeve që bën ky buxhet për ekonominë e vendit, ato mbeten simbolike, mbeten të paidentifikuara, mbeten të abandonuara projektet ekzistuese, mbeten të degraduar sekotrë që kanë nevojë për më shumë përmirësim investimesh në shërbimet publike dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Mbeten investime fasadë, buzëkuq që Rama kërkon ti bëjë qeverisjes së tij. Ne jemi tërësisht kundër dhe nuk mund të pranojmë që një buxhet I rritur me 1 miliard dollarë, në harkun e dy viteve, të adresojë për investimet publike për qytetarët vetëm 14% të këtij buxheti ndërkohë që ka qenë në parametrat 25-30% për një periudhë gati 10 vjeçare. Prandaj ne e denoncojmë këtë buxhet si një buxhet tërësisht bllokues që abandonon interesat publike dhe të qytetarëve dhe që rrit lluksin dhe fondet, bollëkun, për fondet e qeverisë qendrore.