Deklaratë e deputetit Ristani ku denoncohet vërshimi i ri i militantëve në Policinë e Shtetit, dhe pasojat që po sjell kjo në rënien e sigurisë publike. Po zhbëhen standartet e arritura me milionat e partnerëve amerikanë dhe europianë në trajnime dhe rritjen e kapaciteteve të oficerëve tanë.

Rendi dhe siguria publike janë sot në pikë të hallit, sic është e gjithë jeta e vendit.

Brenda 12 orëve të fundit, 3 shpërthime me tritol kanë tronditur Tiranën, Krujën e Fushë-krujën. Është ky agresioni më i madh që mund të bëhet ndaj pronës, e ndaj jetës së qytetarit.

Vrasje po ndodhin cdo ditë.

Aksidentet me jetë të humbura janë shtuar.

Policia e Shtetit gjendet këto ditë në momentet më kritike, pasi  fushata e dorëzimit të saj përfundimtar në duart e militantëve, po jep efektet e saj të plota.

Po emërohen në detyra të rëndësishme, po marrin gradat më të larta, militantë të njohur të Partisë në pushtet, ish-sigurimsa të kohës së diktaturës dhe persona që spikasin për besnikërinë ndaj Ministrit e klanit të tij.

Edi Rama dhe ministri i tij, kanë zhbërë dhe po zhbëjnë, deri në specialistin e fundit, investimin e madh të shoqërisë shqiptare, investimin prej miliona dollarësh të partnerëve amerikanë, investimin maksimal të partnerëve europianë, për trainimin, dhe përgatitjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit ka braktisur sot detyrën e saj kryesore që është rendi dhe siguria publike, dhe po urdhërohet të përdoret për fushatat selektive të Kryeministrit, kundër fukarenjve që rregullojnë catinë e shtëpisë, apo që nuk paguajnë energjinë, ndërkohë që tritoli, vrasjet e aksidentet, vjedhjet dhe grabitjet, janë kthyer në zakonin e ditës.

Më e keqja ndërkohë po gatuhet këto ditë, kur Policia e Shtetit po merr krejtësisht formën e një strukture partiake, për të shërbyer arbitraritetin dhe dhunën e qeverisë, teksa po shkojmë në vit zgjedhor.

Edi Rama po nxiton ta kthejë vendin në një shtet policor, sa më shumë shtohet pakënaqësia ndaj qeverisjes së tij klienteliste e të korruptuar, sa më shumë rritet varfëria e mjerimi për shkak të akteve të tij kundër qytetarit, kundër ekonomisë, kundër punësimit.

Presim nga partnerët ndërkombëtarë të nxjerrin konkluzionet e duhura për cka po ndodh me Policinë e Shtetit, me investimin e taksapaguesve europianë dhe amerikanë.

I kujtojmë z.Rama, se pakënaqësinë që ka shkaktuar në popull, protestën që pritet të vijë, nuk e ndal dot as me policë, as me militantë të veshur si policë.