Deklaratë e zëdhënëses Nebijaj, ku Partia Demokratike i shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave në Qarkun e Lezhës dhe kërkon nga qeveria të marrë masa të menjëhershme

Partia Demokratike shpreh ngushëllimet më të thella për viktimat e shkaktuara në Qarkun e Lezhës nga moti i keq.

Deputetët dhe strukturat e Partisë Demokratike gjenden pranë familjeve dhe të afërmve të viktimave në këtë ditë dramatike për to.

Ne dënojmë reagimin me vonesë dhe të pakordinuar të qeverisë, e cila si gjithnjë është prezente në ekran por mungon aty ku duhet, aty ku njerëzit kanë nevojë.

Qeveria dhe Edi Rama, vihen në lëvizje vetëm kur moti i keq shkakton viktima.

Asnjë plan prej tyre për të marrë masa parandaluese, asnjë vizion për këto zona që gjithnjë vuajnë nga reshjet dhe nga moti i keq i dimrit.

Të gjithëve na kujtohet se si kur ishte në opozitë, Edi Rama shfrytëzonte me cinizëm e në mënyrë cnjerëzore rastet e përmbytjeve për të ngritur mbi to mashtrimin e madh politik e elektoral, se me të, nuk do të përsëriteshin ngjarje të tilla fatkeqe.

Por ja ku jemi sot, me rajone të tëra nën ujë, dhe me qeverinë e Edi Ramës që paraqitet si vizitore, vetëm e vetëm për t’u dukur në ekrane.

Ne i kërkojmë Edi Ramës të marrë masa të menjëhershme për zgjidhjen e situatës së rënduar, të marrë masa parandaluese, që për shkak të neglizhencës së qeverisë të mos kemi më viktima dhe ngjarje të rënda si ato që ndodhën mbrëmë.