Deputetët e Partisë Demokratike të Komisionit të Ekonomisë analizuan sot shifrat e projektbuxhetit 2015 të cilin e përkufizuan si buxhetin e mjerimit të shqiptarëve. Deputeti Sherefedin Shenu analizoi shifrat e shpenzimeve duke vënë në pah se ato ulen për shtresat në nevojë në mënyrë të ndjeshme, por nga ana tjetër buxheti rritet me 30% për shpenzimet e Kryeminist Edi Rama dhe për mjaft ministri të tjera. Sipas Shehut, nga 6 mijë fermerë në vit që janë subvencionuar, vitin e ardhshëm do të marrin para nga buxheti vetëm 200 fermerë. Ai nenvizoi edhe uljen e ndjeshme të investimeve publike. Deputetja Tabaku vuri theksin tek ulja e fondeve për pushtetin lokal, ish të përdjekurit dhe pronarët. Shifrat e qeverisë, sipas saj, tregojnë një ndihmë 10 herë më pak për ish të përdjekurit politikë krahasuar me vitin 2013. Ndërsa deputeti Ridvan Bode analizoi strukturën e projekbuxhetit 2015 duke e cilësuar si “zgjerim të madh të trashjes së zullumit të qeverisë”. Ai e vlerësoi si dramatike situatën ndërsa qeveria ka programuar për më pak se dy vite një shpenzim 500 milionë dollarësh për shpenzime operative.

Sherefedin Shehu: Më pak fonde për ndihmën ekonomike, 30 % më shumë për Kryeministrinë  

“Tashmë është bërë e qartë për të gjithë qytetarët shqiptar që ata do të mbajnë koston e keqqeverisjes. Deri më tani, është ilustruar dhe prezantuar, para gjithë qytetarëve dhe grupeve të tjera të interesit, që rritja e taksave do të jetë një kosto e cila do t’i varfërojë të gjithë shqiptarët dhe do të konsumojë gati 70% të rritjes së PBB vjetor. Por kësaj barre të dukshme dhe të drejtpërdrejtë, do ti shtohet edhe kërcënimi që ky buxhet i bën rritjes ekonomike, pra prosperitetit ekonomik të vendit tonë, sepse e para, qeveria konsumon 1/3 e PBB, por nga ana tjetër ky konsum është inproduktiv sepse shpërndarja e parave në buxhetin e vitit 2015 nuk kontribuon as në mirëqenien e qytetarëve shqiptar, por as në rritjen ekonomike të vendit dhe krijimin e vendeve të punës.

Që në fillim, shifrat e këtij buxheti, tregojnë që ky është buxhet vetëm për qeveritarët dhe nuk ofron asgjë për qytetarët. Tashmë, që vitin e kaluar, qytetarët e dinë që nuk do të ketë rritje të pagave dhe të pensioneve por fatkeqësisht ka rritje të shpenzimeve për pagat sepse qeveria po rrit numrin e punonjësve të administratës publike dhe rrit numrin e atyre punonjësve që nuk prodhojnë asgjë, përvecse i krijojnë luks Kryeministrit dhe do ta shikojmë edhe të referuar me shifra ku shtesa i përket kryesisht policëve dhe administratës që i shërben drejtpërsëdrejti Kryeministrit. Por, nga ana tjetër, rriten edhe shpenzimet administrative në një kohë kur totali i shpenzimeve rritet shumë pak dhe investimet nuk rriten aspak dhe njëkohësisht kemi shtim të nëpunësve inproduktiv. Këtu kemi një ilustrim të këtyre krahasimeve: Investimet rriten zero. Shikoni buxhetin e Kryeministrit që rritet 30%, investimet zero ndërsa shpenzimet administrative sic e shikoni rriten me 12%. Por është ironi e madhe sepse nga ana tjetër shikoni cfarë ndodh tek ndihma ekonomike. Qytetarëve u ulet edhe ajo pjesë me të cilën ata siguronin kafshatën sepse kjo është kategoria më vulnerabël. 21 miliard është këtë vit ky buxhet ndërsa do ta bëjë atë 19.800 miliard lekë.

Shikoni edhe piramidën e shtuar të administratës publike ku siç e shihni kryeson Ministria e Punës me lojrat që bën kryeministri duke fuqizuar këtë Ministër të cilit i beson vet. Eshtë administrata e Kryeministrit e cila shtohet me rreth 170 vetë, aparati i Kryeministrit. Ndër to, 53 vetë janë punonjës që i shërbejnë drejtpërsëdrejt kryeministrit, pjesa tjetër i përkasin departamenteve nën Kryeministrin dhe kemi rreth 1001 policë të shtuar, pra shumë qartë shikojmë  që ky buxhet i shërben vetëm Kryeministrit dhe krijimit të shtetit policor, tendenca më e rrezikshme në sistemet demokratike. Thashë që buxheti përbën një kërcënim për rritjen ekonomike dhe nëpërmjet buxhetit, i vetmi sektor ekonomik që përfiton dhe duhet të përfitojë mbështetje, është bujqësia. Por po ta shikojmë sektorin e Bujqësisë dhe politikat për zhvillimin rural në tërësi, ato janë ilustrimi më i qartë që me këtë buxhet qeveria goditjen më të madhe ua jep fermerëve.

Së pari, jeni të njohur me efektet e mëdha të rritjes së taksave që i godet këta edhe si konsumatorë por edhe si prodhues. Njëkohësisht është miratuar një ligj i cili trefishon kontributet e sigurimeve shoqërore, ose për pensionet, pra do ti hiqet edhe mundësia për të marrë një pension. Janë hequr masat që nxisnin rritjen e prodhimit bujqësor, siç ishte tatimi mbi vlerën e shtuar për inputet, i cili ishte dhe një premtim i bujshëm që do të hiqet TVSH-ja nga qeveria e sotme dhe më e keqja është, sepse është ristrukturuar i gjithë procesi i mbështetjes së drejtpërdrejtë të fermerve, siç do shikojmë edhe në grafik. Nga rreth 6000 përfitues, fermerë, që kanë përfituar mesatarisht çdo vit, nga viti 2008 në vitin 2013, në këtë vit deri tani janë rreth 200 përfitues dhe e keqja është që këta nuk janë fermerë por janë tregëtar sepse politikat e subvencionimit nxisin dhe mbështesin shtresën e tregtarëve me një argument i cili është i paparanueshëm në kushtet e zhvillimit të Shqipërisë ku akoma dominojnë fermat e vogla, që përgjithësisht janë ferma të mbijetesës, dhe që kanë nevojë për mbështetje për t’u strukturuar dhe për t’u integruar.

Ndërsa qeveria ka si qëllim që të mbështesë një grup i cili mesa duket është grup rreth apo afër qeverisë. Dhe ja raporti i numrit të përfituesve fermerë, nga 6000 ka rënë rreth 200 fermerë. Por disporpocioni i madh, dhe pamundësia për pensione duket në kontribute. Shikoni sot, pra në vitin 2014, sa paguajnë: 23.000 dhe 30.000 lekë kontribute dhe tani duhet të paguajnë rreth 800.000 lekë në vit çdo fermer dhe i padiferencuar nga zona fushore në zonën malore. Por në tërësi, qytetarët kërcënohen nga recesioni apo rënia ekonomike sepse, në kushtet ku rritet barra tatimore, investimet publike ulen dhe jo vetëm që nuk ka stimul ekonomik për biznesin, por përkundrazi ka vështirësi, ka barrë që duhet ta përballojë biznesi.

Së dyti, kemi një evasion të dukshëm fiskal që arrin minimumi në 40%. Në këtë situatë, qeveria, këtë gropë që krijon evazioni, synon që ta mbushë me rritjen e taksave. Por nga ana tjetër, kemi një borxh të lartë. Qeveria pretendon se po e ul por pesha e borxhit në raport me PBB mbetet më i larti historik përjashtuar vitin e qeverisjes së Partisë Socialiste. Siç e thamë dhe më përpara, mbështetja për prodhuesit apo për fermerët tashmë do të shndërrohet në mbështetje për tregtarët. Shikojmë çfarë ka ndodhur me investimet. Referenca është nga vitit 2013 ku pjesërisht kanë qeverisur Socialistët sepse po ti referohemi viteve të mëparshme, investimet kanë qenë në nivele shumë më të larta sidomos në raportin me PBB, siç e shihni dhe në 2013 kanë qenë rreth 6% të PBB, por kemi arritur edhe në 11% të PBB.

Pra këtu e shikojmë ç’ndodh me investimet. Pra nga 80 miliard lekë ato kanë zbritur në 67 miliard lekë dhe në këtë nivel do të jenë edhe në vitin 2015, pra zero rritje investimesh. Shikoni
në përqindjen ndaj PBB. Rreth 6% kanë qenë vitin e kaluar, kjo shifër në gjithë qeverisjen e Partisë Demokratike, dhe ka zbritur në 4.8 dhe shkon në 4.5. Pra nuk kemi rritje në shuma absolute, përkundrazi kemi një rënie kundrejt PBB që është tendenca më negative dhe problemi më i madh, brenda investimeve, është tek infrastruktura e cila përfaqëson pjesën më aktive që kontribuon në rritjen ekonomike, po të kemi parasysh ndikimin në investime publike në zhvillimin ekonomik. Dhe siç e shikoni, nga rreth 23 miliard lekë që kanë qenë në buxhetin e 2014, dhe tashmë ne e dikë që kjo shifër nuk do të realizohet, ajo në vitin 2015 shohim që bie në rreth 20 miliard e 500 milion lekë. Pra kemi një rënie me rreth 3 miliard lekë të investimeve publike në infrastrukturë.

Por problem më i madh është që ky buxhet edhe me këto shifra nuk ka siguri, mbart me vete shumë rreziqe dhe po të shikojmë, sivjet qeveria duhet të skontojë eurobonde dhe duhet të marrë në tregun e huaj, pa futur efektin e tregut të brendshëm, 70 miliard lekë. Qeveria duhet, ose ka marrë përsipër detyrimin që të lëshojë garanci 15 miliard lekë për blejren e energjisë elektrike. Rezerva që ka krijuar në buxhet për të përballuar rrisqet e mundshme, është vetëm 5 miliard lekë, ajo që aty është kontigjenca. Dhe natyrisht që problem më i madh është që rritja e borxhit nuk bëhet për investime por bëhet për luksin e qeverisë. Sepse shikojmë çfarë ka ndodhur. Kemi rritjen e borxhit 150 miliard lekë, por nga ana tjetër argumenti i qeverisë ishin detyrimet e prapambetura. në të vërtetë detyrimet e prapambetura janë vetëm 25 miliard lekë. Pra argumenti që borxhet na detyruan të rrisnim borxhin ka rënë. Shikoni disporpocionin e madh.

Por, nga ana tjetër, kjo rritje e shfrenuar e borxhit, ka lënë një pasojë që do të vazhdojë në vite dhe vetëm në vitin 2015 shikoni efektin e borxhit të rritur në rritjen e kostos, që do të jetë 9 miliard lekë kostoja e borxhit publik. Dhe më në fund, duhet të theksojmë edhe sektorë të tjerë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Ndër to, referenca më e mirë është arsimi ku ndryshe nga premtimi i bujshëm prej 5% të arsimit në PBB dhe dyfishim të buxhetit, në buxhetin e 2015 kemi 400 milion lekë ulje, pra një rast i paprecedent. E tillë është edhe shëndetësia, me një rritje minimale që nuk përmbush dhe garanton asnjë objektiv apo standart të premtuar për shërbimet shëndetësore por në rastin e arsimit kemi bërë këtë ilustrim që buxheti ulet me 400 milion lekë. Dhe së fundmi, goditje me këtë buxhet merr edhe pushteti vendor. Po të shikoni transfertën që Qeveria bën tek pushteti vendror, për çdo njësi ajo ulet nga 5% deri në 29% në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014 dhe siç e shikoni, ndryshe nga tendenca historike, kemi dhe një ulje të shumës totale të kësaj transferte, nga 2014 në 2015, që është në rreth 13 milard e 300 milion dhe zbret në 12 miliard e 400 milion lekë.

Pra këto ishin disa nga tiparet e këtij buxheti, që në mënyrë të përmbledhur, mund të themi që ky buxhet përveçse rrit barrën mbi qytetarët bën edhe një keqpërdorim të parave të qytetarëve ndonëse me një barrë të rritur, por nuk mbështet sektorët që garantojnë rritje ekonomike, kryesisht infrastruktura dhe bujqësia dhe nga ana tjetër kemi që buxhet të bazuar në një nivel të lartë të borxhit publik i cili kërcënon ose rrezikon të ardhmen e stabilitetit të financave publike.

Jorida Tabaku: 10 herë më pak fonde për ish të përdjekurit, më pak edhe për pronarët 

Dua të ndalem në disa elementë shumë të rëndësishëm si pushteti vendor, ish pronarët dhe ish të përndjekurit. Kemi të bëjmë me elementë shqetësues sepse kemi të bëjmë me një ulje të fondeve për pushtetin vendor çka ndodh për herë të parë. Nga 254 njësive të qeverisjes vendore (68 % të 373 Nj.Q.V-ve që janë në total) u ulet transferta e pakushtëzuar për 2015 krahasuar me 2014 me 25% – 29%.

Për herë të parë u hiqen të drejta komunave dhe të zgjedhurve dhe ia kalojnë prefektit duke cenuar rëndë pavarësinë e pushtetit vendor. Vetëm 11 njësive të qeverisjes vendore, nga 360 njësi në total, u rritet transferta e pakushtëzuar vitin e ardhshëm, nga të cilat vetëm njëra prej tyre drejtohet nga përfaqësues i Partisë Demokratike (Bashkia Vorë), kurse të tjerat drejtohen nga përfaqësues të së majtës shqiptare. Prefekti ka marrë një rol kryesor, pasi pa miratimin e tij shumë veprime financiare nuk mund të kryhen.

Në lidhje me të përdjekurit premtimi është për 2 miliardë lekë, sa vitin e kaluar,  por duke pasur parasysh se fondi është pothuajse sa viti aktual dhe është disbursuar vetëm 267 milionë lekë, ose 25% sa premtimi i periudhës, i bie rreth 10 herë më pak se ç’është paguar në 2013 nga qeverisja e PD. Askush nuk kishte iluzion që ministri me shall me yll do të shpërndante paratë e të përndjekurve politikë, dhe në realitet nuk ka ndodhur.  Në buxhetin e paraqitur për miratim, nuk kemi asnjë nga premtimet që mazhoranca pati premtuar. Premtime si, ndryshimi i disa kritereve të vendosura nga qeveria e mëparshme në lidhje me legalizimin e shtëpive me letra me vlerë që ish-të persekutuarit kanë marrë gjatë programeve të mëparshme. Kjo do të sillte rritjen e dëmshpërblimit, i cili nuk u mbajt as këtë vit e as nuk do të mbahet. Mungon zëri i veçantë për ndërtimin e Muzeut të Kujtesës.

Përsa i përket pronarëve, buxheti aktual i miratuar është 1.4 miliardë lekë ku përsëri thuhet se do të merren rreth 1 miliardë lekë nga legalizimet dhe përsëri mbetet një premtim, si kompensimi i pronarëve ashtu dhe legalizimi falas. Në buxhetin e ri, nuk kemi asnjë tregues se do të kemi kompensime fizike aq shumë të propaganduara në programin elektoral. Nga ana tjetër, nuk kemi asnjë ndryshim në skemën e kompensimeve dhe pse gjykata e Strasburgut ka vendosur një afat limit përmes së cilës qeveria duhet të paguajë detyrimet e saj ndaj pronarëve të tokës. Përsëri pa një plan pune për shpërndarjen qoftë të fondit financiar qoftë edhe atij fizik.

Ridvan Bode: Buxheti do rrisë varfërinë, por rrit shpenzimet e luksit për qeveritarët 

Ne diskutuam javën e kaluar me shqetësim faktin që qeveria po vijon të rrisë taksat në mënyrë progresive dhe po ashtu efektet që po japin ato në drejtim të jetës së qytetarëve do të jenë të mëdha. Do të ishte me interes të shihej nëse qeveria përmes funksionit rishpërndarës të buxhetit do të mund të adresonte nevojën për një vëmendje më të ngritur në disa aspekte që janë të domosdoshme për t’i marrë në konsideratë në këtë periudhë dhe në përputhje edhe me angazhimet publike të vetë qeverisë. Por, për fat të keq ne po mësojmë një përkeqësim të mëtejshëm dhe një denatyrim, një degradim të thellë të strukturave buxhetore, të cilat i japin një rrisk edhe më të madh financave të vendit. E gjitha kjo do të bëjë të detyrueshme që politika progresive e rritjes të taksave do të vazhdojë edhe në të ardhmen nga ana e kësaj qeverie. Në demagogjinë e saj, qeveria në rritjen e taksave dhe në zgjerimin e bazës tatimore në përgjithësi në drejtim të qytetarëve dhe të bizneseve e ka justifikuar me faktin se po e bën për të vendosur nën kontroll borxhin dhe defçitin. Por, në të vërtetë, që nga shifra e parë e shpenzimeve të buxhetit dëshmohet e  kun
dërta. Buxheti i vitit 2015 do të jetë një buxhet që do të zërë 31.5% të PBB-së së vendit. Dhe kjo flet për një zgjerim të madh të trashjes së zullumit të qeverisë. Në gjithë këtë periudhë të presioneve të krizës globale dhe në vijimësi financat publike të Shqipërisë kanë mbajtur një nivel të ulët të shpenzimeve, sepse i jemi përmbajtur parimit të një qeverisjeje të vogël dhe një ekonomi të vogël, dinamike.

Rritja me 3.2 pikë të përqindjes së PBB-së, ose e thënë ndryshe rreth 500 milion dollarë, të shpenzimeve buxhetore në harkun e këtyre dy viteve përbën lajmin më të keq për ekonominë dhe qytetarët. Shpenzimet e buxhetit rriten me 500 milion dollarë, por kush përfiton? Nëse qeveria përmes kësaj shume prej 500 milionë dollarësh shtesë do të bënte të mundur ose vendosjen nën kontroll të defiçitit, apo borxhit publik, ose zgjidhjen e problemeve shoqërore që shkakton rritja progresive e taksave dhe e tarifave që po përdor qeveria, do të gjente një justifikim dhe do të mund të gjente arsye dhe argument për të negociuar në mënyrë publike me komunitetin e biznesit dhe qytetarët të cilët do të paguajnë më shumë taksa. Në të vërtetë ndodhi krejt e kundërta. Qeveria rriti me 500 milionë dollarë shpenzimet e buxhetit  duke konsoliduar stuktura jo produktive në shpenzimet e buxhetit. Çka do të thotë se zullumet e kësaj qeverie, e cila rrit me 16% shpenzimet operative dhe mban të bllokuara të gjitha ato zëra që do të përbënin sens për të ndërhyrë nga ana e qeverisë për një rritjeje të kujdesshme të ekonomisë së vendit.

Shpenzimet administrative të qeverisë rriten me 12% dhe investimet publike ulen në vlera reale në krahasim edhe me vitin 2014 dhe pale pastaj po t’i krahasojmë me periudhat e mëparshme ku vendi investonte në infrastrukturë dhe në të gjitha shërbimet e tjera publike. Të gjitha këto janë bërë në një kohë, kur edhe buxheti ka qenë më i ulët se ky i kësaj qeverie. Pra mbanim një buxhet me 28% të PBB-së dhe investonim rreth 7% të PBB-së. Pra çerekun e këtij zëri investimesh ne i kishim investime publike. Por nuk janë vetëm investimet publike që me këtë buxhet po mbahen të bllokuara, sepse këtë tashmë e ka deklaruar edhe vetë kryeministri Rama se nuk do të bëjë investime.

Me buxhetin e 2015, ulje pësojnë edhe shërbimet publike, si arsimi dhe shëndetësia. Këtu dua të përmend se arsimi është në ulje në vlerë absolute në krahasim me vitin 2014. Po ta marrim në raport me PBB-në kjo ulje është edhe më e madhe. Mbetet e bllokuar shëndetësia me një staniacion të plotë. Në këtë buxhet, niveli i shërbimit shëndetësor në të gjitha rangjet e tij jo vetëm spitalor, por edhe në të gjitha shërbimet e tij edhe parësore, të cilat nga ana tjetër kanë dëshmuar se kanë një problamatikë të theksuar, po krijojnë një përkeqësim të këtyre shërbimeve në raport me qytetarët.

E njëjta gjë ndodh me pushtetin vendor, i cili ofron një sërë shërbimesh publike në nivel lokal. Grantet për to në këtë buxhet vijnë duke u ukur në këtë vit. Buxheti i shtetit vjen duke u rritur, shpenzimet e qeverisë rriten me 16%, ndërsa grantet që i akordohen pushtetit vendor pësojnë një ulje të qënësishme me 5-29% sipas risive. E gjitha kjo do të krijojë një premisë për uljen e mëtejshme të asistimit të pushtetit vendor në raport me qytetarët sa i takon nevojave dhe shërbimeve që ata kanë, të cilat kanë të bëjnë me ujësjellësit, pastrimin , apo shërbime të tjera që janë të domosdoshme, që në këtë rast ofrohen vetëm se nga pushteti vendor dhe nga askush tjetër.

Ky buxhet jo vetëm që ul në tërësi shërbimet, investimet publike , por braktis përfundimisht mbrojtjen ndaj shtresave më të ekspozuara të shoqërisë. Ky buxhet i braktis këto shtresa, duke mos u garantuar atyre mbrojtje nga rritja e taksave, tarifave, pa përmendur këtu edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sikurse e patë buxheti për mbrojtjen shoqërore, për ndihmën ekonomike, për pagesën e papunësisë dhe për pagesat e aftësisë së kufizuar pëson një rënie në krahasim me buxhetin ekzistues të vitit 2014. Në vend që të kishte një rritje të qenësishme për të kompensuar sadopak këto efekte që vijnë nga rritja e taksave indirekte, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Sikurse e keni dëgjuar, qeveria do të marrë në mbrojtje një numër shumë të kufizuar të familjeve në nevojë. Kjo do të thotë që rreziku për të rënë në varfëri ekstreme vjen duke u thelluar dhe është evident në vitin 2015.

Ky buxhet nuk parashikon asnjë rritje pagash për vitin 2015. Ato do t’i mbajë të ngrira të nivelit të fundit të vitit 2013. Për të dytin vit me radhë të gjithë punonjësit nuk do të kenë rritje pagash dhe pensionistët nuk do të kenë po ashtu rritje pensionesh. Qeveria ka programuar rreth 1.2 miliard lekë për të indeksuar pensionet, gjasme për inflacionin, e cila do të jetë në masën 2%. Edhe kjo shifër do të targetojë të diferencuar shtresën e pensionistëve, çka do ta ekspozojë edhe më shumë këtë të fundit përballë problematikës së taksave të rritura dhe të çmimeve të rritura po ashtu. Pjesa e ushqimeve dhe shërbimeve bazë që i adresohet shtresës së pensionistëve ato kanë një rritje nga 6%-8% sipas tremujorëve të deklaruar nga vetë qeveria. Kjo do të thotë se kjo shtresë edhe sikur të indeksohej edhe sikur të kishte një rritje reale të pensionit do të kërkonte medeomos një rritje të paktën tre herë më të madhe se ajo që ka programuar qeveria. Dhe e gjitha kjo vetëm për të mbajtur të njëjtin nivel dhe standard  të mirëqenies që ka pasur edhe në vitet e mëparshme.

Qeveria jo vetëm që braktis shtresat në nevojë, çka përbën edhe misionin kryesor dhe funksional të politikës rishpërndarëse të buxhetit, por qeveria braktis edhe politikat për mbështetjen sektoriale për sektorë të veçantë të ekonomisë, të cilët kanë dëshmuar në këtë periudhë që kanë vitalitet dhe që mund të mbajnë ritmin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Bujqësia është braktisur tërësisht në këtë buxhet të këtij viti. Politika e nxitjes  së prodhimit bujqësor përmes atij programi të lançuar edhe nga qeveria e mëparshme tashmë është tërësisht e braktisur. Tashmë nuk përfiton më fermeri që mbjell, që kultivon, apo që mban bagëti, por financohen në mënyrë klienteliste një numër prej 40-50 herë më i vogël në krahasim me numrin që jepej më përpara. Ata që financohen janë njerëz që merren me aktivitet jo të drejtpërdrejtë bujqësor, por tregtarë dhe biznesmenë që merren me zinxhirin e tregtimit, konservimit dhe të shpërndarjes së produketeve  bujqësore.

Jo se kjo nuk duhet por përqendrimi i atyre pak fondeve vetëm tek një numër i kufizuar njerëzish krijon një padrejtësi të madhe për t’i dhënë impulse prodhimit bujqësor i cili vijon të mbajë rritjen ekonomike për shkak të disa investimeve të kryera në vitet e mëparshme, por kjo do të thotë se në vitet e ardhshme do të mbetet e kërcënuar edhe kjo degë e ekonomisë. Pra në tërësinë e tij, ky buxhet mund të karakterizohet si buxhet që majm qeverinë, që trash zullumin e qeverisë, që rrit shpenzimet e buxhetit, edhe pse nevoja është për t’i ulur ato në mënyrë që të ulet borxhi, që të ulen taksat dhe t’i lihet ekonomisë një pjesë më e madhe e prodhimit të brendshëm për ta rinvestuar dhe për të krijuar vende pune, dhe jo për të krijuar vende pune në Ministrinë e Punës, dhe të çështjeve sociale, jo në Policinë e Shtetit, jo në Kryeminsitri, por për të krijuar vende pune
për qytetarët përmes politikave që nxisin ekonominë në tërësi.

Ekonomia vijon të zvogëlohet pasi sikurse e pamë nga ana e nxjerrjes së të ardhurave, rëndon ekonominë rritja e qënësishme e taksave, në kushtet e një prodhimit të brendshme bruto shumë të limituar dhe gati në nivelet 0, dhe nga ana tjetër shpërndarja e këtyre taksave nuk adreson aspak ndonjë prioritet për ekonominë e vendit. Pra bën një braktisje tërësore të politikave për mbështetjen e ekonomisë edhe në aspektin e investimeve. Së treti, karakteristikë e këtij buxheti është braktisja e shtresave në nevojë dhe rritja e rrezikut që varfëria ekspreme të përfshijë një numër më të madh familjesh. Varfëra dhe mjerimi në më shumë famlje shqiptare do të jetë evidente dhe do të thellohet me shpejtësi të madhe përgjatë vitit 2015 dhe nga ana tjetër ky buxhet mund të karakterizohet si buxheti i rrisqeve të mëdha për ti realizuar pasi si nga ana e të ardhurave, pretendohet se do të ketë 300 milionë dollarë shtesë që do të vijnë nga kërbaçi administrativ dhe polici, çka do të jetë jo e mundur lehtë nëse do të përdoren instrumenta standarde të nxjerrjes së taksave, dhe nga ana tjetër nuk programon rezerva të mjaftueshme për të përballuar dhe kompensuar në një moment të caktuar atë diferencë dhe deficit që do të vijë nga mosrealizimi i të ardhurave dhe nga rënia e mëtejshme e ekonomisë së vendit. E vetmja gjë që nuk do të mungojë do të jetë zullumi i trashur i qeverisë në luksin e saj të shfrenuar dhe në qëllimin e saj për të theksuar karakterin policor e dhunues të qeverisë Rama në raport me qytetarët.