Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike në ditën e shenjtë të Ashures

Dua ta nis me një urim nga zemra për të gjithë besimtarët bektashinj në këtë ditë të shenjtë, ditën e Ashures. T’u uroj gëzuar, sjelltë sa më shumë dritë e mbarësi atyre dhe gjithë shqiptarve dhe gjithë besimtarëve të Zotit, kjo ditë e veçantë, e cila për mijëra vjet, jo vetëm në fenë islame por në çdo fe,  përkujton fitoren e popullit mbi tiraninë, fitoren e profetit Musa, të Moisiut, e popullit të tij mbi shtypjen dhe tiraninë. Pra është një ditë feste, një ditë ku kremtohet shpëtimi, bashkimi dhe forca e bashkimit kundër shtypjes.

Jam i ndërgjegjshëm që këtë ditë e uroj në një kohë të vështirë për qindra mijëra bashkëqytetarë, për një kohë ku ata jo që nuk ndihen të çliruar por ditë për ditë ndihen më të shtypur nga tirania e varfërisë, e pamundësisë ekonomike, dhe nga tirania e padrejtësisë, kështuqë, bashkë me urimin tim shpreh dhe shpresën dhe lutjen që duke besuar tek triumfi i të mirës mbi të keqen, duke bashkuar forcën e zemrave për drejtësi për barazi para ligjit, për sa më shumë shanse dhe mundësi për të gjithë anëtarët e shoqërisë tonë, për të gjithë qytetarët, nga më i vogli tek më i moshuari, t’i japim fund praktikave që thellojnë tiraninë e varfërisë. Ti japim fund praktikave që thellojnë pabarazinë para ligjit, e ti kthehemi me dinjitet rrugës së Zotit që është në fakt edhe aspirata e kahershme e shqiptarëve për të jetuar me dinjitet, me barazi para ligjit, me mundësi sa më të mëdha për progres, që është në fakt edhe udhëtimi europian që shqiptarët kahera dëshirojnë.

Në një ditë me bilanc tragjik për kryeqytetin si sot, nuk është e lehtë të projektosh këtë urim shprese. Eshtë akoma më e vështirë të rrëmosh në shkaqet e vërteta të fatkeqësisë apo të fatkeqësive me të cilat përballet shqiptarët çdo ditë. Por është akoma më e pamundur të ecet përpara, në qoftëse nuk ndalemi dhe nuk kuptojmë shkaqet e përkeqësimit, të thellimit të varfërisë, pamundësisë ekonomike, të rritjes së pamundësisë. Të fakir fukarait që goditet, ndërkohë që për të njëjtët vepra penale milionerët vazhdojnë të shkelin ligjin e të gëzojnë përkrahjen e antiligjit dhe shpeshherë me petkun qeveritar. Një shoqëri e drejtë, ku ligji është i barabartë për të gjithë dhe të gjithë jemi të barabartë para ligjit, vjen mbi të gjitha si vullnet. Si vullnet i vendimmarrësve dhe kur ky vullnet mungon, është koha e sovranit, është koha e qytetarëve, është koha e popullit, ta kërkojnë dhe ta marrin me çdo mjet.